9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Dështon fillimi i rigjykimit ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit

Për të dytën herë radhazi ka dështuar të fillojë rigjykimi në rastin e dy zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, tani të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Bedri Bytyqi e Bashkim Krasniqi, si dhe ndaj dy të tjerëve, Faton Hoxha dhe Ilaz Susuri, të cilët akuzohen për uzurpim të pronës komunale.

Sikurse seanca e 9 tetorit të këtij viti, edhe ky shqyrtim gjyqësor, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit, Ilaz Susuri.

Ndaj këtij të fundit, në seancën e kaluar gjyqësore, ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me forcë, mirëpo sipas kryetarit të trupit gjykues Artan Sejrani, Stacioni Policor në Zhur, nuk ka arritur të ekzekutojë këtë urdhër dhe të sigurojë të akuzuarin, pasi që siç u tha, i njëjti është në gjendje të rëndë shëndetësore, konkretisht i paralizuar.

Rigjykimi ishte paraparë të fillojë të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, mirëpo në mungesë të kushteve ligjore, kjo seancë është shtyrë për 27 nëntor 2017, në ora 10:00 .

Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, akuzohet se në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I pandehuri tjetër Bedri Bytyqi akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa, i pandehuri Ilaz Susuri, akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Po ashtu, i pandehuri Faton Hoxha, akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë.

Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim në këtë rast, me të cilin e ka dënuar të akuzuarin Faton Hoxha me gjashtë muaj burgim efektiv, ndërsa të akuzuarit tjerë i ka liruar nga akuza.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 gusht 2017, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë, andaj çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Apeli ka arsyetuar se aktgjykimi është kundërthënës në disa pjesë të tij, duke thënë se nuk mund të kuptohet se si mund të dënohej Faton Hoxha, i cili e ka blerë pronën prej Ilaz Susurit, ndërsa nuk është gjetur fajtor vetë i akuzuari Susuri.

Po ashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk është dashur të marrë për bazë vendime administrative të institucioneve shtetërore dhe komunale, për të liruar të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Krasniqi dhe Bytyqi./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Lajmet e Fundit