18.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Hulumtim: Dosja e korrupsionit të Fehmi Mujotës

FehmiMujota-Ministri i InfrastrukturesRyshfet me para në dorë, shkelje ligjore, prekje të tenderëve e punë pa tenderë, favorizime, ndërrime të hetuesve e prokurorëve, ndikime politike e lidhje familjare qe shkojnë deri te Ministri Fehmi Mujota. Këto janë provat që Prokuroria i ka që nga tetori i vitit 2011 në dosjen hetimore për korrupsion me patentë shoferë në Ministrinë e Infrastrukturës, por ende nuk është nxjerrë as një vendim. Express sjell historinë e këtij hetimi, nga i cili del se në këtë dosje në Prokurori mungojnë gati një e treta e dokumenteve.

Në tetorin e viti 2011 Fehmi Mujota, një funksionar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të Kryeministrit Hashim Thaçi, i emëruari Ministër i Infrastrukturës (MI) nuk pati paraqitje publike ku nuk u sfidua për një punë që i pati dhënë ky dikaster qeveritar vëllait të gruas së tij. “Dhëndëri i hajrit”, komentoi dikush.

Prokuroria pati nisur hetimet për korrupsion në procesin e pajisjes së kosovarëve më patentë shoferë dhe hetimet e preknin drejt Ministrin Mujota – Ministria që ai drejton angazhoi për shtypjen e këtyre testeve kompaninë “Master Print” në pronësi të Armend Ademit, vëlla i gruas së Mujotës.

Kanë kaluar 3 vite nga ajo kohë dhe Prokuroria e Shtetit ka ende të njëjtën përgjigje. “Ju njoftoj se lënda është në punë dhe është në fazën e hetimeve, për këtë arsye nuk mund t’iu japim më shumë të dhëna të tjera”, është kjo përgjigja e Prokurorisë për Express.

Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë pasur përgjigje nëse Fehmi Mujota është intervistuar për këtë rast, as si i dyshuar as si dëshmitar.

Lëndës në Prokurori i mungojnë dokumente

Express ka provuar të marrë përgjigje për rastin e hetimeve penale për patentë shoferët në Ministrinë e Infrastrukturës për një kohë të gjatë. Gazeta provoi edhe që të kishte qasje në këtë dosje.

Deri vonë, kjo lëndë i ishte ndarë prokurorit Feti Tunuzliu, të cilit po ashtu ishin lënë në hetim më shumë se 100 lëndë të tjera të korrupsionit. Ai na kishte lejuar që ta vizitonim në zyrën e tij.

Prokurori i Shtetit, Feti Tunuzliu atë kohë nuk kishte nisur ndonjë procedurë hetimore në këtë lëndë, por e gjeti atë në listën e lëndëve që ishin bartur në zyrën e tij.

Në prani të gazetarit të Expressit, Tunuzliu kishte gjetur parregullsi në këtë lëndë. Derisa në listën e lëndëve thuhej se ky hetim u dorëzua në Prokurori nga Polica e Kosovës me tre skedarë (folderë) dokumentesh, në zyrën e prokurorit Tunuzliu ekzistonin veç dy të tillë. Nga Prokuroria e Shtetit nuk kemi pasur një sqarim të më vonshëm se si kishte ndodhur ky shmangim i një skedari me dokumente.

Një histori me plotë parregullsi në një hetim të vetëm

Hetimet e filluara nga Prokuroria Publike Komunale e Prishtinës në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të shumëfishta në sektorin e patentë shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) kishin ngecur vetëm dy muaj pasi nisën – ndoshta edhe më herët.

Hetimet u zhvilluan një herë nga Imer Beka, tash kryeprokuror i prokurorisë Themelore në Prishtinë. Beka pati konfirmuar publikisht lëvizjet e çuditshme në ekipin e hetuesve, ndërrime, shkarkime e konflikte të interesit.

Në hetimet e nisura mbi këtë rast që janë iniciuar në fillim të tetorit të vitit 2011 me një vendim të atë botë koordinatores së prokurorëve vendor kundër korrupsionit, Drita Hajdari, hetues policor qenë caktuar Valdete Gubetini dhe Naim Berisha, e të cilët kishin si udhëheqës Lutfi Menxhiqin. Ky ekip kishte funksionuar si i tillë, dhe i ka raportuar për punën e vet prokurorit të rastit, Imer Beka për afro 20 ditë, derisa nga rasti largohen pa u dhënë arsyetim Naim Berisha dhe Lutfi Menxhiqi.

