18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Nëntë vjetë pas vrasjes së gazetarit Bardhyl Ajetit

Myrfet ShasivariShkruan: Myrfet SHASIVARI

Dita e 3 qershorit të vitit 2005, kur në aksin rrugor Prishtinë- Gjilan, në afërsi të fshatit Bresalc të kësaj komune, u krye atentati me pasoja fatale ndaj gazetarit të së përditshmes kombëtare Bardhyl Ajeti, s’do mend se do të mbetet dita më e zezë për shtypin shqiptar në përgjithësi. Themi kështu ngaqë Kosova, në atë periudhë të tranzicionit, respektivisht në hapërimin e saj drejtë pavarësisë shtetërore, sikurse asnjëherë më parë, kishte nevojë për penda gazetarësh të guximshëm, përmes të cilave diskreditoheshin rrjetet e klaneve të ndryshme mafioze e kriminale, të cilat edhe synonin “kalërimin” mbi shpinën e popullit. Andaj, me rastin e tentimatentatit ndaj gazetarit Bardhyl Ajetit, mbase edhe dorasi, nuk ka qenë i vetëdijshëm se cilit personalitet publik po ia shuan jetën me shkrepjen e plumbave, ngaqë Bardhyli, nuk ishte një gazetar i rëndomtë, por ai në momentet vendimtare, po ia heqte maskat krimit të organizuar, njerëzve të korruptuar, si dhe elementeve të tjerë reminishencash kriminale, të cilët, me veprimet e tyre vrastare, në masë të madhe e zymtësuan lirinë e Kosovës të pritur me shekuj, por edhe pa shkrimet e të cilit, klanet destruktive do të hiqeshin si engjuj.

Megjithatë, projektuesit e aktit vrastar të Bardhyl Ajetit, kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm, se viktima e tyre, ishte njëra nga pengesat serioze në spektrin mediatik mbarëshqiptar, andaj vrasja e tij, do t’u hapte rrugë, që veprimtaritë e tyre destruktive të kalonin të heshtura mbi kurrizin e popullatës së përvuajtur në Kosovë. Poashtu, 3 qershori, kur u krye atentati ndaj gazetarit dhe kolumnistit Bardhyl Ajeti, do të mbetet dita më e zezë për shprehjen e fjalës dhe të mendimit të lirë në këto hapësira, edhe për faktin se, jo vetëm aty ku punonte, ku shkruante ai, por edhe në tërë gazetat që botohen në gjuhën shqipe, aktualisht ndjehej mungesa e peshës përmbajtësore të shkrimeve të cilat për autor kishin Bardhyl Ajetin, i cili kishte kurajon dhe guximin profesional e qytetar, që ta përkahte hapur linjën institucionaliste, duke i demaskuar publikisht antiinstitucionalistët e të gjitha formave dhe ngjyrimeve politike.

Në këtë kontekst, po të funksiononte në Kosovë një shtyp korrekt dhe i mbështetur në parimet e profesionalizmit të mirëfilltë gazetaresk, secila gazetë e vendit, bile njëherë në javë do të duhej që me ndonjë shkrim ta përkujtonte këtë doajen të guximit profesional e qytetar, ngaqë stili i shkrimeve të gazetarit dhe kolumnistit Bardhyl Ajetit, nuk ishin vetëm krenari e faqeve të gazetës , kur asokohe punonim abshkërisht, por kolumnet e tija ishin udhërrëfyes dinjitozë edhe për gazetarët e mediumeve të tjera, të cilat, mjerisht frymonin të mbërthyera nga darat e xhelozisë, korruptimit shumëdimensional apo edhe të linjave të caktuara që mbështesin segmente të politikës konfuze, konform aspiratës së kombit për liri.

Po të funksiononte asokohe në Kosovë një shtyp korrekt dhe i mbështetur në bazat e profesionalizmit të mirëfilltë gazetaresk, do të mjaftonte, që në faqet e gazetave, të kërkohej nga subjektet kompetente të sigurisë në vend, që të bëjnë më tepër për zbulimin dhe përballjen me drejtësinë të autorëve të vrasjes dhe projektuesve të atentateve tinëzare ndaj kolegëve, jo vetëm të Bardhyl Ajetit, por edhe të Ali Ukajt, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, Shefki Popovës dhe të Bekim Kastratit. Por, ja që realiteti i këtij konteksti është kaq i idhët, sa që, , emrat e këtyre heronjve të kultivimit të fjalës dhe të mendimit të lirë, edhe sot e tutje, nuk shihen kund në faqet e gazetave të tjera, pos atyre me karakter nacional, sikurse kolegët e vrarë, të ishin nga ndonjë vend i largët, e jo të Kosovës. Jemi shumë të bindur, se po t’i kishte ndodhë ndonjë gazetari të ndonjë mediumi tjetër në Kosovë, ajo çfarë u ndodhi kolegëve të lartëshënuar, gazetari dhe kolumnisti Bardhyl Ajeti, nuk do të hezitonte që të shkruante në mbrojtje të viktimës dhe drejtë denoncimit publik të vrasësve, ashtu siç diti t’i demaskonte veprimtaritë destruktive të shumë segmenteve të aktualitetit në Kosovë.

Andaj, të gjitha shtresat e etnikumit shqiptar, kudo që frymon, me kërshëri të madhe e presin ndonjë lajm nga njësitet kompetente të hetimeve, edhe për faktin se kujt dhe pse i pengoi fjala e lirë publike e Bardhyl Ajetit. Kështu, edhe projektuesit e këtij atentati, dënimin më të madh do ta marrin nga populli, pasi që duke u përballë me drejtësinë, do t’u shterohej cdo kutim i të jetuarit më tutje, për krimin e madh që e bënë, para së gjithash ndaj kombit. Sidoqoftë, subjektet hetuese, mjerisht deri më sot nuk kanë shënuar ndonjë rezultat inkurajues drejtë ndriçimit të autorëve dhe motivit të atentatit vrastar ndaj kolumnistit Bardhyl Ajeti, përderisa shpresat e kolegëve, familjarëve të të ndjerit, por edhe opinionit mbarëshqiptar, tanimë mbështeten tek veprimtaria e Tribunalit aq të deklamuar, që do ta vendosë drejtësinë e mirëfilltë në Kosovë

Më Shumë

Drejtoria e Arsimit në Prizren publikon listën e studentëve që kanë fituar bursa për vitin akademik 2023/2024

Drejtoria e Arsimit në Prizren ka publikuar  listën e studentëve që kanë fituar bursa për vitin akademik 2023/2024. "Komisioni për ndarjen e bursave për studentë...

Spanja triumfon në FIBA 3×3 Women’s Series

Spanja është triumfuese e FIBA 3x3 Women’s Series, që u zhvillua në Prishtinë më 18/19 korrik. Në këtë event morën pjesë tetë shtete, ndër to...

Lajmet e Fundit