18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Specialja ia ndërpret paraburgimin Isni Kilajt, obligohet t’i japë 30 mijë euro dorëzani

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që t’i ndërpritet paraburgimi Isni Kilajt, ndonëse sipas tyre ende ekziston dyshimi i bazuar për veprat penale për të cilat ishte arrestuar. Lirimi i ish-kryetarit të Malishevës është bërë nën masa të rrepta e po ashtu është obliguar që si kusht paraprak të paguajë dorëzani në shumën prej 30 mijë euro.

Sipas DhSK-së, gjykatësi i procedurës paraprake ka konstatuar se zgjatja e paraburgimit në rrethanat aktuale ishte e paarsyeshme duke e marrë për bazë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/776367217955014

“DhSK-së më 13 maj 2024, në vendimin mbi rishikimin e paraburgimit të Isni Kilajt, gjykatësi i betëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjykatësi i vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që z. Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga mbrojtja e z. Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga gjykatësi i vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e z. Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera. Megjithatë, gjykatësi i vetëm arriti në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të z. Kilaj në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja”, thuhet në njoftim.

Veç tjerash, aty përmendet se Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuajse gjashtë muaj, andaj kërkon kohë edhe paraqitja e aktakuzës së ndryshuar kërkesë kjo që së fundi është bërë nga ZPS-ja.

“Gjykatësi i vetëm mbajti parasysh se (i) z. Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj; (ii) për veprat penale për të cilat z. Kilaj konsiderohet i dyshuar mund të dënohesh nga një (1) deri në (5) vjet; dhe (iii) kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti gjykatësit të vetëm për pezullimin e shqyrtimit të aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit.  Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të z. Kilaj nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri”, thuhet në njoftim.

https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/413710234950771

Megjithatë, kundër këtij vendimi për lirimin e Kilajt kishte dalë ZPS-ja, por Apeli e kishte rrëzuar këtë ankimim.

“Më 13 maj, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e ZPS-së kundër vendimit. Apeli i ZPS-së fokusohej në kushtet e lirimit të z. Kilaj të urdhëruara nga Gjykatësi i Vetëm”, thuhet tutje.

Tutje, përmendet se ndonëse është i liruar, Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar dhe është i detyruar që t’i japë administratores dorëzaninë në vlerë të 30 mijë euro si kusht paraprak për lirimin e tij, nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës pa lejen e DhSK-së, nuk duhet të bëjë deklarata publike lidhur me DhSK-në, e të tjera.

“Ndonëse është liruar, z.Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga gjykatësi i vetëm, ndër të tjera, që ai: • duhet t’i japë Administratores një garanci financiare (dorëzani) në shumën 30.000 euro si kusht paraprak për lirimin e tij; nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DHSK-së dhe t’i dorëzojë Administratores pasaportën dhe çfarëdo dokumenti tjetër udhëtimi të tij; • duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në policinë e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga administratorja; • nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së, përfshirë deklarata që përmbajnë kërcënime, dhunë ose frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimit penal; • duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është theksuar se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilajt.

Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, ishte transferuar më 3 nëntor 2023 në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pasi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

Përveç kësaj vepre, Kilaj dyshohet edhe për veprën penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Shkelje të sekretit të procedurave”.

“Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

Sipas këtij njoftimi, ZPS ka thënë se e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjek penalisht të gjithë ata që përfshihen në çdo rast.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

Tutje, ZPS përmes njoftimit tha se EULEX-i dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. /BetimipërDrejtësi

Marketing

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

 

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

 

 

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit