XHAVIT KRYEZIU
Është praktikë ndërkombëtare që në të gjitha hartat e botës toponimet e vendbanimeve të shkruhen në dy versione, në verzionin e gjuhës zyrtare të shtetit në të cilin gjenden vendbanimet, dhe në versionin e gjuhën angleze, meqenëse anglishtja është gjuhë zyrtare në mbarë rruzullin tokësor. Kjo praktikë vlen vetëm për toponimet e vendbanimeve, por jo edhe për emërtimet e shteteve, të cilat në gjuhën e shtetit amë mund të quhen ndryshe, por në gjuhët tjera ato ndryshojnë krejtësisht. Se emrat e shteteve ndryshojnë nga gjuha në gjuhë kjo është një gjë e vërtetë. Psh. gjermanët e quajnë shtetin e tyre të Gjermanisë “Duetschland”. Mirëpo, në shumë gjuhë të tjera Gjermania njihet me emërtime të ndryshme, si Germany në anglisht, Gjermani në shqip, Allemagne në frëngjisht, Njema?ka në kroato-serbo-boshnjkisht, ???????? në rusisht, Niemcy në polonisht etj. Njësoj është edhe me toponimet e vendbanimeve. Janë shumë vendbanime anembanë botës të cilët njihen me emra të ndryshëm në gjuhë të ndryshme. Fjala vjen, qyteti Firenze që gjendet në Itali, quhet Florence në anglisht, Florenz në gjermanisht, ose Firencë në shqip; qyteti Köln në Gjermani, njihet si Cologne në frengjisht, ose Këln në shqip.
Në hartat e viteve të mëhershme, gjegjësisht të kohës së ekzistimit të Jugosllavisë, toponimet e të gjitha vendbanimeve të atij, tani më ish-shteti, janë shkruar në gjuhën e atëhershme zyrtare serbokroate. Në të njëjtën gjuhë janë shkruar edhe toponimet e vendbanimeve të Kosovës, sepse siç dihet, edhe Kosova ka qenë pjesë e Jugosllavisë së atëhershme, deri në vitin 1999. Përkundër faktit se popullsia e Kosovës, njësoj si sot, edhe në kohën e ish-Jugosllavisë ka qenë pothuajse tërësisht shqiptare (mbi 90%), toponimet e vendbanimeve të Kosovës nuk janë njohur sipas verzionit të gjuhës shumicë (shqipe), por sipas atij serbokroate. Dihet, arsyet kanë qenë politike. Megjithatë, përbrenda Kosovës, janë njohur zyrtarisht edhe toponimet shqipe, kuptohet krahas atyre serbe. Fjala vjen, ne shqiptarët zyrtarisht e kemi pasur të drejtën që toponimin serb Uroševac ta përdorim si Ferizaj. Pastaj, toponimin serb ?akovica e kemi zëvendësuar me atë shqip Gjakovë, toponimin serb Pe? e kemi njohur si Pejë e kështu me radhë.
Pas vitit 1999, pasi Kosova u shkëput nga shteti i njohur atëherë si Serbia dhe Mali i Zi, dhe pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës (më 2008), autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje për ndryshimin e toponimet të vendbanimeve të Kosovës, nga ato me përmbajtje sllave në toponime që kanë kuptim dhe burojnë nga gjuha shqipe. Psh. toponimi Podujevë u zëvendësua me toponimin e ri Besianë, Istogu u bë Burim, Sërbica u bë Skënderaj, Gllogoci u bë Drenas etj. Për një kohë të gjatë, toponimet shqipe të vendbanimeve të Kosovës filluan të zënë vend edhe nëpër mediat e shkruara dhe ato elektronike të Kosovës. Mirëpo, ato nuk u zyrtarizuan kurrë nga institucionet përkatëse kosovare, si pasojë e presionit dhe mosdhënies së pëlqimit nga autoritetet ndërkombëtare, të cilat duket se ato e luajnë rolin kryesor në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me të gjitha çështjet me dhe rreth Kosovës. Si rrjedhojë, Besiana sërish u bë Podujevë, Theranda u bë Suharekë, Kastrioti u bë Obiliq, e kështu me radhë.
Ndërkombëtarët të cilët për më shumë se 18 vjet sa janë të pranishëm në Kosovë, duket se ende qëndrojnë prapa vendimmarrjeve në lidhje me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Në të gjitha shkresat zyrtare të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, siç janë UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i, OSBE-ja, ambasadat e huaja etj, toponimi i Kosovës është përdorë dhe shkruar sipas serb Kosovo, e jo sipas atij shqip Kosova. Nëse flitet për aspektet gjuhësore, varianti shqip Kosova është më i drejtë, më i saktë dhe më i përafërt me rregullat gjuhësore të gjuhës angleze, se sa varianti serb Kosovo.
