18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kujt i rri mirë kostumi i politikës…

opinion 23Prof. Dr. Ylli Pango

Përse njerëzit janë të pakënaqur me ta dhe përgjithësisht i fusin pothuaj në të njëjtën kategori a kallëp, siç thonë. A mos vallë sepse njerëzit që kërkojnë me të drejtë zgjidhje për hallet e tyre që nuk mbarojnë kurrë duhet t’i drejtohen dikujt dhe kush më tepër se politikani e merr përsipër këtë që në momentet kur fillon premtimet parazgjedhore e në vijim sa të ketë jetën politike? Njerëzit deri më sot nuk kanë arritur e as nuk do të arrijnë të kënaqen në mos kurrë, për një kohë të gjatë, edhe sepse më e mira është e vështirë, në mos e pamundur të arrihet ndonjëherë, për të gjithë? Dhe për këtë mosarritje të përjetshme, duhet gjetur një kokë turku e kush tjetër më shumë se politikanët është i përshtatshëm a përderisa premton, gjegjës për këtë?

Por përveç këtyre arsyeve të përgjithshme që lidhen me jetën e përditshme të njerëzve, ekzistojnë edhe disa tipare të tjera që mund të përgjithësohen a së paku që shfaqen tek një pjesë e madhe e politikanëve. Kështu për shembull, politikanët janë përgjithësisht më të prirur për të ndërmarrë rreziqe a për të mos iu shmangur atyre, në krahasim me njerëzit e tjerë. Aq sa mendohet se ata tentojnë të jenë në kërkim të rrezikut, sfidës, problemeve nga natyra dhe kjo përfshin edhe vënien në rrezik të jetës familjare, karrierës, madje edhe jetës për afera të ndryshme që zënë fill që nga korrupsioni, përfshirja në rrjetin e mafias apo edhe aferat që prekin jetën e tyre personale e atë intime. Të gjitha këto kanë një arsye bazale fillestare, përveç arsyeve të tjera: Politikanët tentojnë të jenë njësha, të spikatur, alfa, dhe aksesi më i madh në afera financiare, mafioze, seksuale etj.,e shoqëron natyrshëm këtë pozicion. Duke u ekspozuar kësisoj karshi aferave, rrezikut, duke u përzjerë, edhe sepse i ka mundësitë më të mëdha, në lloj-lloj aferash, rritet natyrisht probabiliteti i gabimit a i rënies së politikanit në grackë, zhurma që shoqëron rënien e tij, e për rrjedhojë edhe nëse këto raste nuk përbëjnë shumicën, përgjithësimi i njerëzve, tenton t’i fusë ata në të njëjtën kategori me të atyre që bien kësisoj.

Sipas disa teorive të tjera nuk është politikani që e kërkon rrezikun, por ai që di ta shmangë atë me mjeshtëri e duke manovruar e shitur këdo tjetër që mund të vlejë si kokë turku për të shpëtuar veten. Në jetën e tij politikani ndodhet përpara mjaft opsioneve a oportuniteteve politike a ekzekutive e për rrjedhojë mund të përpiqet të zgjedhë a gjejë më të favorshmin syresh. Dhe nëse zgjedhja a gjetja e tij, nuk rezultojnë të favorshme, sipas tij është gjithnjë faji i dikujt tjetër, që e ka bërë këtë zgjedhje a që ka çuar në mosfunksionimin e duhur të saj. Në këtë aspekt është më lehtë të shihet psikologjia e politikanit, tiparet e tij, skrupujt a mungesa e tyre, si ato që përbëjnë psikologjinë e çdo njeriu të zakonshëm të atij që arrin të kalojë në politikë apo edhe të atij që nuk arrin a që merret me punë të tjera.

Pra njeriu me të gjithë të metat e anët e tij negative, sepse të gjithë të metat, veset, mungesa e skrupujve janë në përgjithësi njerëzore, madje të përhapura në një masë shumë të madhe tek pjesa më e madhe njerëzve të cilitdo profesion a të cilësdo kategori, por të spikatura më shumë tek politikani, si në terrenin më pjellor për lulëzimin e shfaqjen e tyre. Apo sepse politikani është njeri më publik, në sy të gjithë njerëzve a më me përgjegjësi për fatet e tyre, jetët e tyre e të familjeve të tyre. Apo edhe sepse të metat e anët negative janë më të theksuara te njeriu i prirur të bëhet politikan dhe këtu arrin kulmin e vet dinakëria, hipokrizia, mungesa e skrupujve, mizoria, pragmatizmi e amoraliteti, se edhe vetë zanati është i tillë që i kërkon këto. Ashtu si dhe njeriu që vendos t’i hyjë këtij zanati i njeh këto tipare dhe e di se që të mbijetojë a superjetojë në politikë, duhet të bëhet a të jetë i tillë. Historia, përvoja, kontaktet sociale u mësojnë mjaft politikanëve në këtë aspekt dhe do të ishte naive të besoje se ka njerëz që hyjnë në politikë me idenë se atje do të gjejnë ndershmërinë, moralin, vlerat sipërore.

