Muaji korrik po del të jetë ndër muajit më fatal të këtij viti sa i përket viktimave në trafik. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në këtë muaj nga aksidentet në trafik kanë humbur jetën 10 persona. Ndërsa kanë ndodhur 469 aksidente tjera, të cilat kanë rezultuar me lëndime të ndryshme trupore.
Pavarësisht se kanë shënuar ngritje tiketat e shqiptuara nga Policia e Kosovës, vetëdijesimi i ngasësve të automjeteve nuk është ngritur. Statistikat flasin se për një muaj u shqiptuan 28 mijë e 890 gjoba për shkelësit e rregullave të komunikacionit. Ndërsa numri i përgjithshëm i personave që humbën jetën gjatë këtij viti në aksidentet në trafik arrin në 64.
Edhe Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka njoftuar se bazuar në raportin gjashtëmujor të punës, vërehet shtim i rasteve që kërkojnë ndihmën mjekësore si pasojë e aksidenteve në trafik.
Në Klinikën Emergjente gjatë periudhës së lartcekur ka pasur 763 pacientë që pas aksidenteve në trafik, kanë kërkuar ndihmën emergjente mjekësore. Bazuar në raport, 3 persona kanë vdekur pas plagëve të marra nga aksidentet.
Për rritjen e numrit të aksidenteve në trafik ka shprehur shqetësime edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke thënë se shkaqet janë të ndryshme, por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet, ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike.
Sipas Policisë së Kosovës, faktorët kryesor të cilët ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve janë të ndryshëm, duke filluar nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës.
Për të parandaluar këtë dukuri mjaftë shqetësues, e së paku për të ulur numrin e të vdekurve, IKSHP-ja ka dhënë disa rekomandime të cilat do t’ua paraqesim në vijim:
-Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës;
-Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijesohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e pare;
-Angazhimi i mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve;
-Në institucionet shkollore të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit;
-Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve;
-Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese;
-Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve dhe të kompletohet sinjalizimi;
-Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare, si dhe
-Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.
Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se po që se nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.