16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Matilde Urrutia\ Shija e mëkatit

libri-320x223“Shija e mëkatit për ta fshehur lidhjen tonë e shtonte padurimin e takimit dhe të prekjeve. Kjo dëshirë kaq e fshehtë na tërhiqte drejt njëri-tjetrit, aq sa ndiheshim të djegur prej saj.” Matilde Urrutia, gruaja me flokët e shkurtër me onde dhe vështrimin e thellë, shkruante kështu në ditarin e saj ato mbrëmje kur priste me ankth kthimin e tij në Paris. Në atë apartament mbushur me pikturat e Pikasos, Matilde kishte vetëm një dëshirë, që ai të vinte sa më shpejt. Pablo Neruda e pa për herë të parë Matilde Urrutinë gjatë një koncerti në Santiago në vitin 1946, teksa ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Delia. Matilde e kapi nga larg vështrimin e tij, teksa lëvizi me dorë flokët e kuq. Gjatë gjithë mbrëmjes poeti i njohur kilian nuk ia ndau vështrimin këngëtares, duke e ndjekur koncertin deri në fund. “Unë thashë që ti këndoje nëpër erë/si pisha e lartë dhe e heshtur/trishtoheshe menjëherë si një rrugë…”, do të shkruante ai atë mbrëmje. Nuk ishte hera e parë që një grua godiste zemrën e tij. Por këtë herë ai e ndiente se ishte ndryshe.

Disa ditë më vonë, Neruda e takoi atë në një bar në Santiago, dhe po atë ditë ai i premtoi dashuri. Në Kilin e lëvizjeve të tensionuara politike të atyre viteve, Neruda ishte përfshirë si intelektual me qëndrimin e tij, çka e bëri që për disa vite të jetonte në azil në Europë. Këto ishin kohët që e bënë lidhjen e tyre të fshehtë më të fortë. Ata takoheshin në Paris apo Berlin. Pikaso ka qenë një ndihmesë e madhe për poetin, për ta pasur më të lehtë qëndrimin në Paris. “Asnjë tjetër nuk do të flejë në ëndrrën time e dashur/ti do ikësh, ne do ikim të shoqëruar nga ujërat e kohëve/askush tjetër nuk do të udhëtojë hijen e saj me mua/vetëm ti, përgjithmonë e gjelbër/përgjithmonë diell, përgjithmonë hënë…”, do të shkruante ai një mesditë në Paris. Në vitin 1955, Neruda merr divorcin nga e shoqja Delia dhe që nga ai moment Matilde nuk u nda asnjëherë nga ai.

Ajo la çdo angazhim në jetën e saj, për të qenë pranë tij. “Ajo u kthye në muzën e tij”, shkruajnë biografët e Nerudës kaq vite më pas. “100 sonete dashurie” ai ia kushtoi pikërisht asaj. Në një letër të vitit 1959, ai i shkruante: “Kam vuajtur teksa shkruaja këto ‘sonete’, ato më kanë lënduar, por njëkohësisht më kanë bërë të lumtur teksa i shoh që qëndrojnë të forta si një suva. Kur ia vura detyrë vetes të shkruaja këto poezi, e dija që do të shihja ty në të gjitha format, por do të përshkruaja në atë më elegante …Me përulësi të madhe i bëra këto sonete nga druri, dhe u dhashë atyre një tingull të lehtë e të pastër që të mbërrijë në veshët e tua… Tashmë unë të kam deklaruar dashurinë time…” 100 sonetet e dashurisë shkruar nga Neruda, janë sot si testamenti më i bukur për të gjithë ata që i besojnë dashurisë, shkruar nga një burrë për një grua, që e deshi ashtu menjëherë e përgjithmonë. Jetën e saj pranë poetit të madh, Matilde e tregoi në një libër autobiografik botuar pas vdekjes “Jeta ime me Pablo Nerudën”. Libri është konsideruar si një roman dashurie. “Kohët kur ai shkruante poezi, unë ulesha dhe merresha me ditarin tim. Pablo asnjëherë nuk më pyeti se çfarë shkruaja…”, kujton ajo.

Kujtimet e Matilde nuk janë vetëm kujtimet e një historie dashurie me një personazh të rëndësishëm të letrave botërore, por dhe kujtime mbi Kilin e atyre viteve, mes trazimeve politike dhe tensioneve të komunizmit. Matilde përshkruan çdo shqetësim, çdo takim dhe angazhim që i shoqi mori në përmirësimin e jetës së atdheut të tij. Dje ishte 110-vjetori i lindjes së Pablo Nerudës, poetit të dashurisë dhe dhembjes, fituesit të çmimit “Nobel” në letërsi. Mediat e ndryshme janë duke hedhur dyshime mbi vdekjen e tij. Të njëjtën gjë bën dhe Matilde te kujtimet e saj, duke shtuar pikëpyetjet mbi ikjen e tij. Poeti, i njohur si Pablo Neruda, e pati emrin e fëmijërisë Neftalí Ricardo Reyes Basoalto, kur lindi në vitin 1904. Ai i nënshkroi veprat e tij si Pablo Neruda, por nuk e mori këtë emër ligjërisht deri në vitin 1946, për shkak se i ati, një punëtor hekurudhash, nuk e pëlqente interesin e të birit për poezinë. Neruda e përdori këtë emër në përkujtim të poetit çek Jan Neruda.

