18.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Daci: Duhen zgjedhje të reja parlamentare

Daci-lddLideri i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), akademik Nexhat Daci, është shprehur se vetëm zgjedhjet e reja parlamentare mund t’ua kthejnë dinjitetin popullit dhe institucioneve të Kosovës.

Megjithatë, ai ka deklaruar se këto zgjedhje duhet të mbahen vetëm pas një reforme të mirëfilltë zgjedhore dhe një disiplinimi të subjekteve politike. Daci ka thënë se shtetin e Kosovës duhet ta drejtojnë forca politike që u thonë stop korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka vlerësuar se zgjedhjet e fundit parlamentare ia kanë qit faqen e zezë Kosovës. “Zgjidhja e vetme për t’ia kthyer dinjitetin gjithë popullit të Kosovës janë zgjedhjet e reja parlamentare, por të përgatitura mirë. Kjo nënkupton reformimin e ligjit zgjedhor dhe disiplinim të vendorëve dhe ndërkombëtarëve”, ka thënë Daci.

Sa iu përket zgjedhjeve të 3 nëntorit, ai ka deklaruar se nga jashtë ky proces është dukur si “shik” por, sipas Dacit, nga brenda nuk ka qenë i tillë. Daci është shprehur i kënaqur me rezultatin që ka arritur në zgjedhjet e 3 nëntorit aleanca AAK-LDD. Sipas tij, treni i këtij koalicioni është nisur në drejtim të duhur dhe ka marrë hovin e shpejtësisë së nevojshme për të arritur në stacionin e caktuar në zgjedhjet nacionale. “Nuk kam pasur pritje më të mëdha. Saktësisht, kam vlerësuar që si koalicion do të jemi rreth 15 për qind dhe do të ketë ngritje nga një pozicion në tjetrin. Pra, treni i koalicionit AAK-LDD është nisur në drejtim të mirë dhe ka marrë hovin e shpejtësisë së nevojshme që të arrijë në stacionin e caktuar në zgjedhjet nacionale”, ka thënë Daci.

Kreu i dardanëve e ka kritikuar edhe kryeministrin Hashim Thaçi. Ai ka thënë se Thaçi në disa raste, në procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel, tepër shpejt ka lëshuar pe ndaj Serbisë. Në këtë intervistë, Daci, i cili e njeh fushën e kimisë, ka folur edhe për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Ai nuk ka dashur të japë ndonjë rekomandim për Qeverinë shqiptare, por ka thënë me përgjegjësi profesionale se Shqipëria nuk ka kapacitete për plehra të askujt.

“Epoka e re”: Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit nga vendorët dhe ndërkombëtarët janë vlerësuar në përputhje me standardet demokratike. Çfarë vlerësimi keni ju, z. Daci?

Daci: Bindja ime përgjithësisht nuk dallon prej këtyre vlerësimeve, por kam një qasje tjetër fare. Këto zgjedhje nga jashtë janë dukur shumë ‘in’, shumë ‘shik’, të veshura me petkun e demokracisë. Por, në qoftë se hyhet në analizë detale, dalin dy rezultate: njëra e pakuptueshme që, veç Kosovës, i duhet aq shumë kohë për rezultate preliminare, kurse për rezultatet përfundimtare edhe më gjatë. E dyta, është gullashi ynë kosovar që brenda familjes, brenda llojit të bëhen vjedhje, të cilat nuk janë të vogla që ia qesin hijen e keqe. Krahasuar me zgjedhjet e deritanishme që i ka organizuar Kosova, këto janë zgjedhjet më të mira që japin një shans për perspektivë të avancimit të proceseve zgjedhore në Kosovë.

“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me rezultatet që ka arritur aleanca AAK-LDD?

