18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Komunat politike

Bekim KupinaShkruan: Bekim Kupina

Merreni me mend, Komorani e Kijeva, me status të njëjtë sikurse Prishtina e Prizreni. Katundi i parë njihet nga një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës si udhëkryq, në të cilin në prag dhe gjatë luftës kishte ekzistuar një postbllok famëkeq i milicisë serbe. Ndërkaq Kijeva famën më të madhe sesa vendimi për t`u bërë komunë e përjetoi nga një deklarim i diplomatit amerikan, Richard Holbrooke, i cili më 1998 këtë fshat e pati cilësuar më të rrezikshmin në Evropë

Vendimi i Qeverisë në largim të Hashim Thaçit për krijimin e një sërë komunash të reja, ndër të cilat Kijeva e Komorani, është më paradoksali në mandatin që iku. Duke shumëfishuar komunat politike, Thaçi i indoktrinuar nga decentralizimi ahtisaarian, pa prezantuar ndonjë analizë të hollësishme për arsyeshmërinë dhe qëndrueshmërinë, krijoi disa komuna, të cilat nuk i mjaftojnë dhe nuk e arsyetojnë as vetveten.

Pse atëherë vendime të tilla politike për konsum elektoral, por me pasoja afatgjate. Është bërë një vit qëkur qeveria “Thaçi 2” ka miratuar vendimin për themelimin e komunave Has, Gjonaj e Zhegër, me të cilat numri i komunave kosovare arrin në 41. Një vit më pas këto tri katunde komunale vazhdojnë ta bëjnë jetën e tyre si më parë, duke kërkuar zgjidhje për problemet e tyre nga komunat të cilave u takojnë zyrtarisht. Pra asnjë shenjë, përveç një vendimi në letër, me të cilin banorët e këtyre katundeve mund të çmallen sa herë që u bie ndërmend komuna.

Në Han të Elezit dhe Novobërdë, në objektet komunale përgjatë ditës rrallë ndonjë qytetar vërehet duke kërkuar ndonjë shërbim komunal. Nëse ky ritëm është i çdoditshëm, atëherë çfarë të hyrash realizon komuna dhe cila është arsyeshmëria që një lokalitet i caktuar ta bartë statusin e komunës. Në Novobërdë, banorëve të fshatrave periferike u nevojiten 10-15 km rrugë për të marrë një ekstrakt lindjeje, teksa më afër e kanë për ta bërë një punë të tillë në Gjilan. Prandaj, themelimi i kësaj komune nuk është asgjë më shumë sesa një nevojë politike e momentit, por krijim i një problemi afatgjatë. Këto komuna xhuxhe që prej themelimit të tyre nuk kanë arritur të tejkalojnë stadin e zyrave të ofiqarisë, ndaj është anakronik vendimi që numri i tyre të rritet.

Merreni me mend, Komorani e Kijeva, me status të njëjtë sikurse Prishtina e Prizreni. Katundi i parë njihet nga një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës si katund udhëkryq, në të cilin në prag dhe gjatë luftës kishte ekzistuar një postbllok famëkeq i milicisë serbe. Ndërkaq Kijevës reklamën më të madhe në ekzistencën e deritashme ia bëri diplomati amerikan Richard Holbrooke, i cili më 1998 këtë fshat e pati cilësuar më të rrezikshmin në Evropë.

Këto dy argumente nuk përbëjnë as më të voglin shkas që këto katunde të avancohen në komuna. Për faktin e thjeshtë se edhe komunat përreth tyre, siç janë Malisheva e Drenasi, funksionojnë bukur si me zor, ani që trajtimin përgjatë qeverisjes Thaçi e kishin për lakmi. Madje aq mirë trajtoheshin, saqë ministritë e linjës investonin më shumë në Malishevë e Drenas sesa në Prishtinë. Pra këto minikomuna dominonin ndaj kryeqytetit jo për tjetër, por shkaku i favorizimit politik nga partia në pushtetin qendror.

Fundja, mund të kuptohet nevoja e banorëve që disa lokalitete që mund të kenë fuqi ekonomike të avancohen, porse as kjo dëshirë nuk e fuqizon nevojën politike, sepse edhe ashtu komunat kosovare siç janë, të shumtën, në sytë e nevojave praktike qytetare nuk janë asgjë më shumë sesa zyra ofiqarie.

Centralizimi i kompetencave nga pushteti qendror ka lënë komunat aktuale vetëm formalisht në kornizën e këtij statusi. U deshën tri javë bojkot në kërkim të ngritjes së pagave dhe në fund problemin e edukatoreve të çerdheve publike në Prishtinë sërish e zgjidhi niveli qendror. Pasojat e ndeshjes ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal i përjetuan qytetarët që për tri javë rresht u privuan nga e drejta e tyre për t`i dërguar fëmijët në çerdhe. Në të njëjtën linjë, qendrat e mjekësisë familjare përballen me mungesë stafi mjekësor, teksa niveli qendror përcakton shumën dedikuar sektorit komunal të shëndetësisë dhe sipas të cilit mandej krijohen probleme, të cilave komunat nuk mund t`u dalin zot. As me hapjen e çerdheve të reja publike komuna s`mund të bëjë hap para, për faktin e thjeshtë se sërish niveli qendror, Ministria e Financave, nuk lejon tejkalimin e projeksionit buxhetor.

Këta tre shembuj, por edhe shumë të ngjashëm, e shndërrojnë komunën në një institucion skajshmërisht paternalist ndaj nivelit qendror. Rrjedhimisht, atë e bën pjesërisht të padobishme për qytetarin, si institucion i cili ligjërisht duhet të kujdeset për të.
Por, deri te ky stad ka shumë punë, sepse vendimet që janë marrë po dalin të jenë të konsumit ditor. Qeveria vendimet që ka marrë për themelimin e komunave të reja i ka bërë pa ndryshuar bazën aktuale ligjore për të cilën obligohet ligjërisht. Kjo parasheh që pas regjistrimit të popullsisë, të ndryshohet Ligji për kufijtë administrativë, gjë që nuk është bërë. Rrjedhimisht, kjo paraqet pengesën e parë drejt realizimit të idesë për themelimin e komunave të reja.

Me këtë ligj, themelimi i komunave të reja, bashkimi, ndarja, ndryshimi i kufijve administrativë të komunës dhe caktimi i emrit apo selisë se komunës bëhet me plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji. Ky ndryshim nuk ka ndodhur dhe as që mund të ndodhë, ndaj në këtë fazë vendimi për themelimin e komunave Komoran e Kijevë është limonadë për votuesit e kësaj ane që do të marrin mundin për të votuar më 8 qershor.

Prandaj, përpara tendencës për ta paraqitur si nevojë themelimin e komunave të reja duhet hapur debati për rishikimin e funksionimit të pushtetit lokal në Kosovë. Ky debat të pasohet me ndryshimin e Ligjit për vetëqeverisjen lokale, me të cilin do të bëhet i mundshëm krijimi i pushtetit treshkallësh: Prefektura, bashkia, komuna. Jo siç është aktualisht, kur të gjitha këto komuna të mëdha e të vogla trajtohen njësoj. Në praktikë niveli qendror ka manifestuar mosgatishmëri për t`i trajtuar komunat siç duhet. Precedent në këtë rrafsh paraqet Prishtina. Prej tetë vjetësh ka mbetur peng Projektligji për Prishtinën, i cili kryeqytetin e bën të jetë i dallueshëm nga komunat e tjera kosovare. Të gjitha subjektet politike janë sjellë me shpërfillje ndaj kësaj nisme, ndaj çështja ka ngecur, duke e trajtuar Prishtinën njësoj si Rahovecin a Junikun. Një poshtërim ky jo vetëm për kryeqendrën, por edhe për shtetin.

Në këtë kontekst pushteti lokal duhet të riorganizohet për të qenë funksional në dobi të qytetarëve, por jo për të përmbushur nevojën politike. Kjo nevojë ka devalvuar në tërësi idenë e ekzistimit të komunave.

Me këtë qasje ka mbetur mangu vetëm edhe themelimi i komunës së Burojës, vendlindja e Thaçit, jo pse ka nevojë, por vetëm për t`ia mundësuar liderit të PDK-së manifestimin e ndjenjës së solidarësisë me bashkëfshatarët e vet, të cilët mbase në gjithë historinë njerëzore tepër zor se mund ta kenë edhe një rast që në krye të Qeverisë ta kenë njeriun e tyre.’/Koha Ditore/

Më Shumë

Operacioni i Doganës dhe ATK-së në Prizren: Konfiskohen afër gjysmë milioni euro ari dhe argjend të kontrabanduar

Rreth gjysmë milioni euro ari dhe argjend pa dokumentacion janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës në qytetin e Prizrenin, pas një operacion të përbashkët...

Trashëgimia e “Kino Lumbardhit” në Prizren, kinemasë më të vjetër në Kosovë

"Kino Lumbardhit" është një nga vendet më të njohura dhe historike të kinemasë në Kosovë, e cila edhe zyrtarisht është kinemja më e vjetër...

Lajmet e Fundit