Edhe pse nuk ka kushte specifike që tregojnë se kur mund të jetë një seancë e jashtëzakonshme, deputetët e bllokut mund të thërrasin një seancë të tillë me qëllim që të implementohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kështu deklaroi Dren Doli nga grupi për studime juridike dhe politike, duke iu referuar paralajmërimit të Bllokut për thirrjen e seancës konstituive në rast se kryesuesja Flora Brovina, nuk e bën një gjë të tillë pa marrëveshje mes liderëve.
Përderisa kryesuesja e Kuvendit për seancën konstituive, Flora Brovina ende nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt thirrjes për vazhdimin e seancës konstituive, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti, ka thënë për Radio Kosovën se janë duke vazhduar konsultat për një gjë të tillë.
Në anën tjetër opozita paralajmëron se do të mblidhet vetë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për krijimin e institucioneve të reja.
Lidhur me këtë, Dren Doli nga grupi për studime juridike dhe politike, i ka thënë Radio Kosovës se është në të drejtën e deputetëve që të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për çështje të cilat mendojnë se kanë një relevancë të rëndësishme për jetën politike dhe institucionale në Kosovë.
“Deputetët e LAN-it mund të kërkojnë një seancë të jashtëzakonshme për të tentuar që të gjejnë një zgjidhje në lidhje me formimin e institucioneve të Kosovës”, tha ai.
Sipas Dolit, shumica e partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvend, duhet të mblidhen dhe me shumicë të votojnë për rrjedhën e seancës. Ndërsa, roli i kryesueses së seancës është administrativ që bënë përfaqësimin e deputetëve shumicë në seancës konstituive dhe asgjë tjetër.
“Fakti që një anëtare apo një deputetet e PDK-së ka rastisur që për nga mosha të jetë kryesuesja e seancës konstituive nuk nënkupton që Flora Brovina apo vet PDK të jetë faktori kryesor në çështjen se a duhet kuvendi të mblidhet apo jo. Flora Brovina mund të bëjë vetëm përfaqësimin e interesave të shumicës së deputetëve dhe asgjë më tepër”, thekson ai.
Ndryshe blloku LDK, AAK dhe Nisma, ka paralajmëruar se nëse kryesuesja Flora Brovina nuk thërret vazhdimin e seancës konstituive, atëherë ata do ta thërrasin vet.
Një gjë e tillë ua mundëson edhe kushtetuta. Në nenin 69, pika 4 e saj, thuhet se Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të presidentit të republikës, kryeministrit ose një të tretës së deputetëve.