9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

“Kurthi” i Ramiz Alisë në takimin e 12 gushtit me intelektualët

kadare berishaRamiz Alia ishte regjur dhe ndoshta kishte fituar instinkte të rralla mbijetese në fortesën e luftërave mizore dhe meskine të Bllokut komunist. Por në verën e vitit 1990 ai duhej të shpikte politikën e re të mbijetesës.

E ardhmja e kërkonte pa të shkuarën. E shkuara e kërkonte pa të ardhmen. Duke ndjerë shtrëngimin e një izolimi të ri, të një izolimi në gjysmë hapje që ishte edhe më i keq se izolimi në mbyllje, Ramiz Alia kishte vendosur të thërriste në 12 gusht një takim me një grup intelektualësh, të cilët pasi t’i trembte me një frazeologji skematike dhe kërcënuese të tipit të vjetër, do t’i pyeste ç’mendonin për vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ishte tema më e diskutuar e atyre ditëve në rrethet intelektuale të Tiranës. Logjikisht, vendosja e pluralizmit politik ishte mënyra e vetme për të kthyer në anën tjetër klepsidrën e kohës së Shqipërisë.

Ndihmësit e tij i kishin sugjeruar një format tjetër takimi: të thërriste jo më shumë se katër-pesë vetë nga më të njohurit në vend. Alia i kishte venë pesës një zero prapa dhe ishin bërë pesëdhjetë. Qëllimi i thirrjes së takimit kishte ndryshuar thelbësisht me shtimin e zeros pas pesës. Pesë vetë zakonisht thirren për t’u dëgjuar, për të biseduar, për t’u marrë mend. Pesëdhjetë thirren për t’u mbajtur fjalim, për t’u dhënë mend. Pesëdhjetë, që si për të theksuar distancën me Partinë, kishin zënë vend kryesisht në radhët e dyta e të treta të një sallë në Pallatin e Kongreseve.

-Afrohuni, afrohuni! Ismail, pse rri në radhën e tretë, apo ke frikë mos të marrin në fotografi e s’del bukur! – iu drejtua Alia me të folurën e tij me kunja shkrimtarit Ismail Kadare. Më vonë do të merrej vesh se Kadare kishte patur gjatë atij viti një letërkëmbim me Ramiz Alinë për temën e demokratizimit dhe hapjes së vendit, nga i cili kishin mbetur të dy të pakënaqur, Sekretari i Parë ngaqë Shkrimtari kishte kërkuar shumë me të folurën e tij midis rreshtave dhe Shkrimtari ngaqë Sekretari i Parë kishte lëshuar shumë pak me të folurën e tij në rreshta. Takimi në Pallatin e Kongreseve ishte përballja e tyre e parë pas shijes se hidhur që u kishte lenë të dyve ky letërkëmbim. Dukej qartë se Kadare jo vetëm e kishte marrë me përtesë atë takim, por kishte menduar ta padiste si demagogjik sa pa nisur akoma duke zënë venë në radhën e fundit.

Si për të vërtetuar parandjenjat e shkrimtarit, Alia e komprometoi qysh në krye takimin si një mundësi për të përftuar mendime të lira nga të ftuarit. “Po flas unë i pari”, tha dhe vijoi duke theksuar me ton se në disa vende ish- komuniste revizioniste, reaksioni vendosi pushtetin e vet, socializmi ia la vendin kapitalizmit, erdhën në pushtet disidentë të hapur antikomunistë. “Edhe BS në këtë rrugë po ecën”, shtoi ai, para se të plaste bombën: “Pluralizmi politik, të drejtat e njeriut, ekonomia e tregut dhe zgjedhjet janë kali që ka shaluar borgjezia kundër komunizmit edhe në Shqipëri… Reaksioni synon të bëjë të pakënaqur inteligjencën tonë, kuadrot, rininë. Reaksioni kërkon oficerët dhe gjeneralët për t’i vënë në krye të huliganëve dhe të çoroditurve për t’i hedhur kundër partisë”!

Alia i nguli këto fjalë duke shëtitur vështrimin në fytyrat e pjesëmarrësve sikur po kërkonte të pyeste “ kush do të dalë prej jush”.

Fyerja kishte shënuar sakaq heshtjen e më të kultivuarve. Fyerja që ftuesi u kishte folur si të ishin punëtorë partie. Disa prej të tyre kishin vërtetë funksione partiake apo ishin kooptuar për shkak të talentit që kishin në forumet më të larta të partisë. Por nuk mund të përdoreshin në atë masë sa të të dëgjonin e miratonin me temena çdo broçkull të Sekretarit të Parë. Në atë takim ishim ftuar edhe Besnik Mustafaj e unë. Ftesat na kishin ardhur përmes Lidhjes së Shkrimtarëve. “Eja të ikim nga Tirana”,- më tha Besniku. Mendonte se Alia e kishte thirrur atë takim për t’u dhënë një lustër intelektuale idezave të tij.

Unë nuk kisha marrë pjesë kurrë në një mbledhje me Sekretarin e parë të Komitetit Qëndror të Partisë. Por isha dakord me Besnikun se duhej të thyenim qafën diku dhe të mos e tregonim shumë surratin në këtë periudhë, pasi siç do të thoshte me ironi poeti Rudolf Marku, me hovin që kishte marrë Partia e Punës për të konsideruar disa zëra kritikë nga radhët e shkrimtarëve të rinj shumë shpejt mund ta shihnim veten anëtarë të Komitetit të saj Qëndror!

Kishim kohë që mendonim të ngjiteshim në bjeshkët e Tropojës. Ftesa për të marrë pjesë në takimin me Ramiz Alinë ishte një rast ideal për të venë në jetë planin tonë.

U nisëm herët nga Tirana, udhëtuam me makinë deri në Koman, aty morën tragetin e linjës Koman-Fierzë, kishim një padurim për t’u nisur sa më parë, a thua se po na ndiqte njeri, në mos për të na kthyer, për të na kujtuar se po bojkotonim një mbledhje të rëndësishme. Por ishim edhe të gëzuar me këtë lloj dezertimi.

Nga Komani vazhduam me makinë drejt Bajram Currit, pastaj akoma më tutje nëpër luginën e Valbonës drejt kampit të pushimit të punëtorëve në një lëndinë mes shpateve madhështore me ahe dhe pisha. S’kishim si ta dinim gjatë udhëtimit tonë me ndalesa drejt Valbonës se në takimin e Ramiz Alisë me intelektualët në Tiranë, në një atmosferë të nderë mosbesimi dhe pasigurie të gjithanshme, po flitej edhe për pluralizmin.

Ismail Kadare: Lidhur me këtë pluralizmin që shtruat këtu, unë s’e kam të qartë shumë nga ana juridike statusin e pluralizmit.

Ramiz Alia: Shiko, pluralizëm, status, e di që ç’ke me të ti. Çdo me thënë s’e ditke ti? Të ma thotë ndonjë tjetër që se di, mirë, por të ma thuash ti?

Ismail Kadare: Ose më mirë ç’kuptohet me këtë fjalë te ne?

Ramiz Alia: Ç’kuptohet? Kuptohet që përveç Partisë së Punës së Shqipërisë të ketë edhe një parti tjetër, demokrate, republikane, një parti liberale, një parti të gjelbër, ja kjo është.

Ismail Kadare: Ky është një problem shumë i vështirë për t’u trajtuar aktualisht, sepse këtu ka dhe shumë ngarkesë politike.

Ramiz Alia: Ngarkesë politike ka dhe ky është i tëri politik. Tashi, që ta përmbledh, unë mendoj që ky problem është tepër delikat dhe ne nuk duhet të pranojmë pluripartitizmin. Si t’i bësh dredha e qysh t’i bësh dredha propagandës jashtë, duhet menduar dhe duhet reflektuar. Për çfarë arsye? Çështja nuk është, të kuptohemi, ka disa njerëz që thonë, nuk është ndonjë gjë, kupton, ku ka parti që mund t’i bëjë ballë partisë sonë. Kështu është, nuk ka parti që t’i bëjë ballë partisë sonë. Por, kupton, ajo që po ngul këmbë reaksioni në këtë çështje, ngul këmbë se e di se kjo është e çara e para e madhe në unitetin kombëtar. Unë mendoj, problemi i unitetit kombëtarë, sidomos për ne, për kushtet tona politike në të cilat ndodhemi, është një problem shumë i madh.

Sali Berisha: Më ler të them dy-tre gjëra shkurt shoku Ramiz. Shokëve të organeve të Punëve të Brendshme vetëm një mesazh të tillë, që çdo rrahje e paligjshme-dhe të themi të vërtetën kanë qenë aq të shumta,-është rrahje për ne, për të gjithë ne. E ndiej veten edhe të fyer, që ata në mënyrë kaq të shpeshtë dhe frekuente, të thyejnë urdhrat dhe ligjin. I rrahën ata djemtë për të marrë pasaportën, i rrahën. Ata duhet të dënoheshin. Unë them që një komision hetimor, publikisht, për të dhënë përgjigjet dhe dënimet e duhura për ata që kanë tejkaluar kompetencat, është në dinjitetin e shoqërisë sonë. Së fundi, kam një problem vetë për partinë. Partia ka bërë shumë ndryshime gjatë gjithë këtyre muajve. Partia duhet të ndryshojë vetën e vet në disa aspekte, në disa gjëra. Për shembull, unë e konsideroj të domosdoshme pluralizmin e mendimit…

Ramiz Alia: Pluralizmin e mendimit apo pluralizmin partiak?

