0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Debatet e dëmshme për tolerancën fetare

Kisha-XhamiaDebatet lidhur me tolerancën brenda fetare dhe ndërfetare në Kosovë, të cilat iniciohen në media ose edhe në mjediset joformale, jo rrallë marrin hov për shkak të diskursit të debatuesve dhe krijojnë përshtypjen që toleranca ndërfetare, për të cilën shqiptarët krenohen, është buzë rrezikut, vlerësojnë ekspertët e çështjeve sociologjike në vend.

Profesor Ismajl Hasani, sociolog i religjionit, vlerëson se në debatet publike më tepër i kushtohet rëndësi sot tolerancës brenda një religjioni se sa atij ndërfetar.

Në mjaft raste, sipas tij, debatet e tilla i bëjnë problematike çështjet e caktuara, madje më tepër se sa që, siç thotë ai, ka nevojë të bëhen të tillë.

“Këtë e them për faktin se shqiptarët tradicionalisht e kanë rastin e tolerancës ndër konfesionale të kultivuar. Por, problemet e fundit që janë shfaqur brenda për brenda ndarjeve të ndryshme, do të thosha, sektariste, kanë krijuar probleme, të cilat shoqërinë kosovare nuk mund ta quajnë më si oazë të shfaqjes në kuptimin e tolerancës fetare. Ndërsa, sa i takon tolerancës ndër konfesionale, mendoj se në Kosovë nuk ka probleme”, shprehet Hasani.

Por, sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se kohët e fundit në Kosovë, kanë dalë në skenë, siç i quan ai, sekte fetare, për të cilat sipas tij, opinioni dhe qytetarët në Kosovë as që kanë pasur informata.

Ai thotë se shoqëria kosovare është hapur dhe si rrjedhojë në vend kanë depërtuar ndikimet e jashtme.

“Papunësia dhe varfëria, në njërën anë, por edhe ndikimet e jashtme, ardhjet e jashtme që shpesh nuk mund të kontrollohen në Kosovë, sigurisht që kanë ndikuar në hapjen e këtyre temave. Mund të them që tash duhet t’i kushtohet një vëmendje shumë më e madhe tolerancës ndërfetare te shqiptarët”.

“Nuk mjafton vetëm të krenohemi me një tolerancë ndërfetare që ka ekzistuar me parë. Për shembull, në Bashkësinë Islame, plasaritjet në kohën e fundit, për të mos thënë përçarjet, ndikimet e jashtme të disa sekteve fetare, të gjitha këto, kanë bërë që njerëzit t’i kthehen ose rikthehen edhe një herë kësaj teme”, thotë Reçica.

Në anën tjetër, profesor Hasani vlerëson se ndikim tejet të madh për t’iu dhënë, siç thotë ai, zjarr temave për besimet dhe tolerancën ndërmjet tyre, janë vetë klerikët fetarë.

“Temat shpirtërore janë shumë të ndjeshme. Bartësit ose të ashtuquajturit udhëheqësit shpirtëror të të gjitha konfesioneve janë njerëz, ata kryejnë edhe misionin e përkujdesjes ndaj besimtarëve”.

“Shpeshherë, këta njerëz që janë bartës shpirtëror dhe predikues të fesë, të veshur me fuqinë e autoritetit, nganjëherë tejkalojnë caqet e komunikimit edhe në raport ndërfetarë, por edhe në raport brenda fetar. Pikërisht, këtu paraqiten problemet dhe krijohet përshtypja e mos tolerancës”, thekson Hasani.

Ndryshe, profesor Reçica shpreh bindjen se temat, siç i quan ai, të nxehta, që kanë të bëjnë me religjionin, kryesisht po ndodhin brenda religjionit Islam dhe përfaqësuesve të këtij religjioni në vend.

Sipas tij, deri më tash, nuk ka pasur ndonjë plasaritje të madhe ndërmjet besimeve të ndryshme.

“Kjo, për mendimin tim, është një gjë pozitive që nuk lë vend për shqetësim, sepse sikur të kishte përçarje, sulme, mosmarrëveshje ndërmjet konfesioneve, kjo do të ishte më e rrezikshme. Mirëpo edhe kjo që brenda konfesionit fetar, brenda Bashkësisë Islame të Kosovës për shembull, këto plasaritjet, këto përçarjet, janë një tregues i qartë fillestar se kah mund të shkojnë këto zhvillime”.

“Do me thënë, në qoftë se këto zhvillime nuk kontrollohen, nuk frenohen dhe nuk pengohen, atëherë këto mund të shkaktojnë telashe jashtëzakonisht të mëdha për Kosovën, si një vend i vogël, i varfër dhe i pazhvilluar”, bën të ditur Reçica.

Profesor Reçica ka shprehur mendimin se të gjitha këto probleme janë evidente në vendet e izoluara dhe sipas tij, edhe Kosova llogaritet si vend i tillë, për shkak se qytetarët e saj nuk mund të lëvizin drejt Evropës.

Ai vlerëson se në qoftë se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i mbyllur ndaj shqiptarëve të Kosovës, atëherë ndikimet e jashtme, siç i ka quajtur ai, mund të kenë më tepër efekt te njerëzit në Kosovë, madje edhe për një orientim që nuk do t’iu konvenonte as vet kosovarëve. /rel/

Më Shumë

Hipokrizia e Greqisë dhe heshtja ndaj çështjes Çame në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE

Lumni Lushaj Greqia vazhdon të kushtëzojë mbështetjen e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit grek...

Policia shqiptoi 1456 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1456 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit