10.5 C
Prizren
E enjte, 9 Janar, 2025

“Dokufest”-i gjallëron Prizrenin

dokufest ne prizren1Fillimi i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të metrazhit të shkurtër “Dokufest 2014”, që nisi mbrëmjen e së shtunës ka shtuar edhe më tepër ritmin e gjallërisë në qendrën jugore të Kosovës, të dytën për nga madhësia pas Prishtinës.

Prizreni jo që nuk ka shkëputur gjallërinë e nisur nga zgjedhjet qendrore të qershorit, që vazhdoi më pas me muajin e shenjtë mysliman të Ramazanit, që u pasua nga kthimi për pushime i bashkatdhetarëve, por tashmë ka rritur trendin e lëvizjeve nëpër qytet, jo vetëm gjatë tërë ditës, por deri në orët e vona të natës, kur drita dëbon terrin.

Zona e parë e qytetit, në të cilën është përqendruar zhvillimi i festivalit përfshirë edhe Kinon e improvizuar me dërrasa rrëzë mureve të Kalasë, mbi Prizren, prej ku mund ta shijosh qytetin si në pëllëmbë të dorës, tashmë kanë shumë vizitorë, jo vetëm të jashtëm, por dhe ata nga vendi e Shqipëria. Këta janë njerëzit e artit, dashamirë të filmit, e pse jo edhe të vetë qytetit që shquhet për një histori, traditë, kulturë dhe tolerancë ndëretnike dhe ndërfetare.

Bashkërisht jetojnë shqiptarët dhe komunitetet pakicë turke, boshnjake dhe RAE, ndërsa në një hark prej 100 metrash, mu në qendër ndodhen tri objektete, që përfaqësojnë besimin mysliman, katolik dhe atij ortodoks.

Nita Deda, zëdhënëse e Festivalit, tha për “Zërin” se janë mbi 200 mysafirë, regjisorë, artistë, njerëz nga vende të ndryshme të botës, që do të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje.

Pranë tendës së hapur në “shatërvan” gjatë pasdites kanë qëndruar shumë të interesuar për të blerë bluza me mbishkrimet “Dokufest”.

Vajza vullnetare, Adriana Spahiu, teksa shpaloste disa sosh për t’ua treguar të interesuarve, tha se ka shitur disa sosh dhe se ka mjaft interesim, aq sa ajo nuk ka pritur në këtë masë. “Më së shumti shiten bluzat ngjyrë të bardha dhe ato të zeza”, tha ajo.

Në tenden “Doku-shpo” punon edhe vullnetarja tjetër, Bardha Shaballari, që duhet t’i ndihmojë shoqes së saj, kur para tavolinës qëndrojnë shumë njerëz. Pak metra më tutje qëndron Fjolla Hasani, e cila me një tablet ka për detyrë të intervistojë ata që blejnë gjësende nga “Dokufesti”.

“Shumica e mysafirëve thanë se kanë qenë në Prizren dhe se u pëlqen. Ata thonë se do të vijnë edhe në të ardhmen për ta përcjellë festivalin dhe për ta parë qytetin”, thotë ajo.

dokufest pz

Adhuruesit e filmit së bashku me programet speciale do të kenë mundësi të përcjellin gjithsej 237 filma dokumentar dhe të shkurtër nga 56 vende të ndryshme të botës. Ato do të garojnë në gjashtë programe garuese dhe një numër të programeve speciale. Sa i përket programit kombëtar në festival janë 25 filma shqiptar.

Përveç shfaqjeve të filmave, do të zhvillohen edhe ngjarje të tjera të ndryshme si punëtori, ekspozita fotografike, kampe dhe koncerte.

Po ashtu, në kuadër të “Dokukids”-it, do të shfaqen edhe filma për fëmijë. E veçanta e këtij edicioni është projekti “Doku-tours”, në të cilin për shtatë ditë të interesuarit kundrejt një pagese mund të vizitojnë monumentet dhe qendrat kryesore historike e turistike të Kosovës

Më Shumë

Prokuroria në Prizren ndalon dy persona për 48 orë dhe kërkon masën e paraburgimit

Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar në dy raste të ndara, me...

Dita e Mesharit – 5 janar 1555

Më 5 janar 1555, prifti katolik shqiptar Dom Gjon Bdek Buzuku e përfundoi së shkruari ‘Mesharin’ e tij, që deri më sot njihet si...

Lajmet e Fundit