Daci: Dalloj pak prej partnerit, udhëheqësit të koalicionit, Ramushit. Nuk shoh arsye për pakënaqësi të mëdha. Shkencërisht po them, kur procesi ka zhvillim në drejtim të rritjes, të ngritjes, është shenjë e mirë. Kur organizmi i njeriut fillon të ketë apetit më të mirë dhe gjumë më të rehatshëm, është rezultat i mirë sepse po krijohet shëndet i mirë brenda organizmit. Mos të harrojmë se AAK-ja padrejtësisht ka qenë pa zot shtëpie një kohë të gjatë dhe kthimi i Ramushit, energjia e madhe e tij për punë, përvoja dhe vullneti i tij kanë bërë që ajo makineri të fillojë të lëvizë në drejtim të duhur. T’jua përkujtoj se në Kosovë ky është koalicioni i vetëm që dy liderë shqiptarë kanë gjetur forcë të bashkohen për t’i ndryshuar proceset e këqija të rrjedhave në Kosovë me procese të mira. Prandaj, nuk ka vend për pakënaqësi të mëdha. Besoj se edhe Ramushi po kthjellët pak, sepse humbjet në raundin e parë në Pejë dhe Gjakovë e kanë destabilizuar nja dy ditë. Mendoj se jemi i vetmi subjekt, si koalicion që ka ngritje të shëndetshme në krahasim me zgjedhjet e kaluara nacionale dhe ato lokale. Pra, nuk kam arsye të jem i pakënaqur dhe për herë të parë po ju them se sadopak është edhe një ndikim i vogël i LDD-së në këtë punë të përbashkët, ka pasur shumë dinamikë në tubimet e shumta zgjedhore që janë mbajtur. Kjo është perspektivë e saktë pozitive e këtij koalicioni për zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“Epoka e re”: Kanë qenë këto pritjet e juaja edhe para procesit apo keni pritur më shumë?

Daci: Nuk kam pasur pritje më të mëdha. Kam vlerësuar se si koalicion do të jemi rreth 15 për qind dhe do të ketë ngritje nga një pozicion në tjetrin. Pra, treni i koalicionit AAK-LDD është nisur në drejtim të mirë dhe ka marrë hovin e shpejtësisë së nevojshme që të arrijë në stacionin e caktuar në zgjedhjet nacionale. Nuk mund të them se jam i shastisur apo i lumtur me këto rezultate, sepse në radhë të parë nuk jam i kënaqur me kontributin e potencialit që ka LDD-ja, por për mua janë me rëndësi kahet e zhvillimeve të proceseve. Mendoj se është një proces pozitiv për koalicionin tonë dhe jam optimist se do të ecim edhe më mirë në zgjedhjet nacionale.

“Epoka e re”: Çfarë dallohet në këto zgjedhje është një rritje e lehtë e LDK-së. Analistët kanë thënë se kjo ka ndodhur për shkak se elektorati i LDD-së ka votuar për LDK-në. Cili është komenti juaj?

Daci: Besoj se ka të vërteta në atë, sepse shtëpia e madhe e LDK-së dhe e Ibrahim Rugovës, ku kemi qenë bashkë, ka telashe me menaxhim. Nuk do të thosha se ka ngritje proporcionalisht me armatën prej 30-përqindësh të të rinjve që hyjnë çdo vjet në moshën për të votuar. Unë nuk ia dëshiroj të keqen kurrë LDK-së sepse në një mënyrë një pjesë të jetës politike e kam kaluar aty. LDK-së i dëshiroj sukses të vazhdueshme, por në qoftë se rinumërimi i votave del që LDK-ja nuk është e pastër në atë proces, siç u konfirmua këto ditë, atëherë ajo ngritje do të dukej e dyshimtë dhe e errët, që nuk i bën mirë asaj shtëpie, e cila nuk e ka pasur atë epitet deri tani.

“Epoka e re”: Sa besoni se aleanca AAK-LDD do të arrijë t’i marrë përsëri komunat që është në balotazh?

Daci: Jam i bindur plotësisht në Pejë. Në Gjakovë kandidati ynë e ka kundërkandidatin shumë të mirë. Mimozën e çmoj si personalitet që ka aftësi t’i lëvizë çështjet teorike-ekonomike, por atë potencial që ka pasur në Qeveri nuk e ka përdorur për Gjakovën dhe këtu është arsyeja që Pali mund ta rikthejë rezultatin. Të gjitha rezultatet e arritura në përgjithësi në Gjakovë janë rezultat i forcës individuale të Palit, e jo i shtetit. Në qoftë se Pal Lekaj di ta rrotullojë këtë mekanizim për së mbari, nuk është pa shanse për ta fituar Gjakovën.