Në rast pati mbetur Valdete Gubetini, kurse ishte angazhuar edhe hetuesi Shemsi Gashi, derisa njëri nga dy hetuesit e larguar, Lutfi Menxhiqi, pati dalë që ishte kushëri i Armend Ademit, i intervistuar në cilësinë e të dyshuarit si pronar i kompanisë “Master Print”.

Krejt ky rast kishte filluar pas përplasjeve të brendshme në Ministrinë e Infrastrukturës të udhëhequr nga Fehmi Mujota, përplasje të cilat lidhen me tenderët që quan në suspendime, largime nga vendet e punës, si dhe kallëzime penale e letra denoncuese në prokurori. Nga puna, me vendim të ish-Sekretarit Permanent Skënder Gashi, ishte suspenduar shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi dhe Betim Reçica, zyrtar i lartë i prokurimit në MI. Ky i fundit, pati bërë edhe një kallëzim penal kundër Gashit, në të cilin ngritën dyshime para së gjithash për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, si dhe për afërsi me kompani të cilat konkurrojnë në tenderët e MI-së.

Të angazhuar nga koordinatorja e prokurorëve vendor kundër korrupsion, Drita Hajdari, dy hetuesit, Valdete Gubetina e Naim Berisha, kishin nisur hetimet në këtë ministri duke u bazuar fillimisht në kallëzimet penale dhe letrat denoncuese të të suspenduarve nga ish-Sekretari Permanent i Ministrisë, Skënder Gashi- tash veç një zyrtar i kësaj ministre.

Hetimet mbi këto denoncime shumë shpejt e quan Prokurorinë në divizionin e patentë shoferëve brenda kësaj ministrie. Hetuesive nuk u është dashur shumë kohë për të kuptuar se dy nga katër faqet e testit për patentë shoferë, që konsiderohet si dokument konfidencial, po shtypeshin në një shtypshkronjë të angazhuar pa asnjë procedurë të prokurimit.

Për më tepër, hetuesia zbuloi se kjo kompani me emrin “Master Print”, ishte pronë Armend Ademit, që është vëlla i gruas së Ministrit Fehmi Mujota.

Por nuk ishte vetëm shtypja e testeve pa procedura të prokurimit te miku i Ministrit Mujota fakt që për Prokurorinë të zgjeroheshin hetimet, por ishte edhe ndërprerja e kontratës për këtë punë me kompaninë “Euro Printy”, e cila kishte një kontratë një vjeçare me mundësi vazhdimi.

Provat e forta të ryshfetit që Prokuroria i lë të humbin

Në Prokurorinë Publike Komunale të Prishtinës, mbledhja e provave në rastin e hetimeve për patentë shoferë kishte nisur me 3 tetor 2011. Pikërisht këtë ditë, ekipi i hetuesve policor i përbërë prej Valdete Gubetinës, Naim Berishës, Skënder Masufit dhe Nexhmedin Grajqevcit, kishin bastisur shtypshkronjën e vëllait të gruas së ministrit Fehmi Mujota, Armend Ademi-“Master Print” dhe kishin sekuestruar një sërë materialesh të cilat janë tash në duar të Prokurorisë.

Po atë ditë nga njerëzit e institucionit të ndjekjes vizitohet Divizioni i Patentë Shoferëve në Prishtinë, që gjendet te Stacioni i Autobusëve. Zyrat u mbyllën po atë ditë dhe atë me urdhër te prokurorit të rastit , Imer Beka dhe Kryeprokurorit te Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës, Haki Gecaj, ku edhe mblidhen dhe sekuestrohen materialet e shtypura në shtypshkronjën “Master Print”.

Një ditë më vonë, menjëherë pas këtyre masave, rasti kaloi në kompetenca të Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë, Kryeprokuror i së cilës ishte Aleksandër Lumezi – tash kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit.

Po këtë ditë, 4 nëntor 2011, kur ishte marrë vendimi që rasti nga Prokuroria Komunale të kalonte në atë të Qarkut, u intervistuan Armend Ademi, miku i Fehmi Mujotës dhe Burim Deliu, udhëheqës i Divizionit të Patentë Shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Por, vetëm një ditë pas këtyre hapave, Drita Hajdari e kthen rastin përsëri nën kompetenca të Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës. Arsyeja, sipas burimeve brenda Prokurorisë, ishte që nuk ka vlerësim se sa mund të jetë dëmi që mund të jetë shkaktuar nga veprimet e të dyshuarve.

