Ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre tha se nuk ka kryer ndonjë vepër penale.Gjatë fjalës përfundimtare në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre ngase nuk shqyrtoi ankesat e dy operatorëve rreth një tenderi të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ish-drejtuesi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha veten e konsideroi të pafajshëm.
“E mbështes fjalën përfundimtare të avokatit, unë në asnjë mënyrë nuk kam kryer ndonjë vepër penale,” tha në fjalën përfundimtare Hoxha.
Avokati i tij Sahit Bibaj që fjalën përfundimtare e dorëzoi të shkruar tha se gjykimi nuk ka vërtetuar fajësinë e Hoxhës.
“Gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se i akuzuari është fajtor për veprën që është akuzuar,” tha Bibaj, duke i kërkuar gjykatës lirim të Hoxhës.
Por prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj kërkoi të kundërtën-dënimin e Hysni Hoxhës.
“I pandehuri ka shkelur shumë dispozita të ligjit të prokurimit publik. I akuzuari është penalisht përgjegjës dhe propozoj që të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit,” tha Gecaj.
Gjykata do të vendosë për dënimin ose lirimin e Hoxhës më 23 dhjetor.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hoxha si kryetar i OShP-së i tejkaloi kompetencat e tij ligjore ashtu që më 3 tetor 2014 dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së me konkluzionin se është “res judicata” [e gjykuar më parë], pa i shqyrtuar i ka refuzuar ankesat e disa operatorëve ekonomikë të datës 2 tetor 2014.
Bëhet fjalë për ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh, edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.
Lidhur me këtë aktivitet prokurimi fillimisht ishte raportuar në KALLXO.com, ndërsa emisioni “Jeta në Kosovë” kishte bërë një emision në tetor të vitit të kaluar ku të ftuar ishin drejtori i prokurimit në KEDS, Hysni Hoxha si kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Lutfi Gashi përfaqësues i “Electra-s”.
Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240 euro.
KOSTT-i kishte nisur më 2012 projektin e instalimit të grupeve matëse në kufirin mes KOSTT-it, Korporatës Energjetike dhe OSSh-së që është korporata publike e shpërndarjes së energjisë në Shqipërisë.
Prej 2012-ës e deri në shtator të vitit 2014 ky tender është anuluar katër herë dhe është përcjellë me akuza për parregullsi.
Dy tenderë janë anuluar me arsyetimin e KOSTT-it se ka pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme, i treti është anuluar me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion, ndërsa herën e katërt është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
KOSTT-i së fundi më 22 shtator të vitit 2014 shpalli fitues konzorciumin NP “Monten& G3 Inxhinjering” përfaqësues i së cilës është Nexhmi Kastrati. Kjo kompani ofertoi me 2 milionë e 327 mijë euro për kryerjen e kësaj pune.
Ndërsa më 4 nëntor 2014 është nënshkruar kontrata mes KOSTT-it dhe këtij konzorciumi. Për këtë aktivitet prokurimi ishte ankuar kompania “Electra”.
Prokuroria i nisi hetimet për këtë tender të KOSTT-it në prill të vitit të kaluar./kallxo.com/