“Epoka e re”: Z. Daci, ju keni qenë edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, institucion ky që është futur në një krizë dhe as pas zgjedhjeve lokale nuk po mund ta marrë vetën. Si e shihni punën e këtij Kuvendi?

Daci: Kam deklaruar se zgjedhjet e fundit parlamentare ia kanë qit faqen e zezë Kosovës dhe moralit shqiptar. Kanë qenë zgjedhje me vjedhje industriale të votave. Institucioni përfaqësues i popullit është Kuvendi i Kosovës, jo Qeveria apo Presidenca. Ai produkt që ka dalë prej atyre zgjedhjeve është ky që ia ka marrë fytyrën edhe Kuvendit të Kosovës dhe s’ka shanse që ky Kuvend t’ia kthejë fytyrën e bardhë Kosovës, sepse nuk është një individ, po një strukturë e individëve me të kojtme të madhe enorme. Prandaj, zgjidhja e vetme për t’ia kthyer dinjitetin gjithë popullit të Kosovës janë zgjedhjet e reja parlamentare, por të përgatitura mirë. Kjo nënkupton se duhet të ndodhë reformimi i ligjit zgjedhor dhe disiplinimi i vendorëve dhe ndërkombëtarëve.

“Epoka e re”: Për këto zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme me kë do të mund të bashkëpunonte aleanca AAK-LDD? Është folur shumë për partneritetin Thaçi-Haradinaj.

Daci: Nuk besoj në ato kombinime teorike sepse shekulli që po jetojmë karakterizohet me jobesnikëri në politikë në krejt botën. Për shembull, Belgjika një vit e gjysmë ka qenë pa qeveri dhe shumë vende evropiane kanë mundësi të mbesin pa qeveri, duke përshirë edhe Gjermaninë me krejt atë potencial që ka. Për mua e vetmja zgjidhje është që koalicioni AAK-LDD fuqishëm ta përshpejtojë energjinë, të cilën e ka krijuar dhe akumuluar për pozitivitet. Pra, të ketë dalje të qytetarëve më shumë në zgjedhje nacionale dhe tek atëherë të hyjnë forcat që janë imune ndaj së keqes, ndaj korrupsionit dhe ndaj krimit të organizuar. Duhet të vijnë forca që kanë dije dhe vullnet, që shtetin e Kosovës ta bëjnë të atillë që rinia në radhë të parë do ta donte, duke i dhënë shkollim të mirë dhe shëndetësi të mirë. Gjithashtu, për të bërë përpjekje për ta lëvizur makinerinë e zhvillimit në ekonomi. AAK-ja dhe LDD-ja kanë potencial të mirë për të bërë bashkëqeverisje të mirë dhe të përgjegjshme para qytetarëve.

“Epoka e re”: Me cilat forca politike do të kishit bashkëqeverisur: PDK-në, LDK-në apo VV-në?

Daci: Këtë çështje po e rezervoj për vete. Nuk do të bëj ndonjë vijë të kuqe, duke thënë se LDK-ja nuk bën apo PDK-ja nuk bën. Njerëzit të cilët kanë treguar tendencë të keqe vetjake, qoftë në nivel komunal, qoftë në nivel qendror, nuk do të merrnin pozicione. Kanë qenë bashkë në koalicion PDK-ja dhe LDK-ja dhe nuk kemi parë shumë hair. Prandaj, dua ta shoh një herë fuqinë tonë reale që e përkrah populli dhe një platformë të shkurtër zgjedhore me obligime të mëdha kohor për secilin vit se çfarë ka për t’u realizuar.

“Epoka e re”: Kohë më parë keni qenë më entuziast rreth një bashkëpunimi në mes të Thaçit dhe Haradinajt?

Daci: Kam dashur të rrezatoj optimizëm. Kam thënë se disa lëvizje të z. Thaçi, i cili e ka pasur edhe ndihmën e AAK-së në Bruksel, kanë qenë e vetmja zgjidhje, por tash tepër shumë e kanë përshpejtuar shpejtësinë e lëshimit pe ndaj Serbisë. Drejtimi i politikës së Thaçit ka qenë i mirë për këtë çështje, por aq shumë e ka përshpejtuar shpejtësinë që më tepër e ka shfrytëzuar Serbia për të marrë më shumë sesa ka pritur. Andaj, mendoj se ndërrimi i Qeverisë do të jetë një freski në të gjitha drejtimet për Kosovën.

Daci: Shqipëria s’ka kapacitete për plehrat e askujt

“Epoka e re”: Hapësira shqiptare është përfshirë në debatin rreth shkatërrimit të armeve kimike siriane. Cili është mendimi juaj si ekspert i kësaj fushe? Duhet ta pranojë Shqipëria një gjë të tillë?

Daci: Po flas shkencërisht. Realiteti i krijuar në Shqipëri pas rënies së komunizmit, pos anës pozitive, ka sjellë shumë anë të errëta. Janë zbrazur depot e Evropës me insekticide dhe me herbicide me afat të skaduar të përdorimit dhe shkatërrimi i të cilave është shumë i vështirë në një hapësirë të vogël sa është ajo e Shqipërisë. Elementi i dytë është se Shqipëria ka diku 419 apo 421 kilometra vijë bregdetare, e cila, në pamundësi ekonomike, është tepër e ndotur. Ajo që për shekullin 21 duhet të jetë lokomotiva kryesore për nxjerrjen e Shqipërisë ekonomikisht për t’iu dhënë shqiptarëve një jetë që e meritojnë sipas pasurive që iu ka dhuruar Zoti, tash do të krijohet në opinionin evropian dhe botëror një frikë areale. Nuk besoj se NATO-ja, e prirë nga SHBA-ja, ka qëllim të keq, sepse shtetet anëtare të NATO-s duhet të marrin edhe obligime të përbashkëta. Megjithatë, po them me përgjegjësi profesionale se Shqipëria nuk ka kapacitete për plehra të askujt. As të Qeverisë së mëparshme e as të kësaj Qeverie nëse i krijon. Qeverinë shqiptare unë e marr si lokomotivë që shqiptarët duhet t`i çojë në integrimet euroatlantike me ekonomi të shëndetshme, me shkencë të shëndetshme dhe me jetë normale. Të njëjtën gjë që e mendoj për Kosovën, e mendoj edhe për Shqipërinë. Besoj se kanë mundësi kreative në krejt këta lëmenj që po flas, jo për të krijuar frikë, sepse Qeveria shqiptare është e autorizuar me votën e vet të marrë vendime që dëshiron, por në botë ka shumë hezitime ndaj këtyre armeve.

Merrni shembull vetëm trenat me hedhurina kur kalojnë nga Franca në Gjermani si reagon opinioni gjerman. Po ashtu, merrni shembull edhe rënien e partive që e kanë përkrahur atë vijë. Unë do të dëshiroja një Kosovë dhe një Shqipëri tjetër fare sa i përket shkencës së mjedisit dhe kjo ka mundësi të bëhet. Ajo që u mungon shqiptarëve në përgjithësi është mendësia grupore, jo individuale. Pra, për ta shfrytëzuar dijen që e kanë brenda popullit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Shpresoj se më në fund të ketë një zgjim të madh të të gjithë neve dhe të merren obligimet, sepse kur futeni në organizma ndërkombëtarë keni edhe obligime, por obligimet duhet të jenë brenda kapaciteteve.

Më Shumë

Mbi 7 mijë kosovarë shkuan në Shqipëri në orët e hershme të së shtunës

Kjo e shtunë ka nisur me një fluks automjetesh në pikën kufitare të Morinës. Shumë qytetarë kanë zgjedhur të udhëtojnë nga Kosova drejtë Shqipërisë, duke...

“Gjekovë” huqja drejtshkrimore në tabelë te hyrja e Prizrenit

Në hyrje të Prizrenit kanë gabuar në drejtshkrim në tabelë ku shkruan Gjekovë në vend të Gjakovës Ndërsa ajo në gjuhën serbe është shkruar si...

Lajmet e Fundit