Dy lokalitete të rëndësishme arkeologjike janë zbuluar këto ditë në Rahovicë të Ferizajt, me rastin e punimeve në trasenë e rrugës magjistrale Prishtinë – Hani i Elezit.
Besohet se këto objekte datojnë që nga periudha e vonshme romake. Arkeologë nga Instituti për Trashëgimi Kulturore kanë thënë se bëhet fjalë për një kishë të vogël dhe një banesë që, sipas artefakteve të gjetura, mund të jenë të shekullit XV. Në terren është duke u bërë faza e fundit e gërmimeve dhe për pak kohë do të merret një vendim për ndryshimin e trasesë apo mbulimin e këtyre lokaliteteve të vjetra, ndërkohë që në këtë pjesë punimet janë ndërprerë nga kompania “Bectel-Enka” deri në një vendim nga organet përgjegjëse.
“Janë zbuluar gjurmët e një kishe mesjetare me dimensione 16 x 6 metra, e cila është dydhomëshe. Në përbërjen e saj e ka edhe apsiden, edhe pse është shumë e shkatërruar. Për ne nuk është ndonjë gjë e ndërlikuar për ta njohur nëse është kishë apo objekt. Puna jonë është të bëhet gërmimi i saj që të dihet saktë se për çfarë bëhet fjalë. Madje do të formohet një komision vlerësues për ta parë se çfarë do të bëhet më tutje me këtë objekt”, ka thënë arkeologu Premtim Alaj nga Instituti për Trashëgimi Kulturore.
Institucionet komunale për trashëgiminë kulturore janë alarmuar nga mundësia e zhdukjes së këtyre lokaliteteve. Nexhat Shanini, zyrtar i Njësisë për Trashëgimi Kulturore, ka thënë se do të përpiqen maksimalisht që këto gjetje me vlera të rralla historike për Komunën e Ferizajt të ruhen dhe të mos mbulohen.
Punonjësit e Muzeut të Ferizajt janë kujdesur t’i marrin të paktën disa artefakte nga këto lokalitete për t’i forcuar dëshmitë e hershme të jetës këtu, ndërsa zhdukjen e kanë konsideruar të dëmshme. Zyrtari i Muzeut të Ferizajt, Ilir Bytyqi, ka thënë se, pas informacioneve që ka marrë nga arkeologët për mbulimin e këtij lokaliteti, kishte ardhur këtu për të marrë dëshmi.
“Këto qeramika e tjegulla i mora si elemente për të dëshmuar se ka pasur vendbanime në trasenë e re që po ndërtohet. Kjo tregon edhe një dimension tjetër se treva jonë është shumë e pasur me vlera arkeologjike”, ka thënë Bytyqi.
Në Komunën e Ferizaj ka shumë vende që i përkasin trashëgimisë kulturore, mirëpo mirëmbajtja e tyre lë shumë për t’u dëshiruar, pasi kjo komunë nuk ka arkeolog. Vite më parë në shumë lokalitete të Ferizajt janë gjetur gjurmë të tumave ilire dhe sarkofagë të ndryshëm, të cilat dëshmojnë për ekzistimin e objekteve të lashta nga periudha ilire e romake si në Komogllavë, Nikadin, Varosh e Jezerc. /Epoka e Re