5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Duda Balje e paralajmëron largimin nga koalicioni, nëse Albin Kurti nuk ia plotëson kërkesat

Deputetja e koalicionit qeverisës, që vjen nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka paralajmëruar se në të ardhmen mund të largohet nga marrëveshja me partinë e kryeministrit Kurti, nëse ky i fundit nuk ia plotëson kërkesat që ndërlidhen me komunitetin boshnjak.

Balje, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka deklaruar se është duke provuar në vazhdimësi të bashkëpunojë me kryministrin Kurti, por se ky i fundit nuk ka dijeni për problemet e boshnjakëve në Kosovë.

Ajo deklaroi se nëse nuk respektohet në këtë koalicion, atëherë do të diskutojë sërish me partinë për të vendosur rreth të ardhmes.

“Nëse unë e shoh se nuk kam respektim për problemet që po dalin para kryeministrit dhe Qeverisë, me problemet e boshnjakëve, normalisht që është pikëpyetje. Në këtë fazë kam vullnet e energji për bashkëpunim. Po provoj dhe jam haptas. Kryeministër, i kam thënë, të lutem bashkëpuno me ne, hajde me i pa problemet. Nuk po flas vetëm me ju, kam folur edhe me kryeministrin”, ka thënë Balje për Nacionalen.

“Normal, nuk kam fuqi me bo presion. Unë mundem me folë me Qeverinë në një mënyrë shoqërore si deputete, por nuk mundem me bo presion: hajde tash, duhesh me bashkëpunu. Nëse mendojnë se është mirë, se shteti multietnik nuk ndërtohet me vendime që ti mendon se është mirë, duhet me dëgju çka mendojmë edhe ne. Ne e dimë më mirë se çka është më mirë për boshnjakët”, deklaroi më tutje ajo.

E pyetur se në cilën parti mund ta vazhdojë karrierën, Balje ka thënë se nuk ka menduar ende, por, sipas saj, ka opsione B, C, D.

“Tash në këtë moment nuk kam menduar, por ka opsione B edhe C, është normale. LDK-ja është partia më e vjetër në Kosovë dhe ne si komunitet kemi kaluar shumë mirë me LDK-në, kemi pasur kur ata kanë udhëhequr, kemi pasur shumë sukses në sferën e bashkëpunimit dhe me gjetë zgjidhje për boshnjakët”, theksoi deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak.

Balje tha se pakënaqësia e Kurtit mund të ketë nisur edhe nga fakti që në zgjedhjet lokale në Prizren, ajo e kishte mbështetur kandidatin e PDK-së për kryetar, Shaqir Totaj.

“Ndoshta nuk ka besim, edhe kjo mund të jetë njëra nga arsyet. Jemi ku jemi, secili prej neve ka qenë me një parti. Ne jemi komunitet, për neve është keq me qenë në opozitë. Ne duhet me qenë me dikënd të fuqishëm me të cilin mundemi me plotësu kërkesa”, tha ajo.

“Unë jam deputete qe katër mandate. Edhe kur PDK-ja ka pasur kryeministër, LDK-ja, edhe në kohën e Haradinajt. Kam pasur mundësi me bashkëpunu, sepse kam qenë deputete. Z. Haradinaj nuk kemi pas nevojë as me caktu takim, qaq ka qenë i hapur”, deklaroi më tutje Duda Balje.

Por a do ta përkrahte Duda Balje mocionin për rrëzimin e Qeverisë? Ajo thotë se për momentin nuk është koha, por që për të ardhmen nuk i dihet.

“Nuk e besoj që do të vijë shpejt, sepse në këtë moment kemi punë më shumë serioze me Këshillin Evropian, vizat, po presim pozitivitet që po shohim tash që janë afër neve. Nuk e besoj që është koha, kur vjen koha, normal. Do të shkoj me folë me kryeministrin, nuk bëj thika në shpinë, dua të jem e hapur, por nëse e shoh se nuk mundem…Ne tash kemi vendosur për me dalë para kryeministrit me tri prioritete që kanë boshnjakët. Unë do t’i publikoj këto, bisedoj me kryeministrin, ua dërgoj ambasadave. Nëse unë shoh se kryeministri nuk ka dëshirë për me i plotësu kërkesat, hajde nuk mundesh krejt menjëherë, bile me fillu procesin e zgjidhjeve, unë jam për me punu. Nëse jo, vërtet bisedoj me partinë teme dhe gjejmë përgjigje”, përfundoi Balje.

Balje këmbëngul kundër Kodit Civil

Deputetja Balje, në këtë intervistë për gazetën Nacionale, ka folur edhe për Kodin Civil dhe nenin e famshëm për bashkëjetesat mes personave të gjinisë së njëjtë. Ajo ka thënë se ka gjasa që pushteti i ka siguruar votat, bazuar edhe në përkrahjen e partive në opozitë.

Ajo ka këmbëngulur se nuk do ta votojë këtë kod, edhe nëse kjo i kushton me postin e deputetes.

“Jeta private është private, nuk du dikush me përzi me jetën teme që kam, e as unë nuk e përziej, por të drejtat tash na i japim, praktikisht legalizojmë diçka që është zinxhir, masandej del e drejta e dytë, e tretë. E drejta për adoptim e ndryshimin e gjinisë. Ne kemi problem, duhet me ndërtu sistemin që nuk jemi gati aspak. Edhe Italia ka kryeministre që është kundër martesave të gjinisë së njëjtë”, tha Balje.

“Kam kuptuar se duhet me bo këtë, sepse Evropa po do me bo këtë, po do Evropa me pa sa jemi shtet demokratik. Rruga është e gjatë, nëse dojmë me i mbrojt të drejtat e njeriut, duhet me filluar diku tjetër, komuniteti LGBT kurrë nuk ka pasur problem me jetu në Kosovë, nuk mundesh me ndalu dikënd me jetu. Ajo është jeta private, nuk kanë pasur problem. Reagimi është për legalizim, sepse ne në Kosovë nuk kemi as tradita e as kulturë”, tha ajo.

“Unë nuk heqi dorë, pa marrë parasysh çka ndodh. Jam pjesë e koalicionit, jo e VV-së, unë e di se kryeministri, edhe zonja Mimoza si shefe e grupit, ata janë duke e bërë, kanë mendim në bazë të të cilit ne duhet me votu, por pa marrë parasysh, unë nuk e votoj Kodin Civil, sepse kam qëndrim të qartë. Duket që do të vijë shpejt, me aq sa kam dëgjuar, kanë avancu edhe me të drejta shtesë për komunitetin LGBT, por unë sërish jam kundër”, theksoi ajo.

Balje foli edhe për takimin me ambasadorin britanik, Nicholas Abott.

“Ambasadori në mënyra senstitive ka provuar me jep shenjë që për neve si shtet i vogël, që jemi në rrugë evropiane, duhet me menduar çka është më mirë. Nuk ka qenë kusht, në mënyrë diplomatike ka provuar me jap një përshtypje se është mirë për shtetin me votuar Kodin Civil”, përfundoi Duda Balje.

Më Shumë

Totaj inspekton ndërtimin e obeliskut të UÇK-së

Në vazhdën e punimeve, në projektin “Ndërtimi i infrastrukturës (rrugëve dhe ambientit), turizmit kulturor në Leskovec”, sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku...

Ylli fiton duelin e parë gjysmëfinal në ‘Karagaçi’

Golden Eagle Ylli ka fituar duelin e parë gjysmëfinal, duke mundur Pejën si mysafir me rezultat 84:87 (22:23, 19:19, 30:15, 13:30). Kampionët kishin epërsi deri...

Lajmet e Fundit