10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Fier, 22-vjeçari zhduket 11 vjet pas të atit

eri-pelivani-262x320Familjet e dy të rinjve në Fier, të cilët prej disa ditësh rezultonin të zhdukur, por njëri prej tyre u gjet i mbytur në Igumenicë, kanë bërë apel që shteti t’i ndihmojë për të kthyer trupin e pajetë nga Greqia dhe për gjetjen e shokut të tij. Kristjan Çullhaj, i cili u gjet i mbytur, u nis përpara disa ditësh drejt Greqisë, bashkë me tre shokë të tij, të cilët gjithashtu nuk kanë komunikuar me familjet e tyre. Një prej tyre është familja Pelivani në Fier, e cila denoncoi dy ditë më parë zhdukjen prej 10 ditësh të djalit të tyre 22-vjeçar. Eri Pelivani, i cili ishte nisur ilegalisht drejt Greqisë me Kristjan Çullhaj dhe dy djem nga Durrësi. Policia greke ka bërë të ditur se në Igumenicë është gjetur vetëm një person i mbytur, për të cilin nuk ka dijeni nëse ishte i shoqëruar apo jo.

Familja Çullhaj

Nisur nga ky konfirmim, familja Çullhaj ka hapur dyert e mortit në fshatin Pojan të Fierit. Është vetë babai i Kristjanit, Kristaqi ai që del dhe pret të afërmit e miqtë që vijnë t’i ngushëllojnë e t’u qëndrojnë pranë në këto momente të vështira për ta. Aty ndodhet edhe xhaxhai i Kristjanit (Besmirit), Sokrat Çullhaj, i cili ka qenë vetë dy ditë në Igumenicë dhe në Janinë për të konfirmuar nëse trupi i pajetë i përkiste të nipit që ishte larguar para 10 ditësh pa lënë asnjë gjurmë. Ndërkohë, janë nisur prej Italisë dhe pritet të mbërrijnë sot në Fier për t’i dhënë lamtumirën e fundit motra dhe vëllai. Por duket se në këtë dhimbje të madhe të familjes Çullhaj do të mungojë nëna e Kristjanit, e cila është divorcuar rreth 10 vite më parë nga Kristaqi dhe prej asaj kohe jeton në Itali. Babai i të ndjerit ka pohuar se nuk dinin që djali ishte larguar për në Greqi dhe ka shtuar se e kanë marrë lajmin e hidhur tri ditë më parë, kur janë lajmëruar nga policia e Fierit. “Nuk e dinim që ai kishte ikur në Greqi. Unë mendoja se kishte shkuar të punonte në plazhin e Semanit se aty kishte punuar disa ditë para se të largohej për ndërtimin e një barake. Atij i pëlqente të punonte në ndërtim se ishte mësuar të punonte me mua. Ku ta dinim ne se ku kishte shkuar dhe si kishin përfunduar gjërat. Dinim vetëm që kishte dhjetë ditë që nuk kishim asnjë lajm prej djalit. As nuk na kishte telefonuar”, ka pohuar Kristaqi me lot në sy. Më tej, ai ka shtuar se i biri kishte shkuar edhe herë të tjera jashtë shtetit e kishte qëndruar në Itali ku kishte marrë ekspuls, pasi kishte kaluar afatin tremujor të qëndrimit. “Besmiri ka qenë edhe herë tjetër në Itali, ka qëndruar në Milano. Aty mori ekspuls, pasi kaloi afatin. Kurse një vit më parë e kapën në Greqi, në Igumenicë, teksa po tentonte të ikte në Itali me traget. Edhe këtë herë ka ikur klandestin për në Greqi, por e kapën. Me sa duket është përpjekur prapë të ikë, por këtë herë i mori jetën dhe neve na hapi një plagë të madhe”, ka shtuar Kristaqi. Ndërkohë, xhaxhai i 26-vjeçarit që u gjet i mbytur në ujërat e detit Jon, ka treguar për gazetën se ka shkuar dy herë për ta tërhequr trupin e nipit, por nuk ka mundur dot për shkak se nuk ka qenë i pranishëm mjeku ligjor i Spitalit të Janinës, e për këtë u bëjnë apel autoriteteve të ndihmojnë në kthimin e trupit të pajetë në Shqipëri.

Familja Pelivani

Ndryshe nga situata e rënduar në familjen Çullhaj, që kanë hapur dyert e mortit pas marrjes së lajmit se trupi i pajetë i gjetur në det të hapur në Igumenicë i përkiste Kritjanit, nëna dhe vëllai i 22-vjeçarit Eri Pelivani shpresojnë dhe urojnë që të mos marrin dhe ata një lajm të keq. Florika Pelivani, nëna e 22- vjeçarit nga Përmeti, por që prej 14 vjetësh jetojnë në Pojan të Fierit, qëndron në ballkonin e shtëpisë, me vështrimin nga rruga, gjithmonë në pritje të ndonjë lajmi për njërin nga dy djemtë e saj binjakë që është larguar 10 ditë më parë. Ajo është tronditur nga ajo që ka dëgjuar për familjen Çullhaj dhe lutet që fati i të birit të jetë ndryshe. Eri Pelivani është larguar nga shtëpia përpara 10 ditësh, në orët e vona të mbrëmjes, pa lënë asnjë gjurmë apo njoftim se ku do të shkonte. Nga ato që kanë dëgjuar në fshat dhe nga miqtë kanë mësuar se Eri së bashku me Kristjanin dhe dy djem të tjerë nga Durrësi, janë larguar me një makinë të bardhë. Nëna dhe vëllai i Erit tregojnë se janë interesuar tek të afërmit e tyre se mos kanë ndonjë lajm prej 22-vjeçarit, por deri tani nuk ka asnjë të re. Edhe te xhaxhallarët e djemve që jetojnë në Përmet e në Athinë të Greqisë, Eri nuk ka qenë. Ata shprehen se gjithë të afërmit dhe miqtë i kanë shkruar në Facebook Erit që të njoftojë sa më shpejt sesi është dhe ku ndodhet. Por zhdukja e Erit nuk është rasti i parë për familjen Pelivani. Kryefamiljari Muharrem Pelivani është larguar prej shtëpisë në vitin 2003, duke mos dhënë asnjë shpjegim apo destinacion të tijin. Ndërkohë, Florika, e cila prej më shumë se 10 vitesh që pret një lajm nga i shoqi, sot më shumë se çdo gjë tjetër pret me ngut që të ketë një lajm të mirë për të birin, Erin.

Previous article
Next article

Më Shumë

Lajmet e Fundit