22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Mbyllja e 50 bibliotekave për 5 vjet alarmon zyrtarët

Dekadat e fundit janë luftë e teknologjisë me librin sepse libri klasik është prekur nga transformimi elektronik, nga përkthimet e nga shpërndarjet legale e ilegale përmes teknologjisë. Digjitalizimi ka ndikuar edhe në mënyrën e organizimin e bibliotekave nëpër botë, por në Kosovë ato kryesisht kanë mbetur me të vjetrën, të lëna pas dore, pa teknologji të re dhe në gjendje jo të lakmueshme.

Sipas të dhënave të vjetarit të Agjencisë për Statistika të Kosovës numri i bibliotekave në Kosovë është ulur për 50 brenda 5 viteve. Nga 156 biblioteka që raportohet të kenë qenë në vitin 2008, në vitin 2013 figurojnë të regjistruara vetëm 106 biblioteka.

Në rritje duket numri i titujve të hyrë në biblioteka gjatë kësaj periudhe kohore, sepse nga 15,488 tituj të rinj që kishin hyrë në vitin 2008 për vitin 2013 janë numëruar 28,481 sosh.

Ajo çka bie më shumë në sy në këtë raport është rritja e numrit të lexuesve përkundër uljes së numrit të bibliotekave, ngase sipas të dhënave del se nga 91,541 lexues sa kishin bibliotekat në vitin 2008 në vitin 2013 numri i tyre u rrit në 170,001.

Gjurmëve të të dhënave të vjetarit të Agjencisë për Statistika të Kosovës, KosovaLive ka kontaktuar me zyrtarë që merren me librin dhe bibliotekarin.

Kosovë pos dy bibliotekave të mëdha, Bibliotekës Kombëtare dhe Bibliotekës Universitare, funksionojnë disa biblioteka ndërkomunale, pastaj shumë biblioteka komunale dhe biblioteka shkollore që ndodhen në ambientet e shkollave, kolegjeve dhe fakulteteve .

Një numër i konsideruar i bibliotekave funksionon në kryeqytet, pasi aty ndodhet selia e disa kolegjeve dhe universiteteve private dhe selia e Universitetit publik të Prishtinës. Përveç Bibliotekës Kombëtare dhe Bibliotekës Universitare, në Prishtinë funksionon edhe Biblioteka e qytetit “Hivzi Sylejmani”, e cila i ka nëndegët e saj nëpër lagje dhe fshatra të Komunës së Prishtinës.

Tash e 2 vite ka mbetur pezull çështja e bibliotekës së re që është ndërtuar në lagjen “Dardania” të kryeqytetit, por zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, tha për KosovaLive se kjo bibliotekë do të hapet shpejt, por nuk dha ndonjë datë të caktuar.

“Funksionalizimi i ndërtesës së re të Bibliotekës së qytetit të Prishtinës ‘Hivzi Sulejmani’ planifikohet të bëhet shumë shpejtë. Jemi para përfundimit të projektit të inventarizimit të objektit, duke vendosur mbi 1.300 elemente të ndryshme që do të përdoren nga zyrtarët, lexuesit dhe vizitorët e ndryshëm.

Gjatë periudhës së reshjeve kemi identifikuar probleme teknike në ndërtesë, në të cilat jemi duke punuar për t’i mënjanuar që të mos paraqesin problem në punë në të ardhmen. Jemi para përfundimit të lidhjes së ndërtesës në rrjetin e ngrohjes të ’Termokosit’ dhe me të përfunduar do të krijohen kushtet optimale për funksionalizimin e objektit”, tha ajo.

Udhëheqësi i sektorit të bibliotekave në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ramadan Beshiri, tha për KosovaLive se me procesin e decentralizmit të komunave që ndodhi në vitin 2010 bibliotekat komunale janë nën menaxhimin e komunave dhe MKRS-ja vetëm i përkrah me subvencione të ndryshme për pasurimin e fondit të tyre librar.

Sipas Beshirit, në bazë të një memorandumi të vitit 2012, nën menaxhimin e MKRS-së është vetëm Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Beshiri e merr me rezervë të dhënën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës se numri i bibliotekave në Kosovë është ulur për 50 brenda 5 viteve. Ai thotë se këto të dhëna për numrin e bibliotekave të mbyllura duhet të vërtetohen, pasi nuk beson të jenë mbyllur 50 biblioteka për 5 vite.

“Nuk mendoj se është e vërtetë që janë mbyllur 50 biblioteka për 5 vjet. Është e mundur që shumë prej tyre kanë figuruar vetëm si emra dhe nuk kanë funksionuar fare pas luftës, sepse gjatë periudhës 1998-1999 janë djegur përafërsisht 175 biblioteka”, tha ai.

Kryetari i Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, Avdyl Lakna, lidhur me shifrat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tha se nuk i kanë ato informata, por shtoi se me gjithë gjendjen jo të mirë të bibliotekave, kjo shoqatë angazhohen çdo vit të hap 2 së paku dy biblioteka të reja, gjë që e finalizon gjatë shënimit të manifestimit tashmë tradicional “Javës e bibliotekës në Kosovë”.

“Gjendja e bibliotekave në Kosovë nuk është e mirë. Në periudhën e paraluftës çdo shkollë ka pasur bibliotekën e vet, por mjerisht, pas luftës shumë nga to nuk janë aktivizuar. Unë punoj në biblioteka prej vitit 1979 dhe bibliotekat në Kosovë, sipas meje, kurrë nuk kanë qenë në gjendje më të vështirë”, tha ai.

Një problem tjetër i bibliotekave është edhe shkollimi i bibliotekarëve të rinj, pasi që as Universiteti Publik i Prishtinës nuk e ka një degë të bibliotekarisë, siç e kanë shumë universitete të rajonit. Avdyl Lakna thotë se në cilësi të kryetarit të Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, do t’i drejtohet me një kërkesë ministrit të Arsimit që të angazhohet në këtë drejtim. /KosovaLive/

Më Shumë

Policia shqipton mbi 1 mijë e 960 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1960 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar...

Mike Tyson jep parashikimin për luftën Fury-Usyk dhe bën një pretendim të guximshëm

Jemi vetëm pak orë nga një nga ndeshjet më të rëndësishme të peshave të rënda në historinë e fundit të boksit. Sot (e shtunë)...

Lajmet e Fundit