18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Gurëthemelet historike të një romani

97242“Milosao” i jep hapësirën e saj, znj. Meksi, ku ajo shpreh të gjithë punën e saj, për të bërë bashkë elementët që do të lindnin romanin kushtuar Teutës së madhe.Qysh kur nisa të merresha seriozisht me letërsi, kam patur në mendje, si projekt të rëndësishëm, një roman për Teutën e Ilirisë. Më vinte nga një pasion i hershëm i fëmijërisë për “mbretëreshën luftëtare”, pasion që, sigurisht, ishte rritur me kalimin e viteve, duke u bërë më i plotë dhe më i pasur.

Ajo që ma pati zgjuar pasionin e parë, ishte një mjegullinë misteri që e vishte Teutën nga të gjitha anët: në librat për fëmijë dhe në shkollë mësonim se ishte mbretëresha legjendare që u bë tmerri i Romës dhe se ne krenoheshim me të, sepse ishte, natyrisht, paraardhësja e ne shqiptarëve me histori përherë të lavdishme; porse, nga bisedat që të rriturit bënin zëulët, dikur më zuri veshi se Teuta kish pas qenë edhe pirate. Kjo kundërshti, për mendjen time fëmijërore, mbretëreshë dhe pirate njëherit (sepse domosdo pirateria kishte një kuptim shumë negativ), më ndezi një përfytyrim magjik, i cili krijoi aventura të pafundme: aventurat e amazonës ilire të deteve me kurorë mbretëreshe në flokë, e cila s’kishte të dytë në faqe të dheut.

Për të realizuar projektin tim letrar, u vura të lexoja, viteve të shkuara, gjithçka ishte shkruar për Teutën e Ilirisë, që nga autorët e lashtë, historianë, arkeologë, antropologë, etnologë, filologë, mitografë apo letrarë, dhe gjer tek ata modernë. Zhgënjimi ishte i madh, kur pashë se të gjitha shkrimet për të mblidheshin në një grusht.

Autori më i famshëm që ka shkruar për Teutën, është Polibi, por në traktatet e tij historike, më shumë vend u kushtohet komenteve që historiani dhe politikani grek bën për mbretëreshën ilire, sesa fakteve objektive historike; komente ku dallohet qartë një lloj përbuzjeje për të.

Edhe arkeologjia doli të ishte shumë e kufizuar në zbulimet e saj në lidhje me Teutën. Madje, nuk ekziston asnjë statujë e vërtetë e saj, asnjë monedhë që të ketë të gdhendur në sipërfaqe portretin e mbretëreshës së Ilirisë. Nga tërë objektet arkeologjike të gjendura në viset ilire, që nga fillimi i gërmimeve në shekullin XIX dhe gjer në ditët tona, nuk ka asnjë objekt që Teuta ta ketë përdorur apo qoftë edhe ta ketë prekur me dorën e saj. Dukej se shkrimi i një romani historik për Teutën e Ilirisë ishte thjesht i pamundur.

Viteve që pasuan, kuptova se kjo ndërmarrje e madhe kërkonte një moshë të pjekur për t’u realizuar: kur të isha në gjendje të gjurmoja, të peshoja faktet historike dhe të gjeja raportin e duhur midis historikes dhe fiksionit, trillimit dhe fantazisë, për të krijuar një vepër letrare me sfond historik.
Ndonjëherë, lexuesit i shpëton paq e vërteta se historiani nuk mund të sillet tjetër përpos se si shkrimtar, ndërkohë që shkrimtari mund të sillet edhe si historian, të interpretojë faktet historike të cilat janë në dritë të diellit dhe njohin një shumësi interpretimesh; se ndryshimi mes tyre është më së tepërmi çështje ndërgjegjeje dhe vetëdijeje: historiani nuk është gjithnjë i vetëdijshëm për këtë tipar të pashmangshëm të “zejes” së tij, ndërkohë që shkrimtari është gjithnjë i vetëdijshëm për zgjedhjen e tij…
Mbi të gjitha, kuptova se më duhej një kohë e gjatë për t’iu avitur kohës historike të ngjarjeve të romanit, shekullit III para Krishtit, botës ilire të asaj periudhe, që shënon edhe kulmin e lavdisë së shtetit ilir dhe, mbi të gjitha, t’i afrohesha personazhit tim, Teutës së Ilirisë, e cila është një personazh shumë kompleks dhe figurë emblematike: mbretëreshë, luftëtare, stratege, diplomate, por, mbi të gjitha, simbol i shpirtit ilir, çka e lidh me religjionin dhe besimin e ilirëve. Më duhej të gjeja një lidhje me të, në mënyrë që, kur të mbyllja sytë, e tërë koha prej më shumë se 2000 vjetësh të kalonte në çast dhe të mund ta përfytyroja të plotë, me gjithçka kishte jeta e saj.