Megjithatë, duket se për hir të “paanshmërisë”, ndërkombëtarët kanë vendosur t’i “sakrifikojnë” rregullat e gjuhës angleze, sigurisht duke mos dashur t’i zemërojnë serbët, të cilët do të pandehnin se ndërkombëtarët ua mbajnë anën shqiptarëve. Në këtë kontekst, “neutraliteti” i ndërkombëtarëve vazhdon të mbetet në fuqi edhe sa i përket përdorimit të toponimeve të vendbanimeve të Kosovës. Kur është fjala për toponimin e kryeqytetit të Kosovës Prishtina, ndërkombëtarët e shkruajnë atë, “as shqip, as serbisht” – Pristina! Këtë e bëjnë duke e evituar qëllimisht shkronjën shqipe “sh” dhe atë serbe “š”! arsyeja është sigurisht për t’i kënaqur të dyja palët, shqiptare dhe serbe. Edhe në rastet e përdorimit të toponimeve të tjera, ndërkombëtarët sillen “neutralisht” duke i përdorë ato në të dyja gjuhët (por pa shkronjat specifike shqipe ë, ç, ose ato serbe ?, ?). Psh Peje/Pec, Mitrovice/Mitrovica, Hoce e Madhe/ Velika Hoca etj. Shumë “precizë” janë edhe në rastin e qytetit të Prizrenit, i cili rastësisht shkruhet njësoj edhe shqip edhe serbisht, mirëpo ndërkombëtarët e shkruajnë atë dy herë njësoj, Prizren/Prizren!
Çfarë rëndësie kanë toponimet dhe gjuha e një shteti në arenën ndërkombëtare? Shumë, gjithsesi shumë.
Kur flitet për bazën e të dhënave (apo “Data Base” siç njihet në gjuhën angleze), të cilat përmbajnë të dhënat të shumta për çdo shtet të caktuar, të gjitha organizmat ndërkombëtarë, qoftë politikë, shkencorë apo të çfarëdo lëmie tjetër, i marrin ato të dhëna nga autoritetet e shtetit përkatës, dhe sipas nevojës i përhapin ato gjithandej botës. Kur është fjala për vendin tonë, të dhënat për Kosovën i shpërndajnë autoritetet ndërkombëtare, sipas verzionit “neutral” (as shtet, as pjesë e Serbisë), ashtu sikurse në fakt bashkësia ndërkombëtare e trajton çështjes ne Kosovës edhe më tej.
Dihet se njëra ndër armët më të forta në botë është informacioni. Përhapja e propagandës luan rol shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për shumë veprime dhe vendime të ndryshme. Sot, kjo është bërë e mundur dhe arrihet me shpejtësi dhe saktësi të madhe përmes internetit. Pra, interneti është bërë burim i çdo lajmi dhe marrjes apo shpërndarjes së të dhënave dhe informacioneve për të cilat ka nevojë të pajiset çdo kushdo që ka nevojë. Në këtë kontekst, rol të madh luan edhe gjigandi informativ, gjegjësisht Google Map, në të cilën përfshihen hartat e të gjitha shteteve dhe rajoneve të botës.
Çfarë ka të bëjë Google Map me Kosovën? Për një kohë të shkurtër, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008, nëpër hartat e botës, toponimet e të gjitha vendbanimeve të Kosovës janë shkruar sipas verzionit të gjuhës së popullsisë absolute të Kosovës, në gjuhën shqipe. Duhet shtuar se toponimi i kryeqytetit të Kosovës është shkruar shqip, si “Prishtinë”. Një fakt tjetër shumë domethënës për Kosovën ka qenë edhe vijëzimi i kufirit të Kosovës me Serbinë, i cili është konsideruar si kufi shtetëror, pasi që ka qenë krejtësisht i njëjtë sikurse kufijtë tjerë me Shqipërinë, Malin e Zi apo me Maqedoninë. (Shih foton e marrë nga Google Map).
Mirëpo, çfarë ndryshoi më vonë? Fatkeqësisht, për të keq. Pas vitit 2013, ndikuan shumë bisedimet e pafundme tekniko/politike të përfaqësuesve të Kosovës me ata të Serbisë. Dihet se pala kosovare u pajtua me njërën nga kërkesat këmbëngulëse të Serbisë që termi “Republika e Kosovës” të zëvendësohej me fusnotën, “Kosovo*”! Se marrëveshjet e shumta dhe jotransparente të palës kosovare me palën serbe kanë qenë të dëmshme për Kosovën, vërtetohen me shumë fakte. Edhe pse udhëheqësja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, marrëveshjet e tilla i quante si “fluska bore”, shumë shpejt u vërtetuan se ato marrëveshje në të vërtetë u shndërruan në mure betoni, të cilat jo që nuk po rrënohen por po përforcohen gjithnjë e më shumë. Marrëveshjet e dëmshme për Kosovën të pranuara me aq mendjelehtësi nga delegacioni i Kosovës, e kanë rikthyer pozicionin e Kosovës në gjendjen e para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008. Si rrjedhojë, shumë shpejt u vërejt edhe ndryshimi në politikën botërore karshi regjionit “Kosovo*”, e jo më shtetit të Republikës së Kosovës, sikurse filloi të njihej nëpër botë. Ky ndryshim u bë pasi ishte vetë Kosova ajo që hoqi dorë nga “republika”, dhe atë e zëvendësoi me fusnotën “Kosovo*”.
