Deputetja britanike, Alicia Kearns, është shprehur tejet e ashpër në raport me qeverinë e vendit të saj dhe në përgjithësi me faktorin ndërkombëtar sa i përket situatës në Kosovë dhe presionit që po i bëhet qeverisë së Kosovës.
Gjatë adresimit të saj në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar ajo ka thënë se fajtor për situatën e krijuar në veri të Kosovës është Beogradi zyrtar dhe se “gjendja në Kosovë është kritike dhe Britania e Madhe ka përgjegjësi unike atje”.
“Ajo çka po ndodhë aktualisht në Kosovë është rezultat i ndërhyrjes së para 18 muajve nga Beogradi, kur shkaktoi ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e brendshme në Kosovë. Ata u thanë serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje, të cilat ishin të drejta dhe të lira, por sigurisht pjesëmarrja nuk ishte ajo që e donim sepse Vuçiqi u tha të mos merrnin pjesë”, ka thënë Kearns.
Pastaj shohim kryetarët që mundohen t’i zotërojnë pozitat që i kanë fituar, cila është përgjigja?, ka pyetur ajo. “Shtetet perëndimore, më së keqi BE dhe SHBA, sulmojnë Kosovën se po kërkon nga kryetarët marrjen e pozitave dhe shkuarjen në zyrat e tyre për t’i kryer detyrat. Pastaj pamë sulmin brutal nga trupa të armatosura të mbështetura nga Beogradi në drejtim të KFOR-it, me 26 ushtarë të lënduar rëndë e të hospitalizuar. Cila ishte përgjigja? Kritika në drejtim të Kosovës”, ka shtuar Kearns. Ajo tutje është shprehur e habitur se si ka guxuar të ndodhë kjo situatë, në kohën kur sipas saj “të gjithë e dimë se ajo u krijua nga milicia serbe e mbështetur nga Beogradi dhe nga Serbia kur tha ‘mos merrni pjesë në zgjedhje’”.
“Për më keq, të gjithë pamë policinë serbe kundër terrorizmit që hyri në territorin kosovar dhe kidnapoi tre zyrtarë policorë të Kosovës dhe u dërguan në Serbi. Kjo nuk ishte e lejuar, kjo shkel të gjitha ligjet ndërkombëtare dhe shkel marrëveshjen specifike mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe cila ishte përgjigja? Më në fund pamë pak balancim. Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë në normalizim dhe qetësim të marrëdhënieve dhe shtensionim të situatës”, ka nënvizuar më tej deputetja britanike.
Ajo tutje këmbënguli se faji i tërë kësaj situate ishte i Serbisë. “A mos pati adresim të faktit se kjo ishte një mbajtje e jashtëligjshme? Jo nuk kishte. Kur Kosova u bëri thirrje kryetarëve të vet që t’i marrin pozitat në zyrat e tyre komunale, kishte një përgjigje të ashpër nga SHBA. Qeveria e SHBA-së tha “Ok, Kosovë, nuk lejohesh të marrësh pjesë në ushtrime ndërkombëtare, që veçse ishte e aranzhuar, ne nuk do të ju ndihmojmë më rreth njohjeve te reja, dhe paçi fat, sepse s’jeni më të mirëseardhur në Uashington DC. Kur Serbia kidnapoi tre policët kosovarë, nuk pati dënime për Serbinë. Në fakt Serbia mori pjesë në një ushtrim ushtarak, me SHBA-në, një javë më pas, në kohën kur policët kosovarë mbaheshin ilegalisht në Serbi”, ka shtuar Kearns.
Çfarë mesazhi është ky për një aleat demokratik si Kosova, e cila ka qëndruar përkrah nesh në çështjen ne Ukrainës dhe ka bërë gjithçka çka kemi kërkuar nga ajo?, ka pyetur tutje Kearns.
“Është dënuar Kosova por asnjë dënim për Serbinë. Kur Serbia përfundimisht liroi policët kosovarë, kujt i treguan fillimisht? Shkuan te Viktor Orbani në Hungari dhe ia lejuan atij që ta japë lajmin. Ky është një dështim diplomatik”, ka thënë deputetja britanike.