4.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Kurti: Koalicioni, jo se e duam njëri-tjetrin, por sepse i duhet Kosovës

AlbinKurti1205Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se presidentja e vendit, me letrën që i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese, aq shumë pyetje kishte bërë, sa që sipas tij, kishte munguar vetëm pyetja, se kush është vetë presidentja në të vërtetë. Ai ka lënë të kuptohet se kusht për të hyrë në Qeverinë e ardhshme, do të jetë edhe Lista Serbe, për të cilën thotë se nuk duan ta shohin as në Kuvend, e lere më në qeveri.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, thotë se koalicioni i LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes është i natyrshëm, pavarësisht se kritikat e tij kanë qenë jo të vogla si për LDK-në ashtu edhe për AAK-në.

“Mund të them se ne parim e në përgjithësi për çështjet ekonomike të Kosovës, përkatësisht konstatimet tona dhe kontestimet tona të privatizimit të këtij që është bërë në Kosovë jemi në një vijë dhe në këtë aspekt jemi dakord që të ketë një ligj të veçantë për Trepçën, jemi dakord që disa prej privatizimeve të rishikohen dhe jemi dakord që mos të vazhdohet me privatizime të tilla”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, sa i përket pjesës politike, ai ka shtuar se ka përafrime.

“Mirëpo meqenëse jemi në ecje e sipër në bisedime unë nuk kisha dashur të paragjykoj asgjë, edhe pse mund të jetë që nuk e shohim në mënyrë identike diferencën midis nesh. Ajo që mund të them tash për tash është se jemi shumë afër në qëndrime e qëllime, por dallojmë ca më shumë sa i përket shprehjeve dhe formulimeve të atyre qëndrimeve e atyre qëllimeve”, tha Kurti.

Kurti tha se nuk dëshiron ta paragjykojë rezultatin e takimit të së hënës, duke konfirmuar se kanë saktësuar katër elemente kryesore.

“I pari është një hetim parlamentar për dialogun e deritanishëm, meqenëse aty jo vetëm që nuk pati parime por as transparencë. Elementi i dytë shumë i rëndësishëm është që të dërgohet marrëveshja e vitit të kaluar, si rezultat i dialogut teknik e politik në Komision e Venedikut, në mënyrë që shikohet kushtetutshmëria dhe përputhja me standardet evropiane dhe të drejtat e njeriut. Komisioni i Venedikut është ai që vlerësimin dhe inkurajimin ndërmjet ligjit”, ka potencuar Kurti.

Ai ka shtuar se takimi është bazuar edhe në dy elemente tjera.

“Elementi i tretë është dialogu me serbët e Kosovës, jo brenda kornizës brenda pajtimit dhe për hatër të pajtimit, por brenda kornizës së zhvillimit dhe për hir të zhvillimit. Dhe e fundit por jo me pak i rëndësishëm, dialogu deri më tani është zhvilluar në Bruksel brenda sektorit të komisionit evropian për politikë të jashtme dhe siguri. Ne duhet të zhvendosemi tek departamenti për zgjerim”, tha Kurti.

Edhe pse Vetëvendosje gjatë gjithë kohës ka akuzuar LDK-në për korrupsion në komunën e Prishtinës, madje ka dërguar dhjetëra lëndë në prokurori, derisa AAK-në, Kurti e pati quajtur edhe parti të haraçit, është duke biseduar pikërisht me këto parti që të hyjë në qeveri, edhe pse thotë se krejt ato që i kanë thënë për to qëndrojnë ende, pasi nuk janë duke bërë negociata pse e duan njëri-tjetrin por për të mirën e Kosovës.

“Ne nuk jemi në këto bisedime për shkak se e duam njëri tjetrin, ne jemi në këto bisedime sepse bisedimet janë të nevojshme për Kosovën. Pra, nuk jemi këtu që të bëjmë diçka tjetër përveç se ta shpëtojmë shtetin nga pushteti. Natyrisht se ne kemi bërë shumë kritika dhe akuza dhe ato qëndrojnë por edhe këto partitë tjera kanë thënë gjëra të rënda për neve, por unë këtu them që ekziston një parti që e ka kapur shtetin dhe kjo parti nuk është as LDK-ja, as AAK-ja as Nisma, por është PDK-ja”, theksoi Kurti.

