6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Komuna e Prizrenit arsyetohet se gjykata nuk e lejoi ta lirojë tregun “Qylhan”

Komuna e Prizrenit, arsyetohet se Gjykatën Themelore në këtë qytet nuk e lejoi ta lirojë tregun “Qylhan”

Sipas Komunës, kjo gjykata 5 minuta para se të fillojnë aksionin inspektorët ka marrë një aktvendim që i ndalon të veprojnë.

“Vetëm 5 minuta para orës 10:00, Zyra Ligjore pranë Komunës së Prizrenit ka njoftuar zyrtarët e inspektoratit se Gjykata Themelore në Prizren ka dërguar një aktvendim, ku Komuna e Prizrenit është njoftuar se iu është ndaluar që të bëjnë lirimin e këtij tregu dhe shfrytëzimi i hapësirës publike”, thuhet në reagim të Komunës së Prizrenit.

“Andaj edhe inspektorët dhe zyrtarët e tjerë komunalë janë detyruar që të kthehen nga aksioni i planifikuar, pa liruar tregun në fjalë!”.

“Përkundër ankesave të bëra ndaj këtij vendimi, Gjykata nuk ka dhënë ndonjë sqarim shtesë!”

Komuna e Prizrenit tregon se që nga muaji dhjetor 2019, ka filluar procedurat e lirimit të këtyre tregjeve, por për shkak të pandemisë dhe mbylljes totale të vendit, ky vendim nuk është ekzekutuar.

“Me normalizimin e situatës në vend,Drejtoria e Inspektorateve ka caktuar datën 9.7.2021, në ora 10:00 për ekzekutimin e vendimit për lirimin e tregut “Qylhan”, mirëpo me aktvendim të gjykatës nuk është realizuar”.

Dy tregje në komunën e Prizrenit janë shfrytëzuar pa kontratë që nga viti 2013 .

Sipas Auditorit, Komuna me datën 1 gusht 2001 ka bërë Marrëveshje mbi Koncesionin për tregjet “B. Curri “dhe “Qylhani” me kohëzgjatje për 10 vite, deri më datën 1 gusht 2011, nga kjo datë kanë bërë Aneks kontratë për një periudhë dy vjeçare deri më 1 gush 2013, duke u bazuar mbi kushtet e marrëveshjeve fillestare dhe duke cekur se kjo kontratë nuk mund të vazhdohet më tutje.

Në raport po ashtu bëhet e ditur se nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave ishte vendosur që të ngarkohen me tarifë deri në vitin 2016. Komuna nga viti 2017 nuk i ka faturuar këta shfrytëzues të pronave, pasi që nuk ka bazë ligjore për ngarkesë, përderisa shfrytëzuesit privat brenda këtyre tregjeve, paguajnë qira për shfrytëzimin e tezgave apo lokaleve që gjinden në treg.

Sipas Auditorit, shkak për këtë është mos implementimi me kohë i kushteve të kontratës me shfrytëzuesit e hapësirave dhe mos ndërmarrja e masave të nevojshme nga ana e komunës.

Në raport thuhet po ashtu se nga viti 2016 tetë parti politike kanë shfrytëzuar pronat-lokalet komunale me çmim prej 1 euro në muaj për lokal. Këto lokale ishin dhënë duke u bazuar në vendimin e asamblesë komunale të datën 29 dhjetor 2005.

Në raport po ashtu bëhet e ditur se pas përfundimit të auditimit për vitin 2020 komuna me vendim të Kryetarit ka larguar nga pronat komunale të gjitha partitë politike.

Ky shfrytëzim i tregjeve dhe pronave tjera publike, pa kontrata valide mes komunës dhe shfrytëzuesve të pronës komunale, i shkakton komunës humbje të konsiderueshme financiare.

Kryetari duhet të sigurojë marrjen e masave për largimin e shfrytëzueseve ilegal nga pronat publike, arkëtimin e borxheve dhe më pastaj dhënia e pronës publike me qira të realizohet sipas Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale 06/L-092.

Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale 06/L-092”, neni 23 pika 1 cek: ”Pas përfundimit të afatit të përcaktuar në kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, prona i kthehet komunës”/PrizrenPress.com/

 

Më Shumë

Parashikohet rënie e temperaturave në javën e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për javën e ardhshme parashihen ulje e temperaturave të vlerave ekstreme dhe reshje të shiut. E hëna...

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Lajmet e Fundit