Neruda u rrit në Kilin e jugut deri më 1921-shin, ku u zhvendos në Santiago dhe u regjistrua në kolegj për ta përgatitur veten si mësues i frëngjishtes. Por ai e braktisi shkollën për t’iu përkushtuar poezisë. Libri i tij i parë, “Crepusculario” (Libri i Muzgut), u publikua më 1923-shin, dhe në vitin pasardhës botoi “Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi”. Kjo u bë vepra e tij më popullore me më shumë se një milion e gjysmë kopje të shitura. Libri ishte përplot me poezi romantike dhe erotike. Mes viteve 1927 dhe 1935, Neruda ishte një diplomat i Kilit në Burma, Cejlon, Java, Singapor, Argjentinë dhe Spanjë. Më 1930-n ai u martua për herë të parë, por martesa nuk ishte e lumtur dhe disa vite më vonë e la bashkëshorten e tij për të jetuar me Delia del Carril, me të cilën qëndroi deri në vitin 1955. Gjatë kësaj periudhe, ai shkroi dy vëllimet me poezi, “Rezidencë në tokë”, të cilat konsiderohen si poezitë më të mira surrealiste në gjuhën spanjolle. Ai pretendoi më vonë se i pati shkruar këto vepra në një kohë që nuk dinte asgjë për surealizmin. Ai thjesht iu përgjigj rrymave letrare në qarkullim, pavarësisht se këto përgjigje u bënë vetë rrymë për formimin e lëvizjes surrealiste gjithkund tjetër.

Tmerri i Nerudës nga luftërat civile dhe barbaritë ushtarake (përfshirë vdekjen e mikut të tij, poetit Federico García Lorca) gjatë Luftës Civile në Spanjë, e bënë atë thellësisht komunist. Neruda këmbëngulte gjithashtu se ai ishte në mënyrë specifike një poet i Amerikës Latine. Ai njihet për poezinë “Lartësitë e Maçu Piçut”, ndoshta poezia më e madhe e tij, një poezi e botuar në vëllimin “Canto”. Ky vëllim u shkrua rreth fundit të viteve 1940, ndërsa Neruda po fshihej në Kili për të shmangur arrestimin për deklaratat që pati bërë kundër qeverisë. Ai u arratis nga Kili më 1949-n dhe nuk u kthye deri më 1952-shin, kur një regjim i ri erdhi në pushtet. Neruda mori Çmimin Ndërkombëtar të Paqes më 1950-n, çmimin e paqes “Stalin” më 1953-shin, një doktoraturë nderi në letërsi nga Oksfordi më 1965-n, dhe çmimin “Nobel” në letërsi më 1971-shin. Më 1969-n, ai u nominua si kandidat për president nga Partia Komuniste, por u tërhoq në favor të shokut të tij, Salvador Allende. Në fund të jetës së tij, ai la 34 vëllime me poezi, ese dhe drama të botuara, si dhe tetë volume me poezi dhe kujtimet që iu botuan më vonë.

a.b.

Camilla Läckberg

“Predikuesi”

Përktheu: Taqo Trajçe

Botimet: “Dudaj”

Çmimi: 1000 lekë

Në bashkësinë peshkatare të Fjelbakës jeta është e veçuar, e qetë dhe, për disa, tragjikisht e shkurtër. Kishte pasur gjithnjë dyshime për një krim të shëmtuar pas zhdukjes së dy vajzave të reja në zonë rreth njëzet vjet më parë. Tani një djalë i vogël, duke luajtur, e konfirmon këtë të vërtetë të tmerrshme. Zbulimi i skeleteve të tyre, bashkë me kufomën e një viktime të re, e trondit thellësisht qytetin. Detektivi vendor, Patrik Hedstrom, që pret një fëmijë nga shoqja e tij Erika, vetëm mund ta marrë me mend se çfarë do të thotë të humbasësh një fëmijë. Kur zhduket një vajzë e dytë, vëmendja e Hedstromit përqendrohet te Hultët, një klan me keqbërës, fanatikë fetarë dhe kriminelë në armiqësi me njëri-tjetrin. Lista e të dyshuarve është e gjatë, por koha është e shkurtër – cili nga sekretet e errëta të kësaj familjeje do të sigurojë të dhënën jetike?