Pavarësisht kësaj, Kurti thotë se nuk i kanë zbritur kushtet e tyre për të hyrë në Qeveri, apo edhe për ta mbështetur nga jashtë, pasi nëse i plotësojnë kriteret e tyre ata do ta mbështesin atë qeveri.

“Në momentin që Kosova si shtet nuk do të vazhdojë gjurmëve të Thaçit sa i përket privatizimit neo-liberal dhe dialogut me Serbinë, por do ta ridimensionojë subjektivitetin e vet karshi Serbisë dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, atëherë mund të themi se bëhet fjalë për një kurs të ri shtetëror dhe VV është e gatshme që ta mbështesë një qeveri me mandat të kufizuar për shpëtimin e shtetit “. tha Kurti.

Ai e quan këtë koalicion si të natyrshëm dhe jo për inate ndaj PDK-së, por ta shpëtuar shtetin që është kapur nga kjo parti.
“Nuk mendoj që këtu bëhet fjalë për kurrfarë inatesh. Në fakt këtë fjalën inate e dëgjoni me së shumti nga goja e njerëzve të PDK-së, asnjëherë nga VV apo nga koalicioni LDK-AAK-Nisma. Ne jemi këtu për hir të Kosovës dhe shumica dërmuese e qytetarëve nuk kanë votuar për PDK-në. Shumica dërrmuese e këtyre qytetarëve që nuk kanë votuar për PDK-në janë kundër PDK-së”, thotë Kurti.

Kurti shton se ende nuk kanë biseduar për postet eventuale që do t’u takonin, derisa nuk ka dashur të komentojë nëse do të jetë ministër i Ramush Haradinajt ose jo.

“Faza e tretë e bisedimeve nuk është hapur as në takimin e djeshëm as në takimin e 19 qershorit e as në takimet që kemi pasur bilaterale me krerët e LDK-së AAK-së dhe Nismës. Çështja e posteve e pozicioneve nuk është fare në fokusin tonë”, tha ai.

Ai ka lënë të kuptohet se kusht për të hyrë në Qeverinë e ardhshme me kryeministër Haradinajn, do të jetë edhe Lista Serbe, për të cilën Kurti thotë se nuk duan ta shohin as në Kuvend, e lere më në qeveri, pasi sipas tij, Lista Serbe vazhdon të mbetet sinonim i Serbisë brenda Kosovës dhe si e tillë ajo nuk paraqet diçka të tolerueshme dhe të pranueshme për ta. Sipas tij, ata janë aty peshqesh nga kryeministri në ikje.

“Natyrisht që ne nuk i duam ata në qeverisje, sepse nuk i duam së pari as në Kuvend, por po them ata janë peshqesh i kryeministrit në ikje, dhe ne do ta themi këtë qe po e them këtu edhe kur të vijë puna të faza e tretë e bisedimeve të cilën se kemi filluar ende”, theksoi Kurti.

Kurti ka komentuar edhe letrën që presidentja i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nenet 95 dhe 84, se kujt i takon mandatari për formimin e Qeverisë, ku Gjykata dha dje vendimin.

Sipas tij, presidentja në këtë rast u tregua si një gazetare që ia dërgon pyetjet për intervistë kryetarit të Gjykatës kushtetuese, ku nuk kishte lënë asgjë pa e pyetur, ku mungonte vetëm një, që ta pyeste se kush është ajo në të vërtetë.

“Presidentja e kishte bërë një pyetësor të gjatë aty, aq të gjatë thuajse është një gazetare e cila po ia dërgon paraprakisht pyetjet e intervistës kreut të Gjykatës Kushtetuese. Nëse dikush e lexon ato pyetje nuk mund ta besoj se ato janë të një presidenteje të një shteti. Në anën tjetër aq shumë dilema kishte ngritur presidentja sa që mungonte vetëm një pyetje e fundit, a thua vallë kush jam unë”, tha Kurti. /KP/

Më Shumë

“Mat Moto” sjell motoçikleta elektrike

“Mat Moto” nga Mitrovica sjell motoçikleta elektrike! Koha e mbajtjes së baterisë: Nga 27 deri në 50 km. Për 3 veta. Kapaciteti i ngarkesës:...

Vedat Muriqi luan sot kundër liderit të La Ligë

Real Madridi do të luajë në udhëtim te Mallorca e Vedat Muriqit dhe do ta kërkojë vazhdimësinë e rezultateve pozitive në garën për titull...

Lajmet e Fundit