Atë ditë, sipas këtyre burimeve, hetuesit u “vizatuan” në dyert e Ministrisë së Infrastrukturës dhe atë saktësisht në Zyrën e Prokurimit ku morën dosjen e tenderit për shtypjen e testeve dhe kontratën e kësaj ministrie me kompaninë “Euro Printy”, që tashmë ishte ndërprerë.

Edhe kjo shtypshkronjë ishte vizituar nga njerëzit e institucionit të ndjekjes, të cilët kishin sekuestruar mostrat e testeve që janë përdorur sa kjo kompani kishte kontratë valide.

Katër ditë pasi që kishin filluar hetimet në lidhje me këtë rast, ishte vënë në dijeni edhe EULEX, pasi që një përfaqësues i këtij misioni ishte në takim me kryeprokurorin e Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës, Haki Gecaj, dhe ai ishte aty kur Gecaj mori vendimin që të sekuestrohen testet në Divizionin e Patentë Shoferëve në Prishtinë që gjendet te Stacioni i Autobusëve.

Më 7 tetor 2011, hetuesit shkuan në këtë divizion dhe sekuestruan teste në sy të Burim Deliut, menaxher i njësisë së patentë shoferëve në kuadër të MI-së, i intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, si dhe Filize Krasniqit koordinatore e qendrës së Prishtinës.

Ishte kjo dita kur u vendos që ky rast përfundimisht të mbetet nën kompetencat e Imer Bekës, prokuror i Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës.

Me të marrë rastin, Beka ka urdhëruar që të konfiskohen krejt testet e shtypura nga “Master Print”, që numri i këtyre testeve është 20 mijë, apo përkthyer në fletë janë 40 mijë fletë të testeve konfidenciale të shtypura në shtypshkronjën “Master Print”, pa procedura të prokurimit.

Në intervistën para hetuesve. Armend Ademi e ka pranuar se ka shtypur teste me urdhër të Burim Deliut, udhëheqës i njësisë së patentë shoferëve në MI, madje edhe në kohën sa kontrata me “Euro Printy” ishte valide, gjë të cilën në intervistën e tij para hetuesve e e kishte mohuar Deliu.

Prokurori Imer Beka, në vazhdën e hetimeve kishte urdhëruar që të bëhen teste shtesë të kandidatëve pasi që të njëjtit t’i ishin nënshtruar testit normal nga ekzaminerët. Kjo provë ishte bërë 9 ditë pasi që nisën hetimet dhe ishte provuar në njësinë e patentë shoferëve në Gjilan. Këtu organet e ndjekjes arritën që të faktojnë disa raste të kandidatëve të cilët kishin kaluar testin e monitoruar nga ekzaminerët, por nuk arritën që të mbushin as 10 % të të njejtit test kur atë e bënë para syve të Prokurorisë.

Në Prokurori, ekzistojnë deklaratat e nënshkruara nga disa kandidatë që pranojnë se kanë paguar shuma nga 400-500 euro për dhënien e testit me shkrim.

Në të njëjtën “vizitë” të hetuesve në Gjilan, ata kanë marrë edhe deklarata të ekzaminerëve të cilët pranojnë që i kanë ndihmuar kandidatët të cilët i ka ri-testuar Prokuroria dhe që pranojnë se kanë paguar para për ta kaluar testin. Ekzaminerët ndonëse kanë pranuar që i kanë ndihmuar këta kandidatë në teste, pohojnë që nuk e kanë bërë këtë për t’ua marrë paratë, por për faktin që kanë qenë të njohur të “shefave” ose të kolegëve të tyre ekzaminerë.

Hetuesit kudo që kanë shkuar, në të gjitha njësitë regjionale të patentë shoferëve, kanë hasur në të njëjtën situatë: kandidatë e kalojnë testin, por kur ri-testohen nga Prokuroria dështojnë në të dhe më pastaj pranojnë se kanë dhënë para, kurse ekzaminerët e pranojnë që i kanë ndihmuar vetëm në baza shoqërore si favor për kolegët e “shefat” por që nuk kanë marrë para.

Pas kësaj situate, Prokuroria ka ngritur dyshimin për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, neni 339 i KPK-së, dhe për marrje të ryshfetit, neni 343 i KPK-së.

Por, kjo fazë e mbledhjes së provave në mënyrë të vrullshme ka zgjatur deri rreth datës 20 tetor, kur edhe ndodhin ndërrimet në njësinë e hetuesve.

