14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Kryeveprat janë shkruar

teuta-ok-212x320Letërsia është një zgjedhje që Teuta Kasoruho e ka bërë natyrshëm. E tërhequr nga rrëfimi, ajo nuk lodhet nga e shkruara, por e quan të vetmin proces të brishtë e grishës, të gjithë rrugëtimin që një autor duhet të bëjë me librin. Pas botimit të romanit të parë “Bukuroshi i Hollivudit” në vitin 2008, ajo ka vetëm pak kohë që ka nxjerrë në treg një tjetër roman. “Shërbëtori i zotërisë së pabesë” është romani që duket se ka e rritur Kasoruhon në gjininë e prozës, duke riardhur sërish me një temë që nuk e ka rrëmuar diku në imagjinatë, por e ka marrë aty në bisedat e kafeneve apo tryezave në familjet tona, siç është marrja e pronave të ish-pronarëve gjatë diktaturës.

Pse kjo grishje ndaj temave reale, për t’i kthyer në një subjekt letrar?

teuta okUnë mendoj që, është koha për ne shqiptarët të rrëfehemi. Madje jemi disi me vonesë. Do të na bënte mirë të nxjerrim nga vetja ato që përjetuam gjatë komunizmit dhe ato që po përjetojmë si popull në këtë periudhë të gjatë tranzicioni. Kam një ndjesi personale, që ne si komb e kemi të vështirë rrëfimin (provë për këtë është moshapja akoma e dosjeve për të cilën flitet kaq shumë). Parapëlqejmë fshehjen apo mbulimin dhe justifikimin e atyre që bëjmë. Por nuk mund ta lësh mbrapa një të kaluar nëse më parë nuk e nxjerr atë në dritë, nëse më parë nuk e kupton, nëse nuk e analizon çfarë dhe pse ndodhi. Kjo sjellje, mbart rrezikun e përsëritjes së gabimeve. Për një gjë të jeni të sigurt. Ajo e kaluar nuk do të na shqitet deri sa t’i kalojmë këto faza një më një. E kaluara është diçka të cilës nuk mund t’i bësh “hile”. Në këtë rast, prej kaq vitesh, hilet po ia bëjmë vetvetes dhe kjo nuk po na lejon që të bëjmë para. Prandaj, personalisht më ka ardhur e natyrshme që të shkruaj për ngjarje që i njoh. Libri i parë ka pasur si temë vitin ’97, ndërsa i dyti ka si temë atë që u ndodhi familjeve pak a shumë të pasura të shoqërisë shqiptare pas ardhjes së komunizmit. Me të padrejtë, atyre iu mor pasuria dhe statusi të cilin e kishin arritur vetë. Kjo ngjarje e gabuar dhe pasojat e saj janë përshkruar nëpërmjet një rrëfimi njerëzor që përfshin katër brezat e familjes protagoniste në libër. E vërteta është që ne si popull, akoma po vuajmë problemet e pronave dhe të pasurive që prekin tashmë çdo familje shqiptare.

Gjithë ajo botë personazhesh …

Ato personazhe dhe ajo botë për të cilën kam shkruar, është gjithkund përreth nesh. Janë histori tipike tonat. Është një botë sipas perceptimit tim “Made in Albania”. Kam shpresë që kjo është njëra nga gjërat që do ta bëjë lexuesin shqiptar për vete te këta romanë. Kam parë një tendencë këto vitet e fundit në artin shqiptar, në letërsi dhe kinematografi. Tendencën për “të kapur” modernitetin, që botës përreth nesh, vendeve të zhvilluara, u ka ardhur natyrshëm dhe përgjatë shumë viteve. Unë parapëlqej “Made in Albania”. Mbase nën këtë markë kemi se çfarë t’u themi edhe ne kombeve të tjera. Dhe mbase duke rrëmuar te vetja do të kuptojmë më mirë cilët jemi dhe do të arrijmë të rigjejmë vetveten, të rigjejmë pak krenari kombëtare, të cilën, dikur e kishim të pompuar, e tanimë prej kohësh nuk e shohim gjëkundi. Gjatë gjithë këtyre viteve të paskomunizmit, më ngjan se kemi qenë në një përhumbje më shumë sesa të vetëdijshëm për hapat që hedhim.

Si është të bësh letërsi në këto kohë në vend?

