15.8 C
Prizren
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Dialogu Kosovë-Serbi në filmin “The Agreement”

prizreni5Mospajtimet më shumë sesa pajtimet, kanë qenë pjesë përbërëse të filmit dokumentar “The Agreement” (Marrëveshja) e realizuar nga regjisorja daneze Karen Stokkendal Poulsen, kushtuar dialogut ndërmjet dy shteteve ballkanike, Kosovës dhe Serbisë me protagonistët kryesorë të këtyre bisedime, zv. kryeministres së Kosovës, Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviçit. Ky film dokumentar, u shfaq të enjten mbrëma përpara publikut vendas si premierë në Kinemanë “DokuKino”, në Prizren që u hap ditë më parë për shikuesit e filmave në këtë qytet i cilësuar si historik.Stresi, lodhja dhe brengosja e protagonistëve të këtij dokumentari shiheshin përmes këndit të disa kamerave që ishin prezent në njërin nga raundet e bisedimeve ndërmjet zv. kryeministres së Kosovës, Edita Tahiri dhe përfaqësuesit serb Borko Stefanoviqit, të cilët negocionin disa kompromise “të dhimbshme” për shtetet e tyre nëpërmjet ndërmjetësuesit të BE-së Robert Cooper, të cilit në disa momente nuk i zihej vendi-vend, pasi që kishte përgjegjësi ta luante rolin e neutralitetit përballë këtyre bisedimeve që nga opozita e këtyre dy vendeve trajtoheshin në mënyrë kritike si të dështuara totalisht.

Sido që të jetë, siç transmeton kultplus, provokimeve të një pas njëshme nga ana e Stefanovqit, nuk e zbrapnin zonjën Tahiri nga kërkesat e shtetit të saj, në procesin e dialogut, siç thoshte ajo “teknik”, ani pse homologu i saj serb vazhdimisht paraqiste kërkesat e shtetit të tij, që këto bisedime të mos quheshin marrëveshje ndërqeveritare. Shikimi injorues i zonjës Tahiri drejtuar Stefanoviqit, ka bërë që për pak minuta të shkrihen në gaz të pranishmit që kishin marrë rrugë nga vendet e ndryshme të Kosovës, për ta shikuar këtë premierë të këtij dokumentari.

Filmi dokumentar “The Agreement”, i realizuar nga kompania daneze e filmit “Bullitt Film”, përmes disa sekuencave filmike ka paraqitur edhe disa detaje të këtyre tre “aktorëve” të këtij dialogu, sesi ata e zhvillojnë jetën e tyre kur kanë kohë të lirë. Edita Tahiri paraqitej duke lexuar libra, Borko Stefanoviqi duke performuar në kitarë elektronike së bashku me një grup të rokut, ndërkohë Robert Cooper, ngiste biçikletën në rrugët e Brukselit. Po ashtu, në këtë dokumentar, trajtoheshin kontekstet historike të çështjes së Republikës së Kosovës si dhe përshkruante shkurt disa pjesë të biografive të kryenegociatorëve të të tria palëve, Kosovë, BE-së dhe Serbi.

Edita Tahiri, aktualisht zv. kryeministre e Kosovës, ka deklaruar para shikuesve se gjatë realizimit të filmit dokumentar “The Agreement”, ka pasur momente kur nuk i ka vë re kamerat e “Bullitt Film”, pasi që të dyja palët kanë qenë tejet të koncentruar në këtë dialog për avancimin e marrëveshjes drejt zhvillimit të shteteve të tyre.

“Këto inserte në këtë film dokumentar janë vetëm nga një raund i bisedimeve, kurse ne kemi pasur njëmbëdhjetë raunde për t’u ballafaquar pala e Kosovës me atë serbe, me javë dhe muaj të tërë. Në disa momente as që e vërenim që kishte kamera në sallën e bisedimeve, sepse fokusi ishte se çka do të arrijmë përmes këtyre marrëveshjeve. Por, natyrisht që ka pasur edhe momente të vështira, pasi që nuk ka qenë e lehtë të mbrojmë interesat nacionale të vendit në ato çaste kur xhiroheshim me kamerë”, ka thënë negocatorja Tahiri.

Ndërkohë, gazetarja Jeta Xharra, e pranishme në këtë premierë, duke buzëqeshur e ka pyetur zonjën Tahiri, se nëse na ka marrë fytyrën, e më pas duke e lavdëruar për qëndrimin e saj dinjitoz, siç tha ajo, përballë kundërshtarit në arenën e këtyre bisedime të mbajtura në Bruksel.

“Faleminderit, jo që s’na ke marrë fytyrën, po ke arritur ta mbash atë gjakftohtësi në ballafaqim të këtij dialogu me palën serbe. Më ka pëlqyer shumë ky qëndrim i yti përballë kundërshtarit. Kështu që keni pasur paraqitje më të mirë se ai (Stefanoviçi), duke na zbardhur fytyrën”, ka thënë Xharra.

Përndryshe, filmi dokumentar “The Agreement”, para se të shfaqej sonte në Prizren, mbrëmë është dhënë premierë edhe në Tiranë dhe në Kopenhagë më 8 nëntor 2013, në kuadër të Festivalit të filmit Dokumentar CHP-DOX. Dokumentari pritet të shfaqet edhe në disa shtete tjera të Evropës.

Më Shumë

Goleadë e kampionit në Suharekë, merr tri pikë

Kampioni i Kosovës, FC Ballkani tregoi sërish potencë, dinamikë e spektakël, duke shkëlqyer në stadiumin tonë të qytetit. Adetunji dhe Giovanni me nga dy realizime,...

Përmes këngës së re, Bardhi zbulon emrin e vajzës, Sara tregon kuptimin

Ditën e sotme, Bardhi publikoi projektin e ri, “Çikës tem”, aty ku tregoi vuajtjet që ka hasur gjatë rrugëtimit në karrierë si dhe zbuloi...

Lajmet e Fundit