Në një studim tjetër psikologjik një autor më ekstremal thotë se vetë pozicioni politik, i kërkon njeriut që lufton për të, të jetë një prostitutë pa princip. Kësisoj rrjedh se është më e mundshme që njerëzit që në aspektin karakterial, përfaqësojnë që hershëm, madje pa hyrë në politikë, prostituta karakteriale pa princip, të tërhiqen natyrshëm në politikë apo nga politika dhe të zënë vend mirë aty në përputhje me karakterin e tyre. Kjo tezë ka gjithashtu bazën e saj logjike e faktike.

Është më e mundshme të ndodhë kjo, pra përputhja e karaktereve të tilla me zanatin e politikës, gjë që ka ndodhur jo rrallë, sesa të ndodhë që njerëz pa asnjë prirje të tillë, a ndryshe me principe të larta morale, të hyjnë e të transformohen kësisoj në politikë. Natyrisht edhe këtu ka përjashtime të tilla që vërtetojnë rregullin, kur njerëzit të transformohen nën ndikimin e presioneve të politikës, frikës, situatave jo të zakonshme etj. Ka edhe raste të tjera kur ata cedojnë pjesërisht duke përdorur mjete e teknika pa skrupull që i njeh e i pranon vetëm politika a bota e krimit a e korrupsionit. Rasti i Abraham Linkolnit etj., janë pak a shumë të tillë, por edhe këta siç e dëshmon historia, në moment të caktuara arrijnë a detyrohen të veprojnë a të përdorin mjete a rrugë që vinë në kundërshtim me parimet morale, principet, a ato që besojnë, për hir qoftë dhe të çështjeve të drejta më të mëdha, siç ishte heqja e skllavërisë së afro-amerikanëve në shekullin 19 në ShBA. Por në përgjithësi, këto raste janë shumë më të rralla se të njerëzve që me koshiencë, veprojnë pa skrupuj në politikë se të tillë janë lindur a gatuar e politika është ajo më e gjetura, që iu është përshtatur.

Në një analizë tjetër të ashpër, thuhet madje se politika tërheq në gjirin e saj sociopatët, që nuk kanë brerje ndërgjegje për asgjë e veçanërisht ata që nuk kanë skrupuj lidhur më shfrytëzimin pa princip të njerëzve, keqpërdorimin e tyre e më pas flakjen si limon i shtrydhur, kur nuk iu duhen më a kur këtë e kërkojnë interesat e tyre politike, personale a shpesh arsye të tjera këtij lloji mbuluar me petkun e “reason d’etat” (arsye shtetërore). Shembujt këtu janë të panumërt që nga figura sinjifikative të këtij lloji si diktatorët Stalin, Mao Ce Dun, Enver e deri tek personalitetet më të spikatura të demokracive më të zhvilluara perëndimore si Francois Miterrand, etj.

Duke zbritur tek një shembull mjaft më i afërt për ne, tek ai i njërit prej kryepolitikanëve tanë aktualë. A është ai njeri që u transformua nga politika për t’u bërë politikan me të gjithë anët negative që përmbledh kjo specie; apo ishte i prirur për t’u bërë i tillë që në gjenezë, fëmini, rini të hershme e ca më tej. Njerëzit që e kanë njohur e sidomos ata që kanë punuar me të këta 20 vjet, ata që kanë provuar sharjet, fyerjet e poshtërimet e tij: kthetrat e tij, ata që janë flakur prej tij pasi janë shfrytëzuar, (dhe ka shumë të tillë), mund ta dëshmojnë këtë. Sipas përvojës së tyre, madje sipas thënieve të më të mençurve a më të shprehurve syresh, politika edhe në këtë rast ka tërhequr njeriun e përshtatshëm për së prapthi për të, njeriun që mund të trajtojë pa skrupull jo vetëm kundërshtarët e tij, por edhe njerëzit me të cilët punon, madje më tej, masa, grupe të tëra, deri tërë popullin kur t’i jepet mundësia, duke e çuar drejt problemeve të mëdha, karshi të cilave, siç tregojnë edhe bashkëpunëtorë të afërt të tij, ruan një indiferencë ekselente.