Kam përshtypjen që të bësh art dhe letërsi në përgjithësi është gjithmonë e vështirë. Për mua vështirësia nuk vjen kur shkruaj. Të shkruarit është faza më e këndshme e kësaj “pakete”. Vështirësia vjen kur ajo që ke shkruar, duhet botuar dhe duhet promovuar. Duhet çuar në duart e lexuesit. Mesa duket, arti dhe letërsia janë një luks që popujt e varfër si yni, i shijojnë me vështirësi e me pikatore. Dhe kjo është shumë e natyrshme për momentin. Por, nga ana tjetër, shteti dhe drejtuesit e një vendi, e në këtë rast shteti apo instancat shqiptare përkatëse, duhet të kuptojnë mirë rëndësinë që ka letërsia, arti e kinematografia dhe duhet t’u japin atyre vendin e duhur. Mos mendoni se janë të mangët anglezët që kanë bërë dhjetëra filma për Shpatën Eskalibur dhe Mbretin Arthur? Apo dhjetëra filma për Mbretëreshën Elisabet? Jo. Nuk janë të mangët, por janë shumë të mençur madje. Ata e dinë shumë mirë se çfarë impakti ka arti në vetëdijen e një kombi. Prandaj qytetarët e tyre janë krenarë dhe pothuajse e gjithë bota flet anglisht! A thua i kemi ne shqiptarët të paktë heronjtë? Kemi pesëdhjetë e kusur vjet që mbahemi me një film të vjetër për Skënderbeun? Nuk kemi bërë asnjë film për Fan Nolin? Përse të mos bëhet një film për Bajram Currin, për Nënë Terezën? A e dini se Uashingtoni ka lindur nga një nënë shqiptare? Amerikanët na kanë “borxh” presidentin që themeloi kombin e tyre. A e dini se Ana Bolena që lindi Mbretëreshën Elisabet ishte edhe ajo me origjinë shqiptare? Epo edhe anglezët na paskan “borxh” një mbretëreshë. E nëse këto gjëra shkruhen dhe ngrihen në art, qytetari shqiptar do të bëhet më krenar për gjenet që trashëgon. E nëse ikim nëpër botë, le të shkojmë para tyre me kokën lart! Epo këto janë gjëra që ia rrisin krenarinë një qytetari dhe një kombi. Për këto gjëra ia vlen të investohet …

Nga ana tjetër, për t’u kthyer prapë te pyetja juaj në lidhje me vështirësitë e të qenët shkrimtar në Shqipëri, përveç atyre që u thanë më sipër, ekziston edhe një vështirësi tjetër për shkrimtarët. Sidomos për shkrimtarët e rinj. Ju e dini mirë që, edhe në botë, ata që nderohen me çmime për letërsinë janë autorë pak a shumë të vjetër në moshë. Janë autorë që pak a shumë e kanë shkruar veprën e tyre. Në çastin kur e ke shkruar veprën, edhe të tjerët e kanë më të lehtë të të vlerësojnë dhe të gjykojnë për të. Autorët e rinj, shkruajnë nën trysninë e gjithë gjenive që kanë shkruar para tyre dhe janë kthyer tashmë në ikona për lexuesit shqiptarë dhe lexuesit në botë dhe, nga ana tjetër, duhet të kenë kujdes që të mos shkruajnë tema për të cilat tashmë kryeveprat janë shkruar! Po të kemi parasysh atë që është thënë që në kohën e Mesjetës: bota e ka arritur kulmin e saj. Tashmë po vjen zhbërja! Imagjinoni se ç’mund të thuhet sot. Të gjithë gjërat që themi, janë thënë me kohë e me vakt. Atëherë për çfarë do të shkruajmë?!…

E ndiqni letërsinë që shkruhet sot, nga brezi juaj. Shihni një kthesë në mënyrën e të shkruarit apo të bërit letërsi?

Meqenëse jam pjesë e prozës shqiptare, e kam të domosdoshme ta ndjek atë. Kthesë? nuk e di. Di që asgjë nuk mbetet në vend, por ecën për diku. Çështja është se, a jemi duke ecur në rrugën e duhur?!

Redaktori i librit tuaj është Amik Kasoruho. Çfarë veçoni nga njohja me të?

Ky libër pati një fat të veçantë. Siç e thatë edhe ju, redaktori i librit është shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Amik Kasoruho. Z. Amik e kam takuar rreth katër vite të shkuara në Panairin e Librit. E takova dhe iu prezantova. Ai më tha se e kishte parë romanin e parë që kisha botuar në atë kohë dhe kishte pyetur: Kush është kjo vajza nga Kasoruhot që po shkruan romanë? Mua më iku e gjithë ndrojtja e parë që pata, sepse ai ishte kaq i thjeshtë në komunikim. Pastaj filluam të kujtonim gjithë të afërmit e familjes Kasoruho që i njihte dhe ai edhe unë. Më pas jemi takuar përsëri në panaire. Dhe kur filluam bashkëpunimin për librin, jemi takuar disa herë në kafen e tij të preferuar “Internacional” përballë Presidencës, ku ai atë kohë punonte. Ai ishte një njeri shumë fisnik dhe unë i kam borxh disa këshilla të vlefshme që e bënë këtë libër edhe më të mirë.

Më Shumë

Fitojnë Ballkani e Llapi po jo edhe Drita

Ballkani dhe Llapi kanë arritur të fitojnë në Javën e tridhjetë e katërt të Superligës, por jo edhe Drita. Ballkani ka mposhtur bindshëm Fushë Kosovën,...

Sulmohet me mjete të mprehta një person në Prizren

Një person është sulmuar me mjete të mprehta në Prizren. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor . “Viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi që pas një mosmarrëveshje...

Lajmet e Fundit