8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Greikoci me vetëkontribut ndërtoi objektin e shkollës

“Arsimi është një bimë tejet kryeneçe, e cila nuk gjelbëron e as që lidh kokërr në qoftë se nuk ujitet me lot e gjak” (Artur Graf, shkrimtar).

Fikret RAMAJ

Arsimi, gjatë viteve 1990-1999 bëri kthesa të rralla që shënuan historinë më të re të Kosovës. Për herë të parë pushtetit të atëhershëm okupues serb në Kosovë, arsimi shqip i doli nga kthetrat sunduese.

Deri në këto vite kishte forma të shumta të kundërvënies pushtetit serbosllav, qoftë përmes veprimit të grupeve patriotike, qoftë përmes protestave e demonstratave të rinisë dhe të popullatës shqiptare në përgjithësi, si në vend, ashtu edhe në diasporë. Duhet pranuar se arsimi që veproi gjatë këtyre viteve, ishte rezistenca e parë institucionale.

Bazën e shtetësisë Kosovës ia vuri arsimi. (Bajram Shatri: Arsimi shqip në Kosovë 1990-1999, shtëpitë shkolla, sfidat, arritjet dhe aspiratat, fq. 9). Prandaj, në shumë vende të Kosovës popullata u ngrit në këmbë për t’i dalë Zot arsimit shqip në Kosovë. Një vepër monumentale, që populli e ngriti me forcën e vet ishte edhe ndërtimi i shkollës në fshatin Greikoc. Qytetarët e Greikocit, pa dallim e përkrahën këtë iniciativë dhe me vetëkontribut ndërtuan objektin impozant shkollor.

Ndërtimi i objektit të shkollës në Greikoc filloi diku në maj të vitit 1990.

Xhelal Çelaj, ish -kryetar i fshatit Greikoc tregon mënyrën se si është mbajtur mbledhja e kryesisë së fshatit, që kishte të bënte me ndërtimin e një shkolle të re për nxënësit tanë. U lind kjo nevojë, ngase shkolla aktuale ishte një barakë e ndërtuar para afro 50 viteve, por më tepër ishte edhe një imperativ i kohës për përhapjen e shkollave shqipe në Kosovë. Duke parë këtë tmerr të shtetit serb në Kosovë, kryesia e atëhershme e fshatit Greikoc u organizua për ndërtimin e një shkolle të madhe dhe moderne.

Organizimi filloi nga banorët vullnetmirë të asaj kohe dhe me vetëfinancim, të ndihmuar nga diaspora e fshatit tonë (sepse ky fshat shquhej me numrin e madh të popullatës, që kishte në botën e jashtme, si në: Gjermani, Zvicër, Itali, Austri e në shumë shtete të tjera të botës) filluan ndërtimin e këtij objekti impozant shkollor

Takimi i parë u mbajt në maj të vitit 1990. Kryesia e fshatit, caktoi personat përgjegjës, të cilët do të udhëhiqnin me punimet për ndërtimin e shkollës. Gjithashtu, u caktuan personat përgjegjës, që do t’i tubojnë mjetet financiare në Kosovë, por me theks të veçantë për tubimin e mjeteve financiare në diasporë.

Si persona përgjegjës për Kosovë u caktuan: Mehmet Çelaj – përgjegjës për blerjen e materialit ndërtimor, si dhe për pagesën e punëtorëve dhe të gjitha pagesat e tjera të nevojshme lidhur me këtë çështje, dhe Faik Curraj – përgjegjës për punëtorët, të cilët po ndërtonin objektin e ri shkollor. Personat përgjegjës për tubimin e mjeteve financiare në diasporë ishin: Ramadan Haxhaj, Azem Çelaj, Musli Neziraj, Ferat Kicaj, Ramiz Selimaj, Latif Beqiraj, Liman Shahinaj, Afrim Zmalaj për në Zvicër, ndërsa Mehmet Kokaj dhe Shaban Selimaj për në Gjermani.

Në Zvicër mjetet financiare tuboheshin nga Komisioni i caktuar për këtë punë dhe dorëzoheshin te Ramadan Haxhaj e Azem Çelaj e i cili pastaj mjetet e tubuara i sillte në Kosovë te Mehmet Qelaj. Ndërkaq nga Gjermania mjetet financiare i sillte në Kosovë, Mehmet Kokaj. Musli Neziraj me përpikëri dhe në mënyrë të saktë i mbante evidencat e personave, që kontribuonin në vetëfinancim.

Vlen të theksohet se pjesa dërmuese e mjeteve financiare u tubuan në Zvicër. Personat që ishin në komision nga Zvicra ishin të parët që dhanë mjetet e veta, me qëllimin më të mirë, që edhe të tjerët të merrnin pjesë në financimin e këtij projekti madhështor dhe të kushtueshëm për këtë fshat. Duhet potencuar se ky projekt u financua nga banorët, ndërkaq shteti nuk dha asnjë cent.

Puna e këtij komisioni zgjati me vite për tubimin e mjeteve financiare, sepse mjete dhanë të gjithë personat në botën e jashtme nga dy, tri e deri në katër herë, sepse ishte objekti shumë i madh, i cili atëherë kushtoi rreth 500.000 markash gjermane. Vlen të theksohet se shumë shtëpi dhe persona të tjerë ndihmuan në ndërtimin e shkollës edhe me mjete të tjera, jo financiare, si dhe me punë.

Njëri ndër ta ishte edhe Ferat Kicaj, i cili me ekskavatorin e tij hapi pa pagesë bodrumin e shkollës, që atëherë konsiderohej për fshatin një ndihmë dhe një nder i veçantë. Ishin edhe shumë fshatarë të tjerë, që merrnin pjesë në mënyrë vullnetare, për të ndihmuar në vendosjen e pllakave të shkollës, sepse atëherë nuk kishte mjete të sofistikuara, sikurse sot, që janë cisternat e mëdha të kompanive ndërtimore.

Përveç qytetarëve të Greikocit me mjete financiare ndihmuan edhe persona nga fshatrat e tjera, si: Shaban dhe Hamit Rraqi nga Vraniqi; Xhemajl Fetaj nga fshati Reqan; Hamdi Llugaxhiu nga fshati Vraniq dhe Fetah Berisha nga Denji i komunës së Rahovecit.
Duhet potencuar se qytetarët e fshatit tonë kanë kontribuuar në forma të ndryshme: Rrustem Haxhaj shumë herë në shkollë ka siguruar lëndën djegëse dhe ka ndihmuar edhe në gjëra të tjera, pastaj Maliq Kicaj, si anëtar kryesie, ka dhënë kontribut në sfera të ndryshme, si dhe Xhelal e Jetullah Qelaj, në vitet e 90-ta ua kishin paguar udhëtimin për një vit shkollor të gjithë arsimtarëve udhëtues.

Gjestet e qytetarëve të Greikocit janë për t’u përshëndetur. Personat në fjalë, por edhe shumë të tjerë gjithmonë ishin në përkrahje të arsimit shqip, andaj personave të tillë vullnetmirë duhet t’u jemi përherë mirënjohës.

Mund të jetë një imazh i 1 person, golf dhe kapelë

Mund të jetë një imazh i 1 personMund të jetë një imazh i 1 person

Më Shumë

Në Prizren janë regjistruar 33,756 qytetarë

Në Prizren, procesi i regjistrimit të popullsisë është në rrugën e duhur, me 33,756 qytetarë të regjistruar deri më tani. Koordinatori i komisionit komunal, Haxhi...

Kupa e Kosovës, nesër zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve

Nesër zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës. Në fakt, ndeshjet ishin planifikuar të luhen në javën e kaluar, por Federata e Futbollit...

Lajmet e Fundit