19.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Fisnik Minci: Procesi gjyqësor ndaj Ramadan Mujës nuk është zhvilluar për vota

Koordinatori i OJQ-së “Ec Ma Ndryshe” Fisnik Minci vlerëson se qëndrimi në detyrë i kryetarit Ramadan Muja, ka dëmtuar Komunën e Prizrenit.

“Qëndrimi i tij në detyrë përkundër ballafaqimit serioz me organet e drejtësisë ka dëmtuar institucionin e Komunës, pasi që prania ndërkombëtare ka reduktuar në masë të madhe kontaktet me Mujën, gjë që është reflektuar në humbjen e mundësive të pushtetit lokal për të përfituar projekte që përmirësojnë shërbimet dhe mirëqenien për qytetarët”, thotë Minci.

Në Gjykatën e Apelit dje është mbajtur seanca gjyqësore e shkallës së dytë ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe ish- drejtorëve të tij,që nga shkalla e parë ishin dënuar me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren.

Vendimi i Gjykatës së Apelit, do të jetë vendim i formës së prerë pas të cilit përfundimisht Ramadan Muja do të jetë i dënuar ose jo.

“Sikur të kisha vepruar në kundërshtim me ligjin nuk do të kisha marrë 30 mijë vota të qytetarëve të Prizrenit”, ka thënë Muja, dje gjatë seancës së Gjykatës së Apelit.

Ndërkaq, Fisnik Minci i cili është edhe gazetar nga Prizreni, thotë se procesi gjyqësor ndaj Ramadan Mujës nuk është zhvilluar për të përcaktuar nëse ai ka marrë më së shumti vota ose jo, as për të përcaktuar nëse qytetarët i besojnë atij apo jo.

“Por, aktgjykimi fajësues i Gjykatës Themelore ka theksuar se ai ka shpërdoruar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në katër raste të ndryshme”.

“Pra, sipas gjyqësorit ka shpërdoruar besimin që ia kanë dhënë qytetarët që të qeveris në përputhje me ligjin”.

Ramadan Muja vitin e kaluar u dënua me 2 vite burgim, ekzekutimi i të cilit është pezulluar për një periudhë 3 vjeçare të verifikimit nëse i pandehuri nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj.

Sadik Paçarizi u dënua me 8 muaj burgim, ekzekutimi i të cilit është pezulluar për një periudhë 2 vjeçare të verifikimit nëse i pandehuri nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 12 muaj.

Avni Ademaj u dënua me 5 muaj burgim, ekzekutimi i të cilit është pezulluar për një periudhë prej 18 muajve të verifikimit nëse i pandehuri nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Kadri Ukimeri u dënua me 8 muaj burgim, ekzekutimi i të cilit është pezulluar për një periudhë prej 20 muajve të verifikimit nëse i pandehuri nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Abdullah Tejeci u dënua me një muaj burgim, ekzekutimi i të cilit është pezulluar për një periudhë një vjeçare të verifikimit nëse i pandehuri nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Minir Krasniqi u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim, ekzekutimi i të cilit është pezulluar për një periudhë 2 vjeçare të verifikimit nëse i pandehuri nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 18 muaj./PrizrenPress.com/

.

Më Shumë

‘Është i sëmurë rëndë, po mbahet në çeli ferri’, ‘Daily Mail’ shkruan për Sadin Durakun të arrestuar nga Serbia javë më parë

  Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kërcënoi me hakmarrje ndaj shqiptarëve pas arrestimit të Srecko Sofronijeviqit nga policia kosovare javë më parë i kërkuar për...

Përurohen kabinetet e shkencave të gjimnazit “Gjon Buzuku” dhe shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren

Sot, u përuruan kabinetet e shkencave (Fizikë, Kimi, Biologji dhe Gjeografi) në SHFMU “Motrat Qiriazi” dhe gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, një bashkëfinancim mes...

Lajmet e Fundit