18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Camaj, mërgimtari që e mori atdheun me vete

I detyruar të linte vendlindjen kur ishte vetëm 18 vjeç, shkrimtari i madh Martin Camaj e mori atdheun me vete në krijimtarinë e tij letrare, duke u qëndruar përjetë besnik alpeve. Sot bëhen 90 vjet nga lindja e shkrimtarit, akademikut e albanologut

“Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i juaji e ju jeni të mijtë”…Kështu shkruante shkrimtari i madh Martin Camaj përpara se të ndahej nga jeta në mars të vitit 1992.

Sot, poeti, prozatori, akademiku, albanologu do të mbushte 90 vjeç.

Shqipëria e largoi në moshë kur sapo kishte mbushur 18 mote, por ai nuk e la kurrë Shqipërinë në motivet e letërsisë së tij. E nuhati diktaturën qysh në fillimet e saj dhe kjo e bëri të arratiset për t’i siguruar vetes studimet.

Pasi u largua nga vendlindja, fshati Temal, vëllimet e para poetike Një fyll ndër Male”, “Kanga e Vërrinit”, i botoi në Prishtinë.

Në Beograd u shpërngul për të mbrojtur titullin doktor i shkencave me “Meshari i Buzukut”. Nuk kishte qenë rastësi që shkrimtari zgjidhi veprën e parë të shkruar në gjuhën shqipe, duke treguar sesa të forta i mbante lidhjet me të. Më pas udhëton drejt kryeqytetit italian, ku bashkë me Koliqin themelojnë revistën “Shejzat”.

Ndalesa e fundit në Mynih të Gjermanisë, ku hapi degën e Albanologjisë në universitetin e qytetit, për të sjellë pranë atdheut prej të cilit ishte larguar, i detyruar.

Sipas studiuesit Behar Gjoka, Camaj e mori me vete atdheun, me gjasë e përlindi atë në tekstet letrare dhe studimore, që arriti kulmin me “Gramatika e shqipes”.

Ai nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me Shqipërinë, por ndoqi me vëmendje çdo zhvillim të jetës politike, kulturore dhe asaj letrare.

Ismail Kadare e quan Martin Camajn shkrimtar të lartësive.

“Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë. Pa përjashtuar përftimin eufemik të shprehjes, atë që ka lidhje me gjithë shkrimtarët e mëdhenj të një letërsie, te Camaj shprehja merr një kuptim të mirëfilltë. Në shumicën e veprave të tij, në mjediset e përshkruara, në klimën e tyre, te personazhet, ajri, madje dehjet e shëndetshme apo të turbullta që vijnë prej tij, janë ato të alpeve”, – ka shkruar Kadare, duke u shprehur se mënjanimi i tij nga bota, i projektuar në lartësinë dhe pastërtinë e maleve vinte nga vetmia e tij.

“Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, – është i mendimit shkrimtari Ismail Kadare.

Martin Camaj, mërgimtar i përjetshëm në gjallje dhe në amshim, mërgimtari i përvëluar për atdhe, që e mori me vete atdheun, e përlindi si prani shpirtërore në zhguallin e shqipes, të lëvruar në tekstet letrare dhe shkencore, studimore dhe gjuhësore, i ngriti një kult gjuhës shqipe, ligjërimit letrar të gegnishtes dhe arbërishtes.

Në vetmi, rrallëherë i kuptuar nga njerëzit, Camaj vazhdonte veprën e tij, duke u përpjekur të ruante dritësimin e saj alpin, qoftë në poezitë, qoftë në prozën e tij. Ishte pakti i tij i pandryshueshëm me artin, me lartësitë e bjeshkëve nga kishte dalë, e ku një ditë shpresonte se do të kthehej.

“Sdue me qenë si moti i lig, kumtonte në një nga vjershat, duke shpallur kështu kthjelltësinë e fisme mbi pasionet politike, e sidomos mbi mllefet, pa të cilat ishte vështirë të përftohej bota shqiptare.”…

Alpet dhe letërsia

Martin Camaj u lind më 21 korrik 1925, në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ashpërsia dhe vërtetësia e maleve do të linin përgjithmonë gjurmë në krijimtarinë letrare të Camajt.

Ndoqi mësimet në kolegjin Saverian, në Shkodër; një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afirmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet nisi punë si mësues në fshatin Prekal. Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare arratiset për në Jugosllavi. Pas disa peripecish, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç. Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954). Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet pasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali E. Koliqin, K. Gurakuqin, M. Krujën etj. Në Universitetin e Romës u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij filologjik. Zgjodhi temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut. Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe, që drejtohej nga shkrimtari E. Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Shejzat” (Le Pleiadi) (1957-1978) që dilte në Romë. U largua drejt Gjermanisë, 10 vjet pas qëndrimit në Romë duke u vendosur në Mynih, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar “Fjalëformimi i shqipes.

Mënyrat e formimit të emrave të vjetër”. Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por pas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension. Autori ynë do të jetë një personalitet i cili do të vlerësohet nga instancat shkencore të kohës dhe redaksitë e disa revistave që dilnin në Evropë. Martin Camaj punoi afro 15 vjet për romanin “Rrathë” – një nga veprat madhore më të zgjedhura të prozës sonë bashkëkohore, qoftë për vlerat njohëse që përmban, qoftë për depërtimin dhe zbërthimin e dukurive të jetës shqiptare apo për stilin e ngjeshur, me atë fjalor të pasur, shtjellim dramatik të natyrshëm.

Martin Camaj solli ndihmesë të vyer edhe në rrafshin e studimeve të folklorit. Martin Camaj, me punën e tij të zellshme si docent i Albanologjisë në Universitetin e Mynihut, e më vonë si shef katedre, arriti ta lartësojë atë degë në qendër hulumtimesh akademike, e cila sot gëzon statusin e “Fachstudium” dhe jep tituj pasuniversitarë si “Magjistër”, “Doctor Philosophies”.

Vdiq larg vendlindjes së tij, në Bavarinë e Epërme, në fshatin malor Lengries, më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme pranë së shoqes, Erika. Edhe pse regjimi në Shqipëri u përmbys, ai nuk mundi më ta shohë vendlindjen.

Më Shumë

Prizren, deklarohen rreth fajësisë dy të akuzuarit për rastin e aksidentit fatal nga gara në autostradë

Gjykata e Prizrenit ia ka ndëprerë paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të akuzuarëve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi më 2023...

Moti sot me diell dhe vranësira

Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet kryesisht orëve të pasdites dhe mbrëmjes të ketë kohë pas kohe...

Lajmet e Fundit