14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Komuna e Prizrenit thërret dhe paguan darkën e Thaçit me mësimdhënësit

thaci me mesimdhenes ne pzDarka tradicionale e mësimdhënësve prizrenas me kryeministrin Hashim Thaçi është organizuar dhe paguar nga Komuna e Prizrenit. Në këtë organizim vjetor pretendenti për mandatin e tretë të kryeministrit u premtoi mësimdhënësve të pranishëm rritje pagash prej 100 për qind në mandatin e ardhshëm. Sipas komunës të pranishëm ishin 2000 mësimdhënës, ndërsa menyja për një person sillej prej 7 deri në 8 euro duke e çuar koston e kësaj darke në rreth 15 mijë euro.

Ndonëse nuk e përmendi “Misionin e Ri”, Hashim Thaçi shfrytëzoj rastin që në darkën e organizuar në një ambient malor afër Prizrenit të impresionojë mësimdhënësit e kësaj komune me premtimin për rritje pagash prej 100 për qind në katër vjetët e ardhshëm.

“Sonte vetëm dua t’ju siguroj dhe garantoj se për katër vjetët e ardhshëm, ju ftoj që me vëmendje këtë mesazh ta merrni, për gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës, duke filluar nga ata universitarë, të mesme dhe fillore do të ketë rritje të rrogave për çdo vit nga 25 për qind’’.

Ai po ashtu ua kujtoi atyre se ua kishte rritur pagat disa herë gjatë qeverisjes së tij.

Të hënën siç është bërë traditë që 7 vjet, Komuna e Prizrenit organizoi darkën me mësimdhënës ku i pranishëm është gjithmonë edhe kryeministri Hashim Thaçi.

Thaçi, i shoqëruar nga kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe shumë personalitete tjera nga PDK-ja, përveç tjerash kërkoi edhe përkrahjen në zgjedhjet e 8 qershorit.

Ndër premtimet tjera, Thaçi para punëtorëve të arsimit prizrenas tha se semestrat për studentët e universitetit publik do të zvogëlohen për 50 për qind, po ashtu 50 për qind do të ketë zvogëlim për mensë dhe konvikte, po ashtu tha se ka marrë vendim që 80 mijë studentë nga tetori i këtij viti do të fillojnë studimet falas.

Megjithë këto premtime, dy ditë para fillimit të fushatës zyrtare parazgjedhore, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit Ymer Berisha, njëherësh edhe këshilltar i Ramadan Mujës, nuk mendon se darka është përdorur për promovim partiak.

Sipas tij këto assesi nuk mund të quhen premtime politike, sepse siç tha ai mësimdhënësit janë shërbyes profesionalë të shtetit, me të cilët kryeministri bashkë me kryetarin e komunës Ramadan Mujën janë takuar për të dëgjuar hallet e tyre dhe sipas Berishës edhe për të hartuar politika më të avancuara.

Në anën tjetër të ngazëllyer nga premtimet e shumta të kryeministrit, njëra nga mësimdhënëset e pati edhe një kërkesë shumë interesante.

“U gëzum që po na premton shumë kryeministri. Këto koleget e mia po thojnë a bën edhe në deti me na çu”, tha mësimdhënësja Shqipe Krasniqi.

“E kemi ndërtuar rrugën e kombit për të shkuar më shpejt dhe janë rritur pagat për të qëndruar edhe më shumë n’deti”, tha kryeministri.

Nexhat Çoçaj, drejtor i Arsimit në Prizren tha se këtë darkë e ka organizuar drejtoria e tij, por tha se nuk e dinte kush do të paguajë.

“Unë vetëm i kam ftuar mësimdhënësit për darkë, se qysh e kush e paguan darkën unë nuk e di”, tha Çoçaj.

Mirëpo, këtë informatë e ka zëdhënësi i komunës.

“Organizimi është i Komunës së Prizrenit dhe Komuna e Prizrenit sigurisht që merr përgjegjësinë e pagesës së kësaj darke. Darka-në fakt menyja sillet 7-8 euro për person dhe sipas informacioneve tona, numri i arsimtarëve pjesëmarrës sillet afërsisht rreth 2 mijë persona”, tha Berisha./Gazeta Jeta ne Kosovë/

Më Shumë

Rreth 60 aksidente trafiku për 24 orë

Brenda 24 orëve në Kosovë u shënuan 59 aksidente trafiku. Kështu bën me dije raporti i policisë. Po ashtu u regjistruan 24 aksidente me të lënduar...

Pak fllad, IHMK del me një lajm të mirë për temperaturat

Gjatë javës së ardhshme në Kosovë do të mbajë mot me diell, ku nga mesi i javës temperaturat do të bien deri në 26...

Lajmet e Fundit