19.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Jeta e shqiptarëve në romanin “E zeza dhe e kuqja” të Krajës

Romani “E zeza dhe e kuqja” është një roman më ndryshe për historinë e shqiptarëve ndër vite, duke sjellë para lexuesve një realitet të hidhur të historisë sonë. Romani ndahet në tri pjesë dhe secila pjesë trajton jetën dhe fatkeqësitë që e përcjellin një familje, një vend dhe një komb të tërë. Në këtë roman autori paraqet fatin dhe jetën e shqiptarëve në njëqind vjet, para dhe pas luftërave botërore, e duke ecur nëpër kohë deri te lufta e Kosovës, për të përfunduar në njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Karaktere të botës shqiptare ndër shekuj, ndër vite që sjellin tre breza, fate njerëzore të përjetuara nga njerëz të vegjël, por që autori me mjeshtri krijon me jetën dhe të bëmat e tyre një histori të madhe, gjithmonë me idenë për të mbrojtur vendin edhe nëse duhet të japim jetën. “E zeza dhe e kuqja” është rrëfimi për një të shkuar të historisë dhe për një realitet të hidhur të aktualitetit (pjesa më e madhe e prozës së Krajës është kthimi në histori, kthimi nuk ka synim pohimin por ironizimin, cituar nga Basri Çapriqi).

Te e zeza autori paraqet tragjiken, ku kufiri u bë, por la jashtë një Shqipëri tjetër ( Shqipëri të jashtme Kosovën), kurse e kuqja paraqet Shqipërinë e brendshme (Shqipërinë që u bë). Është roman që lexuesin e fut në botën e njeriut shqiptar, paraqet një jetë pa ngjyra me luftë, humbje e tragjizëm, pa e idealizuar atë.

Romani trajton çështjen kombëtare, religjioze e territoriale të popullit shqiptar. Ngjarjet në roman zhvillohen kryesisht në Shkodër, si dhe në kufiri me Krajën, Taraboshi. Personazhet kryesore janë tri gjenerata të një familjeje: gjyshi, baba dhe nipi.

Te pjesa e parë kemi brezin e parë të gjyshit Halil Bogdani, një njeri me idenë për të mbrojtur kufijtë, mirëpo ide dhe dëshirë kjo që vështirë të realizohej në një kohë kur e liga dhe tradhtia mbizotëronin kudo. Halil Bogdani pa ndonjë arsye konkrete ndërron fenë duke u bëre mysliman, ndoshta ky është ndikimi që kanë lënë pas perandoritë e ndryshme pushtuese. Mirëpo në atë kohë nuk kishte ndonjë ndikim të madh feja, madje religjione të ndryshme në Shqipëri kanë krijuar një ambient ku fatet janë ngatërruar, religjionet kanë bashkëjetuar pasi që hallet e tyre ishin te njëjta: moslëvizja e kufijve, të jetojnë të lirë në tokën e tyre.

Gjithashtu te pjesa e parë, por edhe në të gjithë romanin kemi edhe një numër të madh personazhesh, të cilët me botën e tyre jetojnë në mes jetës dhe vdekjes -(apo qenies dhe mosqenies, cituar nga Zija Çela). Janë njerëz që e pësojnë në tokën e tyre, herë nga pushtuesit e huaj e herë nga të pabesët që e tradhtuan vendin për përfitime personale.

Një karakteristikë tjetër e romanit është vdekja e brezave në kufi, dy brezat e parë, gjyshi dhe baba, kanë fatin e njëjtë të tragjikes. Gjyshi Halil Bogdani vritet duke refuzuar të vendosen kufijtë, vritet nga komisionarët duke lënë pas brezin e dytë – djalin, përkatësisht babën Sali Bogdani.

Sali Bogdani po ashtu bën jetë të vështirë, duke u dënuar padrejtësisht e duke pësuar si gjyshi Halil Bogdani, vritet në kufi nga dy palët partizane, njërën anë pala shqiptare, kurse në anën tjetër pala malazeze. Sali Bogdanin gjithashtu e quajnë tradhtar, pasi i thoshin se ishte ballist, duke ndikuar kjo edhe në jetën e nipit – djalit.

Tërë ngjarjen e rrëfen nipi me të gjitha përjetimet e njeriut shqiptar me dimensionin tragjik të përcjellë ndër breza. Gjuha e romanit është një shkrirje e dialekteve toskë dhe gegë duke e bërë romanin sa më origjinal.

Te pjesa e tretë kemi jetën e nipit, fatin e tij të ndrydhur, tradhtitë që i bëhen duke e mbyllur një njëqindvjetor brezash. Nipi vritet në ish-kufijtë e dikurshëm, por në një kohë tjetër në njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kufi ata që nuk ekzistonin më aty, por që kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e njeriut shkodran. Nipi vritet aksidentalisht nga një ushtarak i pensionuar, duke lënë përgjithmonë këtë botë.

Pra romani “E zeza dhe e kuqja” e Mehmet Krajës paraqet të zezën e popullit shqiptar në njërën anë dhe të kuqen në anën tjetër./Behare Demaku/

Më Shumë

Lajmet e Fundit