Sali Berisha: Jo, pluralizmin partiak nuk them se është…

Ramiz Alia: Do ta shtroja një çikë, ç’mendim keni ju?
Sali Berisha: Ndoshta edhe ligji që e sanksionon…( E kishte fjalën për rolin udhëheqës të Partisë së Punës- shënimi im). Tek kushtetuta e kam fjalën…
Ramiz Alia: E mora vesh unë ku e ke fjalën ti. Të kuptohemi, asgjë nuk vendosim ne. Por ajo presupozon të kesh parti të tjera. Domethënë ti je me ketë?
Sali Berisha: Për stadin aktual, ky popull nuk është përgatitur…
Ramiz Alia: Mos e shiko tek çështja e përgatitjes. Ti je një kirurg, kur fut thikën ti e di çdo gjesh. Sidoqoftë, nëse do të pranosh një tezë, duhet të shikosh fundin.
Sali Berisha: Por, që të mos jetë e sanksionuar në Kushtetutë unë jam dakord. Never say never!

Kurrë mos thuaj kurrë! Kjo shprehje nuk ishte shqiptuar kurrë në mjediset, sallonet apo mbledhjet opake të komunistëve. Ajo kishte ardhur nga një botë tjetër dhe pasi ishte shqiptuar nga kardiologu Sali Berisha ishte stampuar në ballë të atij takimi duke i shpëtuar nderin, duke përcaktuar drejtimin e ri të busullës, duke kurdisur orën e re të ngjarjeve në horizontin e Shqipërisë. Never say never! Pluralizmi e kishte çarë murin, e kishte fituar të drejtën. Vendosja e tij tani ishte një çështje kohe. Never say never. Në asnjë vend tjetër ndoshta gjuha angleze nuk do të hynte në idiomën e një gjuhe tjetër me një kod të tillë të çlirimit nga tirania e dogmës, siç do të hynte në atë periudhë në gjuhën shqipe. Never say never. Ky do të ishte mirëmëngjesi i ri, kjo do të ishte parulla e njohjes dhe udhëtimit drejt ndryshimit të madh.

Më vonë, pas ndryshimeve demokratike, është folur shumë për takimin e 12 gushtit. Disa opinionistë pretenciozë, por edhe inatçinj, e kanë konsideruar një rast të çuar dëm të elitës intelektuale shqiptare, duke i akuzuar pjesëmarrësit për mungesë vizioni dhe guximi, madje me largimin në kohë nga ngjarja, edhe si frikacakë dhe konformistë. Këta nuk janë pajtuar asnjëherë me shpjegimin e dhënë nga shkrimtari Ismail Kadare se kishte pikasur një kurth të ngjashëm me subjektin e novelës së tij “Komisioni i festës”, ku gjithë të ftuarit e shquar priten në besë nga pashai që i ka ftuar. Disa të tjerë, në të kundërtën, e kanë konsideruar takimin një fitore të intelektualëve që avancuan në rrethanat e kohës dhe në frymën mbytëse të vetë takimit maksimumin e mendimit ndryshe. Sipas tyre Alia nuk i kishte thirrur aspak për të marrë mbështetje, nxitje, angazhim, bashkëpunim dhe frymëzim për reforma të guximshme, por thjesht për t’i përdorur në lojërat e tij brenda për brenda partisë. Të tjerë akoma kanë theksuar se takimi ka qenë një shprehje e raportit të deformuar që ishte vendosur prej dekadash midis regjimit dhe inteligjencës, një raport i ndërtuar mbi gënjeshtrën dhe mosbesimin e ndërsjelltë, që kishte prodhuar një standard megalomanie e demagogjie në sjelljen e krerëve të regjimit dhe një standard të shtirjes apo sjelljes opake nga intelektualët. Kush mund të besonte se në skenarin e kthimit të pllakës nga Alia thëniet e intelektualëve në atë takim nuk do të analizoheshin me lupë për të kapur në to frymën antiparti, si qëmoti? Terrori , fuqia e vjetër që përgjonte si një bishë e errët në habitatin fizik dhe shpirtëror të shqiptarëve dhe mbante në fre njetin e tyre për t’u çliruar nga vargonjtë, ishte akoma gjallë. Terrori që kishte bërë kërdinë përgjatë shumë viteve, duke hedhur përpara në kohë klithmën e vet të përgjakur si mantelin vdekjeprurës të Centaurit. Asnjëherë nuk mund të thuhej se terrori ishte në gjumë, se ishte plakur, se i kishin rënë dhëmbët dhe nuk kafshonte dot më si më parë. Terrori ishte e vetmja gjë që regjimi i ligështuar i Tiranës mund ta aktivizonte si në ditët e tij më të mira. Pse të mos e mendonte Ismail Kadare se kurthi që nuk mund të ishte ngritur në përfundim të takimit, mund të ngrihej më vonë, në një kohë tjetër më të përshtatshme për regjimin ?/Mapo/

Më Shumë

Vetaksident në rrugën Qafë Duhël – Suharekë, kamioni bie poshtë rrugës

Para pak minutash ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në afërsi të Suharekës, raporton Sinjali. Aksidenti ka ndodhur pikërisht në rrugën Qafë Duhël të...

Aksidenti me fatalitet në Suharekë, shoferja dyshohet se nga pakujdesia kaloi në shiritin e kundërt dhe u godit me motoçikletën

Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje lidhur me aksidentin me fatalitet që ndodhi të dielën në Shirokë të Suharekës, ku për...

Lajmet e Fundit