Shaban Murati

“Rusia Ballkanike”

Libri është një anatomi e veprimtarisë dhe strategjisë së politikës së jashtme dhe diplomacisë së Rusisë në Ballkan gjatë dy dekadave të fundit. Është përmbledhja më e plotë nga një autor shqiptar e analizave për politikën dhe marrëdhëniet aktuale të Rusisë me shtete të veçanta ballkanike dhe me rajonin në përgjithësi. Në libër vjen përvoja dhe vështrimi analitik i një autori, që ka ndjekur me dekada me radhë zhvillimet dhe ecurinë e politikës së jashtme dhe lëvizjet e diplomacisë ruse në Ballkan. Përqasja e hollë, që autori i bën problematikës ballkanike të diplomacisë ruse dhe ndërthurja e karakteristikave të përbashkëta të vendeve ish-komuniste të Rusisë dhe të Ballkanit, i jep librit një dimension të veçantë dhe të prekshëm. Analizat, interpretimet dhe konkluzionet, kanë një origjinalitet dhe kompetencë profesionale diplomatike dhe konceptuale, që e formësojnë librin me peshën e një manuali për këdo që është i interesuar për politikën e jashtme të Rusisë në Ballkan.

Douglas Kennedy
“Një gur zemrës”
Përktheu: Lindita Gjata
Botimet: “Dudaj”
Çmimi: 800 lekë

Amerikani Nik Hothorni, personazhi kryesor i romanit, udhëton drejt Australisë për të ngjyrosur paksa jetën e shpëlarë e pa ndonjë farë keqardhjeje që bënte në vendlindje. Ai pendohet menjëherë për udhëtimin turistik që bën, sepse asgjë e veçantë s’e tërheq atje. Megjithatë, në një çast, rrugëtimi bëhet papritmas më shumë se interesant: një farë mikpritjeje vendase shtrëngohet rreth tij dhe e detyron ta zgjasë qëndrimin “turistik” jashtë planit. Niku do të rrëfejë më pas një histori rrëmbyese, ku shënjohet mbi gjithçka lidhja e ngushtë mes ekzistencës së të papriturës në jetën e njeriut dhe forcës së brendshme, ndoshta të panjohur nga ai, për t’i bërë ballë.
Douglas Kennedy e ka nisur krijimtarinë e tij me romanin “Një gur zemrës”, shkruar më 1994-n. Ka shkruar njëmbëdhjetë romanë dhe tre prej tyre, “Çasti”, “Fotografia e madhe”, “Në ndjekje të lumturisë”, janë bestsellerë të përkthyer në 22 gjuhë të botës. Prej vitit 2007, ai është Kavalier i Urdhrit të Arteve dhe Letrave në Francë. Në vitin 2009 është vlerësuar me të parin “Grand Prix du Figaro” dhënë prej kësaj gazete franceze.

Odiseas Elitis
Poezi
Përktheu: Romeo Çollaku
Botimet: “Odeon”

Odiseas Elitis konsiderohet si një nga poetët e fundit grekë të brezit të viteve 1930, një nga karakteristikat e të cilit ishte dilema ideologjike ndërmjet traditës greke dhe modernizmit europian. Vetë ai e konsideronte pozicionin e tij në këtë brez si absurd, duke u shprehur se “nga njëra anë isha i kapur pas një brezi që përkulej në burimet e një grekërie dhe, nga ana tjetër, isha i pari i një brezi tjetër që pranonte teoritë revolucionare të një lëvizjeje moderne”. Me poezinë e tij ai imponoi format ortodokse të shprehjes letrare të rrymës së surrealizmit në shprehjen e ankthit shpirtëror të tij për përcaktimin e identitetit grek në lidhje me Perëndimin. Veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë të huaja. Vepra e tij ishte vazhdimisht e lidhur me surrealizmin, edhe pse Elitis u distancua herët nga surrealizmi “ortodoks” që vazhduan poetët grekë si Andreas Embirikos, Nikos Engonopoulos dhe Nikolaos Kalas. Ai u ndikua nga surrealizmi dhe huazoi elementet e tij, por që i përshtati sipas vizionit të tij poetik, pashmangshmërisht të lidhur me elementin lirik dhe traditën popullore greke. Një shpirt veçanërisht i shqetësuar u ndikua nga shumë poetë, por mbi të gjitha nga Dhionisios Solomos, Andrea Kalvos dhe nga Konstandin Kavafis.

Më Shumë

Malishevë/ Në 25-vjetorin e rënies u përkujtua dëshmori Brahim Morina

Në 25-vjetorin e rënies në altarin e lirisë, u përkujtua dëshmori i kombit, Brahim Morina, nga fshati Drenoc. Në përkujtim të rënies së tij,...

Arrestohen dy femra, sulmuan një të mitur dhe dy zyrtarë policorë në Prizren

Dy femra janë arrestuar të martën në Prizren, pasi që kishin sulmuar fizikisht një të mitur dhe më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht...

Lajmet e Fundit