14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Ec Ma Ndryshe: Rajoni i burimit të Lumëbardhit rrezikohet nga Komuna e Prizrenit

Prizren ura e guritNë kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe, gjatë muajve maj-qershor ka hulumtuar çështjen e punimeve infrastrukturore të ndërmarra nga komuna e Prizrenit në zonën e parë të rajonit të burimit të Lumëbardhit, që është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri”.
Lexojeni të plotë reagimin e Ec Ma Ndryshe:

Në kuadër të projektit të monitorimit të transparencës së ekzekutivit komunal të Prizrenit, EC Ma Ndryshe, gjatë muajve maj-qershor ka hulumtuar çështjen e punimeve infrastrukturore të ndërmarra nga komuna e Prizrenit në zonën e parë të rajonit të burimit të Lumëbardhit, që është pjesë e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Në bazë të informatave që monitoruesit kanë siguruar nga njohësit e kësaj fushe del se Komuna e Prizrenit i ka nisur punimet në mënyrë të jashtëligjshme në zonën e Parkut Kombëtar “Sharri”, sepse pa u pajisur me lejet e pëlqimet paraprake të institucioneve kompetente ka filluar projektin për marrjen e ujit nga rajoni i burimit të Lumëbardhit, në zonën e Prevallës të PK Sharri.

Konkretisht, sipas ekspertëve, kryerja e punimeve ka nisur të bëhet pa pëlqim mjedisor, pa leje ujore nga MMPH-ja dhe pa Vlerësim të Ndikimit në Mjedis.

Ata kanë vlerësuar se në këtë rast Komuna e Prizrenit ka bërë shkelje të ligjeve që kanë të bëjnë me Parkun Kombëtar Sharri, atë të Natyrës, Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, etj.

Në saje të vrojtimeve të ambientalistëve rezulton se punimet për marrjen e burimit të ujit në zonën e parë të mbrojtjes – Rajoni i burimeve kryesore të Lumëbardhit – në territorin e Parkut Kombëtar Sharri me destinim për fshatin Gornje Sello kanë nisur në fundjavën e 17-18 maj 2014.

EC Ma Ndryshe më 28 maj 2014 ka bërë kërkesë për qasje në dokumentet publike të komunës së Prizrenit lidhur me punimet në ndërtimin e ujësjellësit për fshatin Gornje Sello.

Në përgjigjen e marrë më 18 qershor 2014 nga Drejtoria e Shërbimeve Publike thuhet se ky dikaster me 28 maj 2014 ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri për pajisje me pëlqim të resurseve ujore, në lokacionin e quajtur Llaka.

DSHP në këtë përgjigje ka sqaruar se ndërtimi i ujësjellësit është pjesë e një projekti që ka të bëj me ndërtimin e rrugëve për fshatrat Mushnikovë, Reçanë dhe Gornje Sello. “Prandaj si përfundim mund të themi se lënda është në procedim e sipër”, thuhet në përgjigjen e DSHP-së.

EC Ma Ndryshe ka kërkuar sqarime edhe nga MMPH-ja dhe përkundër pritjes një mujore ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga zyrtarët e kësaj ministrie, të cilët kanë shkelur dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Duke i marrë parasysh të gjitha informatat aktuale, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që:

– Të ndalë të gjitha punimet derisa të pajiset me pëlqimet dhe lejet e nevojshme;
– Të ndalojë praktikën e fillimit të punimeve pa u pajisur me leje, pëlqime dhe vlerësime përkatëse të institucioneve përgjegjëse;
– Gjatë hartimit të projekteve investuese të koordinohet me të gjitha institucionet relevante të fushës ku intervenohet, në mënyrë që investimet publike të sjellin vlerë të shtuar dhe jo dëmtim apo rrezikim të burimeve dhe trashëgimisë natyrore;
– Lidhur me çështjet infrastrukturore dhe mjedisore të ketë transparencë më të madhe.

Gjithashtu, EC Ma Ndryshe rekomandon MMPH-në që të jetë më energjike në inspektimin e investimeve publike në Parkun Kombëtar “Sharri”, me qëllim të parandalimit të shkeljeve ligjore dhe dëmtimit të natyrës.

Projekti i EC Ma Ndryshe për monitorimin e transparencës së ekzekutivit do të vazhdojë të publikojë të gjeturat e monitorimit përmes komunikatave të rregullta dhe përmes ueb-faqes së projektit, ku të gjeturat postohen drejtpërdrejtë nga monitoruesit. Tanimë të gjitha të gjeturat e monitorimit, përfshi komunikatat e rregullta dhe shumë informacione të tjera në lidhje me qeverinë lokale të Prizrenit, të Mamushës dhe të Prishtinës publikohen në baza të rregullta në ueb-faqen e projektit, www.online-transparency.org.

Më Shumë

Me fishekzjarre nga Kalaja lajmërohet ardhja e iftarit në Prizren (FOTO)

Në qytetin e Prizrenit po vazhdon të mbahet gjallë tradita e hedhjes së “topit të iftarit” që paralajmëron hyrjen e kohës kur agjëruesit mund...

Hovenier për masakrën e Krushës: NATO reagoi për të ndaluar gjakderdhjen

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se inaugurimi i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, i dokumenton këtë ngjarje...

Dhimbja

Lajmet e Fundit