19.2 C
Prizren
E enjte, 3 Korrik, 2025

Ish-drejtori i Shëndetësisë në Rahovec mohon fajësinë se ka keqpërdorur detyrën zyrtare

Samir Mustafa, ish-drejtor i Shëndetësisë në Rahovec, tani këshilltar komunal në këtë komunë, e ka mohuar fajësinë se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Mustafa po akuzohet se duke e ditur që nuk lejohet, kishte shpallur konkurs në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Rahovec për pozitën e fizioterapeutit, e pas pranimit të kandidatit Halil Qanta, të njëjtit ia ka bërë ndryshimin e pozitës në mënyrë që ta përfshijë në listën e pagave, nga pozita e fizioterapeutit në Departamentin e Kryeinfermierisë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, i akuzuari Mustafa deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Drilon Haraçia e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Myhedin Bekeri, se seanca e shqyrtimit të dytë nuk do të mbahet dhe se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 4 mars 2019, në kohë të pacaktuar, Samir Mustafa, në pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Rahovecit, e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar autorizimet e tij me qëllim që t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore Halil Qantës.

Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që me rastin e shpalljes së konkursit për pozitën “Fizoterapeut”, në QKMF-në në Rahovec dhe pranimit të Halil Qantës në pozitën në fjalë për një periudhë 6 mujore, ka vepruar në kundërshtim me nenin 14 të Udhëzimit Administrativ Nr.02/2017, sipas të cilit rregullohet organizimi, struktura dhe veprimtaria e institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor.

Sipas aktakuzës, i akuzuari duke e ditur se pozita e fizoterapeutit nuk lejohet, ka shpallur konkurs për këtë pozitë dhe pas pranimit, të njëjtin e përfshinë në listë të pagave, jo si fizioterapeut meqenëse një pozitë e tillë nuk ishte e lejuar në QKMF, por i akuzuari bën ndryshimin e pozitës së Halil Qantës tek lista e pagave nga fizioterapeut në Departamentin e Kryeinfermierisë.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

67 aksidente trafiku, e mbi 2 mijë gjoba brenda 24-orëve

Policia e Kosovës brenda 24 orëve ka shqiptuar mbi 2 mijë e 56 tiketa trafiku. Në raportin 24-orësh të policisë bëhet e ditur se kanë...

Dyshohet për dhunë ndaj babait dhe bashkëshortes – një 25-vjeçar merret në pyetje nga policia në Malishevë

Një rast i dhunës në familje është raportuar më 29 qershor në fshatin Ngucat të Malishevës, ku një 25-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë...

Lajmet e Fundit