Që kur nisën hetimet dhe filluan publikimet në media për rastin e patentë shoferëve, Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, te vëllai i gruas të së cilit ishin shtypur testet e konfiskuara nga Prokuroria, ka provuar që ta “pështjell” publikisht këtë rast.

Kishin kaluar dy javë që kur asnjë kandidat nuk po hynte më në test të patentë shoferëve në së paku tri qendra në Kosovë, pas sekuestrimit të materialeve nga hetuesit, dhe kjo ishte data 13 tetor 2011, por për Mujotën që po e inspektonte Autostradën, gjithçka dukej normale. Ai madje, duke iu referuar dhënies së punës për shtypjen e testeve vëllait të gruas e konsideronte si hap për rritjen e efikasitetit.

“Me ndryshimet që janë bërë brenda kësaj kohe jam shumë i sigurt që do të zvogëlohet në maksimum dhe do të ndalet keqpërdorimin në këtë drejtim”, deklaronte atë ditë Mujota gjatë inspektimit të punëve në Autostradë. Ndryshimet që ishin bërë atëherë ishin: ndërprerja e kontratës me kompaninë “Euro Printy” për shtypjen e testeve dhe dhënia e kësaj pune mikut të Mujotës, ndryshimi i sistemit të testeve dhe rënia e kalueshmërisë në teste nga 80% në 30%.

Mujota madje i pati gjykuar si “goditje gabim” hetimet e Prokurorisë që quan në mbylljen e këtyre tri qendrave. “U bëj thirrje edhe medieve, edhe atyre që janë duke bërë punën ligjore në këtë drejtim, të jenë të kujdesshëm që të mos godasin në anën e vendin e gabuar”, pati thënë Mujota. Ai në autostradë nuk foli më gjatë rreth hetimeve në këtë çështje, me arsyetimin se këtë do ta bëjë në Kuvendin e Kosovës.

“Nesër (i referohet datës 14 tetor 2011) do të kem një përgjigje për këtë interes, në një pyetje që ka bërë një deputete dhe do t’i jap të gjitha sqarimet. Besoj që nesër do t’i merrni të gjitha përgjigjet në Parlament, dhe unë besoj që e kam marrë një vendim jashtëzakonisht pozitiv për zhvillimet e më vonshme”, pati deklaruar Mujota.

E, kur doli në Kuvendin e Kosovës, Mujota ua “pështjelli” edhe deputetëve rastin. Për këtë rast, një pyetje parlamentare e kishte rezervuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

“I nderuar ministër, Ministria juaj po hetohet nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës për veprën e shpërdorimit të detyrës zyrtare të disa zyrtarëve tuaj, hetime këto që kanë çuar deri në mbylljen e Qendrës së patentë-shoferëve në Prishtinë. Sipas informatave, ministria juaj i ka besuar një punë shumë të ndjeshme mikut tuaj, konkretisht vëllait të gruas tuaj, siç është shtypja e testeve për patentë-shoferë. Si e arsyetoni ju gjithë këtë absurditet para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës?”, e kishte pyetur kjo deputete ministrin Mujota.

E përgjigja e Mujotës ishte krejt ironike. “E nderuara deputete! Po të ishit deputete e Partisë Demokratike, dikush do të mendonte si të koordinohet që të shtrohet kjo pyetje. Vërtet, falënderoj shumë! Por e dini ju që nuk është kështu”, i kishte thënë Mujota Bajramit duke vazhduar që të arsyetonte se gjithçka është në rregull te patentë shoferët. Ai nuk i ishte përgjigjur direkt pyetjes se Bajramit se a e ka ditur Mujota që testet po shtypen te miku i tij.

Derisa hetimet kanë një afat dy vjeçar, edhe faza e parashkrimit (vjetërsimit) të lëndëve ka një afat të caktuar për secilën vepër që hetohet, por në Prokurori nuk kanë përgjigje se edhe sa kohë mundë të ndodh ky fenomen me këtë lëndë. /Express/

Më Shumë

O Zot që fatet tona në dorë i mban!

Poezi nga Ndoc Gjetja O Zot që fatet tona në dorë i mban! Na ruaj nga shëndeti trashaman, na ruaj nga orekset e Sanço Pançës, na ruaj nga...

Totaj e Lladrovci diskutojnë për një bashkëpunim ekonomik

Në një takim zyrtar sot, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, në prani të miqve anglezë. Diskutimet u fokusuan...

Lajmet e Fundit