18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Në vend të përshëndetjes

Azem Shkreli/ Historia e një prej personazheve më të njohura të letrave në Kosovë…Poeti i dashurisë dhe luftës

Shko, më mirë dhe hesht/ Mos u kthe mbas/Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim/Mos thuaj lamtumirë/E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim/E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër… Azem Shkreli i shkroi këto vargje (poezia “Në vend të përshëndetjes”) diku në vitet ’80.

Në Kosovën e përfshirë gjithnjë në trazira politike, ai i përket asaj sërë intelektualësh që ndërtuan në heshtje një tjetër histori, atë letrare. Në letërsinë shqipe të pasluftës së Dytë Botërore, Azem Shkreli është një ndër personazhet më të të rëndësishme të saj. Me një jetë të thjeshtë, ashtu siç i pëlqen ta bëjë një poet, ai jetoi dhe iku shpejt, duke lënë pas një trashëgimi vargjesh dhe kontribut të çmuar. Është e pashmangshme të mos e gjesh emrin e tij në rrëfimet për Kosovën e dikurshme, qoftë ato politike apo artistike sa herë lexon libra me kujtime të protagonistëve të asaj periudhe, apo në biseda letrare. Emri i Azem Shkrelit të vjen përmes rrëfimesh që ndërtojnë te ty siluetën e një personazhi që do kishe dashur ta njihje. Të njëjtën ndjesi ke dhe kur lexon vargjet e tij.

Gati dhjetë vite më parë në Gjakovë, poeti i ndjerë, Din Mehmeti, përlotej kur kujtonte miqësinë e ngushtë me Azem Shkrelin. Kishin qenë bashkë nga një krahinë.

“Na bashkoi ambienti nga kishim ardhur, kujtimet e rritjes sonë nën të njëjtën frymë, psikologjia, motivet dhe e menduara jonë disi e njëjtë. Kemi qenë miq shumë të mirë. Unë e konsideroj atë si një nga poetët ndër më të mirët që kemi sot andej dhe këtej kufirit. Ai ka një stil aq origjinal sa askush nuk mund ta përsërisë dhe të mos brejë nën ndikimin e tij. Atë nuk e mbajnë shumë temat, por stili. Stili i tij është një stil azemian. Ashtu si Floberi në romanin e tij është i përsosur në stil. Unë nuk di nëse ka poetë kosovarë të ketë aq stil origjinal sa Azem Shkreli”, do të shprehej Mehmeti.

Shkreli do të ishte organizatori kryesor i udhëtimit të shkurtër të shkrimtarit Ismail Kadare në Kosovë në vitin 1980, një udhëtim që do të linte mbresa te shkrimtari për vetë ndjesinë që të jepte shkelja në gjysmën tjetër të hapësirës shqiptare, sidomos në ato vite. Shëtitjet në Prishtinën e atyre viteve, bisedat në kafene që zgjasnin gjatë, nuk do të shlyheshin shpejt nga kujtesa e Kadaresë. Dhe pse pak ditë ai do të mund të njihte nga afër ambientin kosovar, sidomos Prishtinën.

Romani i tij “Krushqit janë të ngrirë” do të merrte shkas nga kjo vizitë që do ta kristalizonte më mirë idetë për Kosovën për shkrimtarin. Vitet ’80 ishin vitet e një përballjeje të inteligjencës kosovare me pushtetin e egër. Në një analizë që i bën romanit “Krushqit janë të ngrirë”, shkrimtari Mehmet Kraja shkruan se Kadare i ka shndërruar në personazhe miqtë e tij poetë Esat Mekulin dhe Azem Shkrelin.

“Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë”, shkruan Mehmeti.

Kujtimet me të nuk i harron as aktori Çun Lajçi. Ai ia dedikon atij faktin që u bë aktor. Ishte viti 1968 kur ai interpretoi si amator rolin e Bajram Currit në Teatrin Krahinor të Prishtinës. Në atë kohë Lajçi ishte nxënës në Normalen e Prizrenit. Pas mbarimit të shfaqjes do të ishte Shkreli ai që do ta këshillonte të studionte për teatër.

“Drejtor i teatrit në atë periudhë ishte Azem Shkreli, me të cilin kam edhe lidhje farefisnore. Ai më sheh teksa interpretoja atë rol dhe në mbrëmje, pas shfaqjes, më thotë se duhet të vija në Prishtinë për të studiuar për aktrim, pasi kisha të dhëna. Në atë vit, Shkolla e Lartë e Aktrimit në Prishtinë ishte në vitin e dytë të krijimit. Unë i përkas gjeneratës së dytë të kësaj shkolle, në gjeneratën e parë janë emra si Isa Qosja. Kështu fus dokumentet dhe pranohem në Shkollën e Lartë të Aktrimit dhe bëj hapin e parë drejt teatrit ku kam qëndruar deri në vitin 1998, atëherë kur masat e dhunshme serbe dhe vala e përndjekjeve të kohës së Millosheviçit vuri në çdo institucion drejtues serbë”, kujton Lajçi.

Ai e quan Shkrelin një ndër intelektualët më të guximshëm të kohës.

“Ne kemi lidhje farefisnore me Azemin. Fshatrat tanë kanë qenë afër me njëri-tjetrin, dhe Azemin e njoh që në botimin e librit të tij të parë poetik, “Bulëzat”. I lidhur shumë me truallin e tij dhe babanë, Azemi ishte i dashuruar përjetësisht me Rugovën. Ai do të mbetet një nga intelektualët më të guximshëm të kohës së vet. Aq sa e ka dashur Tirana zyrtare, aq e ka çmuar dhe ish-Jugosllavia. Dhjetë vitet kur ai ka qenë drejtor i Teatrit Krahinor, kujtohen ende në qarqet teatrore sot. Sot e kësaj dite shihen ende filmat e prodhuar gjatë kohës së tij. Teatri që ai krijoi ishte një “tërmet” i vogël që lëvizte të gjitha trupat e tjerë të ish-Jugosllavisë, kudo ku shkonte. Por Azemi ka qenë dhe një poet lirik i jashtëzakonshëm, një njeri që të jepte besim teksa bisedoje me të”, kujton Lajçi.

I lindur në Rugovë të Pejës më vitin 1938, ai do të kryente shkollën fillore në vendlindje për t’u shpërngulur drejt Prishtinës për shkollën e mesme. Grishja e hershme me letërsinë do ta çonte natyrshëm drejt zgjedhjes së këtij fakulteti për studime. Për shumë vite Shkreli do të drejtojë shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, e më pas do të jetë drejtor i Teatrit krahinor të Prishtinës dhe themelues e drejtor i Kosova film. Ka botuar libra me poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fjalë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Sipas kritikës ” Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare”. Në rrëfimet për lëvizjen intelektuale në Kosovë pas viteve ’80, poeti i ndjerë, Ali Podrimja, ia dedikonte Shkrelit suksesin e kësaj lëvizjeje. Në pranverën e vitit 1997 ai u nda nga jeta pa mbushur ende 60 vjeç. Humbja e tij ishte një humbje për letrat shqipe që humbën një nga personazhet që i dha jetë poezisë në hapësirat shqiptare. Për të kujtuar Azem Shkrelin çdo vit jepet një çmim letrar që mban emrin e tij. Takimeve letrare që do të organizohen këtë vit më 20 maj në Pejë për nder të Azem Shrelit, këtë vit do t’i bashkohet edhe shkrimtari Ismail Kadare. /Shqip/

Më Shumë

Burri në Dragash ushtron dhunë ndaj bashkëshortes – policia e arreston

Policia e Kosovës përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka arrestuar një burrë në Dragash, për shkak se dyshohet se ka ushtruar dhunë...

Askush përveç vetes sonë nuk mund të na lirojë mendjen

Thënie nga Bob Marley – “E vërteta është se çdo njeri do t’ju lëndojë; ju thjesht duhet ta gjeni personin për të cilin ia vlen...

Lajmet e Fundit