10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

MIGJENI unik i pakohë!

Shekulli i njëzetë, do të sillte në letërsinë shqipe, një emër që e shenjoi këtë të fundit. Millosh Gjergj Nikolla – MIGJENI, do të ishte uragani mbi terrenin e brishtë, i vargjeve të thella të ndërgjegjes njerëzore dhe asaj artistike. Në letrat shqipe, do të shkruhej me dhimbje therëse, tabolja e zymtë e ditëve të errëta dhe netëve të ndriçuara nga zjarri i zemrës që digjej në vuajtjen e popullit të tij.

Nga fondi dokumentar i Migjenit, që ruhet pranë Arkivit Qendror të Shtetit, shkëputëm vargje të tij, që u përkasin dorëshkrimeve origjinale.

“Poeti i mjerimit”, i pangjashëm dhe unik, nuk mundi kurrë të ishte as i qetë, as i kënaqur në vendin e tij të vogël, të paragjykimeve dhe kontrasteve të mëdha. /Konica.al

Kanga që s’kuptohet

Melodís kombtare

U vodh kanga nga zêmra e kombit,

shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,

këndoj ûjen e së bijës, këndoj ûjen e të birit,

qan jetën e thyeme nga rrufé e fatit,

i mbyti në lotë shpirtënt që djejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë e vaj? Çë je? Thujma zemer kombi!

Zemër që ke vuejtun, që endé po vuen…

Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?

Mallkimi ndaj fatet që ditt t’i helmuen,

që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?

Oh – jo! Kanga jote asht shprehje e dhimbsun

e një jetese që dergjet e dergjet

dhe tu ‘u dergjë ndoshta do hesht’ e molisun…

 

Vetmija

Më plakos mërzitja

që vetmija më sjell,

përbuzja, urrejtja

të gjithë sendet m’i mbshtjell

dhe kam shum anmiqë

të liqë

në këto sende pa shpirt.

Nuk flasin.

As sy s’kanë.

Por mue më bahet

se aty janë

vetëm që të më plasin

zemrën.

Së paku të më shajnë:

– I mallkuem!

Së paku të më tallin:

– I uruem!

Së paku të më këndojnë:

– I yni zot!

Ose të më thonë:

– Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në ket vetmi me ndëgjue.

Ose të më tregojnë historinë

e tyne, autobiografinë;

ndosht’ aty do gjej gjasim

me jetën t’eme pa tingllim

që në vetëm po e kaloj

dhe s’po dij a rroj a s’rroj.

Sendet heshtin. – Sa të pa mshirë!

Më bajnë dhe unë të hesht me pa hirë;

pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë

vetëm të më flasin

zêmren t’eme që po vuen

dhe në merzi vetveten truen.

***

Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën. Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.

Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël, ku shumë shpejt vështirësive ekonomike iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare. Kur ishte pesë vjeç, i vdiq nëna, kurse në moshën trembëdhjetëvjeç humbi të atin, e më pas vëllanë e gjyshen me të cilën ai ishte lidhur fort pas vdekjes së nënës. Këto fatkeqësi e bënë Migjenin, që vetiu ishte një natyrë e mbyllur, të tërhiqej nga jeta e moshatarëve të tij. Pasi mbaroi shkollën fillore në Shkodër, ai shkoi për të vazhduar mësimet në Tivar dhe më pas përfundoi seminarin teologjik të Manastirit.
Për një të ri me interesa të gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse. Nga leximet Migjeni ra në kontakt me ide revolucionare të kohës që zienin në gjithë Evropën.

Në vitin 1932 Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe nuk mundi të sigurojë një bursë për të vazhduar studimet e larta, mbeti pa punë deri sa më 1933 u emërua mësues në Vrakë, një fshat afër Shkodrës. Rruga Vrakë-Shkodër, që ai bëntë përditë me biçikletë, ia keqësoi gjendjen shëndetsore. Gjatë kohës që qëndroi në seminar, Migjeni sëmurej shpesh dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm të mjekut, ngaqë mushkëritë e tij ishin të dobëta dhe rezikoheshin të prekeshin nga turbekulozi, sëmundja tipike e kohës, nga e cila i vdiq edhe nëna.

Ndërkohë, ai kishte filluar të botonte shkrimet e tij në revisten “Illyria”. Në to ndihen përshtypjet e para, reagimi shpirtëror i Migjenit ndaj realitetit të zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte zhytur edhe fshati, edhe qyteti shqiptar.

Më Shumë

Lajmet e Fundit