14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

LShP, shkalla më e lartë e organizimit politiko-ushtarak kombëtar

LSHP14Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka përfaqësuar shkallën më të lartë të organizimit politiko-ushtarak të kombit shqiptar për pavarësim nga Perandoria Osmane dhe bashkim të trojeve etnike, është thënë të martën në akademinë kushtuar shënimit të 136 vjetorit të kësaj organizate. Përfaqësues të qeverisë qendrore, asaj lokale dhe historianë kanë vlerësuar angazhimet e Lidhjes, që sipas tyre u bënë udhërrëfyes për veprimtarinë e gjeneratave të ardhshme, që fillimisht kulmoi me pavarësinë e Shqipërisë dhe më pastaj edhe me krijimin e shtetit të Kosovës.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënon shkallën më të lartë të organizimit politiko-ushtarak të kombit tonë, në periudhën kur ne vendosëm që të pavarsohemi nga Porta dhe të bashkojmë tokat tona shqiptare. Kjo lëvizje e cila kishte një program nacional të punuar nga intelektualët, politikanët dhe figurat ushtarake të të gjitha vilajeteve, veçanërisht nga ata që jetonin në Stamboll dhe pjesët tjera, doli të jetë një prej platformave më afatgjate që kemi pasur si komb shqiptar dhe mbi atë platformë janë ngritur edhe platforma tjera që dhanë sot këto rezultate për kombin shqiptar”, ka thënë Edita Tahiri në cilësinë e zëvendëskryeministres së Kosovës në detyrë, raporton korrespodenti i Kohës Ditore në Prizren, Fisnik Minici.

Ndërsa historiani Frashër Demaj, duke folur për LSHP-në ka bërë të ditur se kjo lëvizje në emër të kombit shqiptar ka kërkuar nga fuqitë e mëdha respektimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe njohjen e pavarësisë së saj.

Demaj ka theksuar se për udhëheqësit e Lidhjes ishte e papranueshme që Shqipëria të mbetej edhe më tej nën Perandorinë Osmane, pasi ata nuk e konceptonin autonominë si zgjidhje përfundimtare, por si zgjidhje të përkohshme drejt pavarësisë së plotë, sikur kishin vepruar më parë vendet tjera të Ballkanit.

Në anën tjetër kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja ka pohuar se Lidhja e Prizrenit ishte paraqitur në skenë në kohën kur po rrezikohej tërësia territoriale shqiptare nga vendet fqinje dhe se me këtë vrull pat sjellë frymën e unitetit për krijimin e shtetit shqiptar. Sipas tij kjo lëvizje e gjerë atdhetare kishte detyruar Fuqitë e Mëdha që tri herë t’i rishikonin vendimet e tyre në lidhje me trojet shqiptare dhe në këtë mënyrë vërtetoi se shqiptarët ishin të pjekur që të kenë shtetin e tyre.

“Lidhja bashkoi popullin tonë për të afirmuar identitetin e tij kombëtar”, ka deklaruar ai, duke shprehur bindjen se pas tri vitesh funksionimi LSHP-ja ishte shuar vetëm organizativisht, pasi programi i saj nuk u shua kurrë dhe u bë udhërrëfyese për gjeneratat e ardhshme të patriotëve shqiptarë.

Në prag të hapjes së Kongresit të Berlinit, më 10 qershor 1878 në Prizren në Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes kishin ardhur delegatët, përfaqësues fisesh, bajraktarë, bejlerë, klerikë, intelektualë, , etj. të cilët asokohe patën ngritur zërin kundër copëtimit të tokave shqiptare. Në mbledhjen e përgjithshme ishte marrë vendimi për krijimin e një organizatë me karakter politik e ushtarak, me qendër drejtuese në Prizren dhe me degët përkatëse në krahinat e ndryshme të viseve shqiptare.

Më Shumë

FOTO+VIDEO/ Si përpara 11 vitesh, Reali publikon fanellat e transfertave

Reali i Madridit publikoi këtë të hënë fanellat e dyta për sezonin 2024/2025, që do të përdoren nga skuadra e Carlo Ancelottit në takimet...

Dokumentari për Bekim Fehmiun, në Sarajevo Film Festival

  Filmi dokumentar “Bekim Fehmiu”, me regji nga Valmir Tertini dhe produksion të shtëpisë kinematografike “Cinemania”, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, mban premierën boshnjake...

Lajmet e Fundit