Në një aspekt tjetër, ai të cilit i vjen shansi, a e ndihmon më shumë se të tjerët aftësia për të hyrë në politikë, gjen, arrin e shfrytëzon aty ato që ka aspiruar të arrijë edhe në ndonjë fushë tjetër ku ka tentuar. Kujtoni këtu se sa liderë të njohur botërorë e këtu, kanë tentuar fjala vjen të merren me sport, me art, biznes etj. Kështu ka tentuar më parë të merret me pikturë Hitleri, ka aktruar në Hollywood Regani, ka luajtur basketboll e ka pikturuar kryeministri ynë aktual, etj. Madje edhe njerëz që nuk kanë aspiruar në këto fusha por thjesht kanë bërë si çdo njeri jetën e zakonshme, e më vonë fati i ka ndihmuar në politikë, kanë synuar të arrijnë këtu ato që qoftë edhe fshehtazi kanë ëndërruar t’i realizojnë në jetën e thjeshtë të dikurshme. Aq sa kur janë shfaqur të tillë këtu kanë mahnitur njerëzit. Jo rrallë thuhet se njeriu shfaqet i vërtetë a njihet tamam se kush është vetëm po e veshe me pushtet. E perifrazuar a e përshtatur për politikën, një shprehje e njohur mund të formulohej: “Të shoh në pushtet si je, të të them se cili je”. Megjithatë njerëzit në përgjithësi mendojnë se në pushtet prishen të gjithë dhe zor se ka politikanë a pushtetarë të mirë.

Politikanët nga ana e tyre, tentojnë të shfaqen a transformohen në pushtet në egoistë e narcistikë, deri në atë pikë sa të besojnë se çdo njeri i do sikurse ata duan veten e tyre e që secili duhet të sakrifikojë me dëshirë për t’ju siguruar atyre komfortin material, shpirtëror, pozicional. Kjo gradualisht transformon edhe më idealistët e tyre (të rrallë në politikë) në njerëz të pavëmendshëm karshi të tjerëve, karshi nevojave të tyre. Dhe ca më tej i bën të pavetëdijshëm lidhur me pasoja e veprimeve të tyre karshi të tjerëve, apo edhe për faktin se si ata realisht paraqiten përpara syve të të tjerëve, a cili është përfytyrimi i të tjerëve për ta. Dhe kjo vazhdon deri në atë shkallë e deri atëherë sa të jetë shumë vonë për të kuptuar e jo më për t’u kthyer pas a ndryshuar rrugë. Madje dhe një humbje e rëndë mund të quhet e rastit e të zgjojë a të bëjë të kuptojnë shkaqet e thella të humbjes, vetëm një pakicë politikanësh e sidomos liderësh. Kështu p.sh, çfarë ndryshimi solli humbja tek liderët tanë në cilëndo fazë të karrierës së tyre politike?

Kur e korrektuan ata shënjestrën e objektivit të tyre politik pas humbjeve të tilla? Gjithnjë shkak i humbjeve ka qenë kundërshtari me mashtrimet e tij, vjedhjen e votave a në ca raste më absurde, sipas disa politikanëve, madje edhe vetë populli fajtor, që nuk diti a nuk deshi të votojë për ta, por gaboi e votoi për kundërshtarin. Kësisoj politikani nuk ndryshon asgjë brenda vetes së tij, në grupimin e tij politik, a në atë që udhëheq. Kështu thuhet nga studiuesit në ShBA, se John Kerri nuk ndryshoi asgjë pas humbjes në zgjedhjet presidenciale. E po kështu Al Gore, që sipas politologëve, humbja e bëri më të pakëndshëm. Por gjithsesi, shumica e politikanëve as nuk e ka, madje as nuk e ndjen këtë diskomfort dhe vazhdon më tej sipas të njëjtit stil. Egoizmi e narcisizmi janë ndër tiparet që ushqehen e lulëzojnë më shumë tek njeriu që merret me politikë dhe kjo është zeja që i ushqen më shumë këto.

Më Shumë

Malisheva ndan rrugët me trajnerin Qëndrim Kida

Skuadra e Malishevës ka njoftuar se ka ndarë rrugët me trajnerin, Qëndrim Kida. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, klubi malishevas ka bërë...

Arrestohet një person në Suharekë, gjuajti me armë në aheng

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person në Suharekë pasi ka shtënë me armë zjarri në një aheng. Rasti ka...

Lajmet e Fundit