Kështu nisi rrugëtimi im i gjatë përmes mijëra faqeve të autorëve të lashtë dhe modernë: Polibi, Herodoti, Diodori, Straboni, Apieni, Tit Livi etj., dhe Karl Patsch, Stipçeviç, Pierre Cabanes, Papazoglu, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Vladimir Orel, Hasan Ceka, Selim Islami, Neritan Ceka etj. Dhe përmes trevave që mbajnë gjurmët e ilirëve, muzeumeve dhe zonave arkeologjike të Shqipërisë dhe të rajonit – Iliria e shekullit III para Krishtit, në mbretërimin e Teutës shtrihej që nga lumi Naro (sot Neretva, Kroaci) në veri, deri në gjirin e Ambrakisë (sot gjiri i Artës, Greqi) në jug.
Ekzistonte, megjithatë, një fill që e kapërcente kohën e frikshme prej mbi dy mijë vjetësh dhe më lidhte me Teutën, një fill që më mundësonte një lloj komunikimi me të: ishte gjuha shqipe. Përveçse i përkisnim racës njerëzore dhe ishim gra, Teuta dhe unë, kishim jo vetëm zemër, dashuri, urrejtje, frikë e plot ndjenja të tjera njerëzore, por edhe një gjuhë, apo një shëmbëlltyrë gjuhe që na bashkonte.

U gjenda kësisoj, më në fund e pas shumë përpjekjeve, brenda kohës së dëshiruar, e cila më ndihmoi për të shkruar romanin, por që rezultoi të ishte një aventurë e rrezikshme për t’u jetuar. Shpesh kohët ngatërroheshin dhe përplaseshin me njëra-tjetrën – herë përjetoja një mrekulli të vërtetë, duke jetuar e strukur në shekullin III para Krishtit, dhe herë më kthehej në një torturë e një mundim të stërmadh dalja në sipërfaqe në këtë kohën tonë.
Në poçarinë time të krijimit, balta kish zënë të merrte formë për të krijuar ditë pas dite dhe vit pas viti Ilirinë e përbashkuar të gjysmës së dytë të shekullit III para Krishtit, e cila, nën sundimin e mbretit Agron dhe gruas së tij, Teutës, u fut në histori krahas fuqive të mëdha të kohës: Greqisë, Egjiptit, Asyrisë, Kartagjenës, Makedonisë dhe Romës. Më tej, pas vdekjes së Agronit, mbretëresha Teutë e ktheu Ilirinë në një nga fuqitë detare dhe tokësore më të mëdha të kohës, duke ndihmuar, me bëmat e saj, hapjen e një faqeje të re në historinë e botës: perëndimin e Greqisë dhe daljen në skenë të Romës.

*
Sipas historianit të lashtësisë, Strabonit, dhe atij kroat, Aleksandër Stipçeviç, ilirët ishin mjeshtër të tatuazhit. Simbolet e tyre i vizatonin në lëkurë – nëpër nekropole janë gjetur vegloret e tatuazhit, paraardhëset e denja të vegloreve të sotme. Në roman Teuta ka të skalitur në trup gjarprin Ilyrios, totemin e vendit të saj.

Për të shpalosur në gjerësi dhe, njëkohësisht, në detaje të holla jetën, ngjarjet, lavdinë e Ilirisë dhe të Teutës në vetëm tre vitet e sundimit të saj (230-228 para Krishtit), por për të pikturuar edhe dashurinë pasionante, keqkuptimin tragjik, tradhtinë, robërinë, dhe, në fund, vdekjen, më duhej një rrëfim përtej të zakonshmes, një rrëfim mitik. Është kujtesa e hyjnishme e gjarprit të skalitur në trupin e Teutës burimi i rrëfimit të këtij romani.

Gjithsesi, ngrehina e “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është ndërtuar me gurët autentikë të historisë – personazhet historikë, kronologjia e ngjarjeve dhe zhvillimeve historike, betejat, ideali i Teutës për të pushtuar Greqinë, vendin e saj shpirtëror, për të krijuar mbretërinë iliro-greke, si edhe qëllimi i saj i lartë për kultivimin e shpirtit ilir sipas një ideali të përcaktuar humanist. Brendësia e romanit – është histori, por edhe magji, fantazi, mite, gojëdhëna dhe legjenda.

“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” mund të quhet edhe romani i dashurisë par excellence: dashuria e Teutës së Ilirisë për gjeneralin Demetër Faros. Është një pasion zhuritës, i ngjizur me lëndë hyjnore, i sprovuar në zjarrin e betejave, por edhe i shenjuar nga tradhtia, nga keqkuptimi vdekjeprurës dhe me një fund tragjik.

Nuk mëtoj të kem dhënë në këtë roman të vërtetën historike mbi ilirët dhe Teutën e Ilirisë. Jam përpjekur të ndërtoj për së brendshmi, siç thuhet, atë botë që arkeologët e ndërtojnë për së jashtmi.
Marrë me shkurtime

Më Shumë

Itali, Angli dhe Arabi Saudite, Raphael Varane ka tre oferta në tavolinë

Epokës së Raphael Varane te Manchester United po i vjen fundi. Pas muajsh spekulimesh, është konfirmuar se mbrojtësi francez do të largohet nga klubi...

Fillon realizimi i projektit për restaurimin e shtegut drejt Kalasë së Prizrenit

Ka nisur shtrimi i shtegut drejt Kalasë së Prizrenit. Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës në zonën e nënkalasë, duke...

Lajmet e Fundit