Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti, në 25-vjetorin e zhdukjes së babait të tij, veprimtarit Ukshin Hoti, e ka përkujtuar atë mënyrë simbolike duke e publikuar një letër në Facebook që shënon ta ketë autorësinë e të atit.
“Të lutem shumë, përqafoi fëmijët e mi për mua, pastaj edhe të tutë, të vëllezërve dhe të motrave, edhe prindërit. Përshëndeti të tjerët. U don: vëllai Ukshini” – shkruan në letrën e shpërndarë nga Andin Hoti.
Ai e ka cituar një pjesë të mesazhit që e ka publikuar si të Ukshin Hotit dhe ka përmendur periudhën e kërkimit të veprimtarit që nga zhdukja e tij.
“Të lutem shumë, përqafoi fëmijët e mi për mua…’ Një çerek shekulli në kërkim tëndin babë” – ka shkruar Andin Hoti, në Facebook.
Ukshin Hoti, profesor, aktivist e intelektual u zhduk më 16.05.1999, në luftën e fundit në Kosovë.
Seanca e sotme (16.05.2024) e Kuvendit të Kosovës filloi me një minutë heshtje në nderim të Ukshin Hotit, në 25 vjetorin e zhdukjes së tij.
“Përgjegjëse pa dyshim është Serbia me mekanizmat e saj. I bëjmë thirrje drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore të merren me rastin e Ukshin Hotit”– deklaroi Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte emëruar Andin Hotin, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, më 06.07.2021.
Andin Hoti ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Legjislaturën e 6-të.
Marketing
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit