Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka alarmuar se mësimdhënësit po e lëshojnë Kosovën, dhe kjo, me shumë mundësi për shkak “të koeficientit të ulët të pagave”.
Në një deklarim për media pas takimit me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kreu i SBASHK-ut tha se rreth 300 kolegë mësimdhënës kanë kërkuar pushim mjekësor në këtë kohë.
“E luta z. Haradinaj, që me deputetët me të cilët përfaqësohet në parlament, që ta bëjë edhe një luftë shtesë që të ngritët koeficienti i pagave në arsim, shëndetësi, polici etj. Sepse me këtë koeficient, kemi një ikje të madhe të punonjësve”, tha ai.
Jasharaj tha se ekziston frika që mësimdhënësit të largohen nga Kosova dhe të mos kthehen më.
“Kemi rreth 300 kolegë që kanë kërkuar pushim pa pagesë. Dhe, kam frikën se këtë pushim ata mund ta shfrytëzojnë për të dal jashtë dhe nëse rehatohen atje, nuk do të kthehen. Dhe pastaj edhe të tjerët mund ta ndjekin të njëjtën rrugë. Atëherë, ç’do të na duhen shkollat pa mësimdhënës”, u shpreh Jasharaj.
Jasharaj e falënderoi Haradinajn për punën që tha se ka bërë për punonjësit e arsimit në Kosovë.
“Kryetarit Haradinaj i shpreha mirënjëhohje dhe respekt për gjërat që i ka bërë kur ishte kryeministër, për ligjet që i ka bërë për arsimin. I shpreha respekt meritor edhe për Ligjin për Ushtrinë, edhe për Ligjin – të cilin e punuam bashkë me Besnikun [Tahirin] – të Pagave, por i cili u rrëzua nga Kushtetuta fatkeqësisht”, tha Jasharaj.
Reklamë