Krahas ngadalësimit (për të mos thënë ndërprerjes) së procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës, Kosova pësoi keq edhe në avancimin e çështjes së saj në arenën ndërkombëtare. Një nga ndryshimet negative në dëm të Kosovës është shenjëzimi i kufirit aktual i Kosovës në Gooogle Map. Tani më, kufiri me Serbinë nuk është shtetëror, siç ishte pas vitit 2008, por është bërë me vijë të kuqe. Kjo nënkupton se kufiri kosovaro-serb konsiderohet endes si kufi është kontestues dhe i papërfunduar, njësoj sikurse në fakt duket edhe statusi i Kosovës (shih foton 2 të Google Map).
Përveç formës së vijëzimit të kufirit të Kosovës me Serbinë janë ndryshuar edhe toponimet shqipe të vendbanimeve nga harta e Kosovës. Tani më nuk ekziston “Prishtinë”, por “Pristina”. Njësoj, ose më keq, ka ndodhë edhe me toponimet e vendbanimeve të tjera të tjera të Kosovës. Ato tashmë janë edhe shqip, edhe serbisht, mirëpo jo më në alfabetin latin, por qirilik serb. Psh. shkruhet Prishtinë/????????, Prizren/???????, Gjakovë/????????, Skenderaj/?????a, Ferizaj/???????? etj.
Mirëpo, a mbaron ky rrëfim me kaq?! Jo! Kohëve të fundit, “avancimi” i çështjes së Kosovës ka vazhduar edhe më tej. Mirëpo, gjithnjë në dëm të interesave shqiptare, e në dobi të atyre serbe. Kohëve të fundit, Google Map “neutral” ka bërë “zbulime” të mëdha”, të cilat janë sa fyese, aq edhe nënçmuese për neve shqiptarët. Kjo që ka bërë Google Map kundër shqiptarëve, nuk e ka bërë as Serbia e Miloševi?it! Këtë e them me plotë vetëdije dhe me përgjegjësi të plotë. Toponimet shqiptare të cilat nuk i ka ndërruar as antishqiptari Slobodan Milošev?, i ka ndërruar Google Map “i paanshëm”. Edhe në kohën e Miloševi?it shqiptarët e kanë gëzuar të drejtën e përdorimit zyrtar të toponimeve të vendbanimeve të Kosovës sipas verzionit shqip, kuptohet krahas atij serb. “Kasapi i Ballkanit” Slobodan Miloševi? kurrë nuk ua ka ndaluar shqiptarëve përdorimin e toponimeve në gjuhën shqipe.
Për shqiptarët e Kosovës ?akovica “serbe” ka qenë përherë Gjakova “shqiptare”. Uroševac ka qenë Ferizaj, Kosovo Polje ka qenë Fushë Kosovë e kështu me radhë. Mirëpo, këtë të drejtë ua mohon shqiptarëve Google Map “neutral”! Sipas Google Map nuk ekziston as Ferizaj, as Fushë Kosova, as Hoça e Madhe, as Suhareka e shumë të tjera lokacione të tjera. Për Google Map ekziston Uroshevac “shqip” dhe ???????? serbisht, ekziston Vucitrn “shqip” dhe ??????? serbisht, ekziston Suva Reka “shqip” dhe ???? ???? serbisht, Kosovo Polje “shqip” dhe ?????? ???? serbisht, Lipljan “shqip” dhe ?????? serbisht, Velika Ho?a “shqip” (me ? serbisht, e jo të paktën me ç shqipe) dhe ?????? ???? serbisht e kështu me radhë. (shih foton 3 të Google Map, ose linkun https://www.google.com/maps/@42.4446566,21.1367218,9z).
Çfarë mund të thuhet tjetër? Ku janë institucionet e Kosovës të cilat flejnë në gjumë dhe nuk i shohin këto gjëra? Pse nuk reagon askush? A kanë fund bisedimet dhe lëshimet e Kosovës ndaj Serbisë? Kah po shkon Kosova dhe populli ynë i mjerë dhe i nëpërkëmbur jo aq shumë nga të huajt sa po nëpërkëmbet nga vetë ne? Turp!