Kuvendi i Kosovës pritet që të marrë vendim për apo kundër ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi më 1 shtator. Kjo datë është caktuar nga Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e mbajtur me shefat e grupeve parlamentare. Ndonëse ishte paraparë që kjo seancë të mbahet gjatë kësaj jave, Kryesia ka marrë vendim që ajo të shtyhet deri në fillim të muajit të ardhshëm, për të gjetur ndonjë konsensus midis palëve, pushtetit dhe opozitës.
Në kundërshtim të vendimit që po përgatitet në Kuvend rreth Marrëveshjes për Demarkacion, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në ambientet ku mbahej mbledhja e Kryesisë. Ky veprim është dënuar ashpër nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke i quajtur fëmijërore veprimet e tilla të “Vetëvendosjes!”.
Vazhdimi i konfrontimit politik mes pozitës dhe opozitës, gati për një vit të plotë, për dy marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit të vitit të kaluar, Demarkacionin dhe Asociacionin, sipas analistëve politikë po rrezikon që ta çojë shtetin drejt greminës dhe shkatërrimit.
Analistët thonë se përgjegjësi për futjen e shtetin në rrugë pa krye mbajnë edhe pozita, por edhe opozita që nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët të daljes nga kriza derisa vendi rrezikohet nga eskalimi i dhunës dhe anarkia, në pritje të votimit pa konsensus politik të Marrëveshjes për Demarkacionin, me shantazhe mbi deputetët e pozitës, pavarësisht se edhe sipas ekspertëve më eminentë të fushës është konstatuar se Kosova humb territor me këtë marrëveshje.
Shtatë mëkatet e Isa Mustafës Prof. universitar Nexhmedin Spahiu thotë se çfarëdo tentative e shkeljes së normave dhe parimeve demokratike nga partitë në pushtet, paraqet rrezik potencial të destabilizimit të vendit, prandaj vlera më e madhe e shtetit që duhet të ruhet duhet të jenë parimet e vendosjes në mënyrë demokratike. Sipas Spahiut, përgjegjësia për rrezikimin e vendit bie më shumë mbi kryeministrin Mustafa, i cili do të duhet të dorëhiqet. Sipas Spahiut, nëse shpërfillen parimet demokratike, atëherë epilog është dhuna, katastrofa për atë shoqëri.
“Çfarë do të ndodhte nëse edhe Barack Obama në përfundim të mandatit nuk do ta dorëzonte çantën me sustat e kuqe? Nëse do të thoshte ose lërmëni president tërë jetën ose i shtypa sustat e kuqe. Në një rast të tillë planeti ynë do të merrte fund. Ja kjo është mendësia e Isa Mustafës. Shyqyr që nuk e ka fuqinë e Obamës se planeti ynë do të merrte fund. Sikur ai të respektonte standardet demokratike, ai nuk do të konkurronte për herë të tretë as për kryetar të Prishtinës. E dyta. Ai do të duhej të jepte dorëheqje nga lidershipi i LDK-së në momentin që i humbi zgjedhjet në Prishtinë. Së treti, ai nuk e bëri, as kur i humbi zgjedhjet kombëtare më 2014. Së katërti, çdo politikan kur i del rrena në fushë jep dorëheqje. Isa nuk u skuq fare që ishte përbetuar se nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK-në. Me këtë ai e ndoti moralin publik në Kosove. Së pesti, Isa për më tepër nuk lejoi zgjedhje demokratike në LDK. Sikur Fatmir Sejdiu të ishte aq i pacipë, si Isa, duke mos lejuar zgjedhje demokratike në LDK, ai akoma do të ishte kryetar i LDK-së. Së gjashti, pasi Gjykata Kushtetuese dha mendimin e vet për Zajednicën, ai do të duhej të jepte dorëheqje (ashtu siç bëri kryeministri skocez kur skocezët votuan kundër pavarësimit nga Britania, apo siç dha dorëheqje kryeministri britanik, kur Britania votoi për pavarësi nga Bashkimi Evropian.). Së shtati, nëse Marrëveshja për Demarkacion nuk kalon, atëherë Isa do të duhej të jepte dorëheqje, por të jeni të sigurt se ai nuk do ta bëjë këtë”, tha Spahiu për “Kosova Sot”.
Shtetndërtimi, përgjegjësi e përbashkët politike Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se për rrezikimin e funksionimit të shtetit, nga përgjegjësia nuk mund të diferencohen as pozita dhe as opozita, sepse procesi i shtetndërtimit gjithmonë është përgjegjësi e përbashkët politike, një përgjegjësi që nuk po e merr seriozisht klasa aktuale politike as në pozitë dhe as në opozitë.
“Shteti është në pasiguri dhe jo stabil që nga viti 2014, prej ngërçit paszgjedhor, dhe tash po vazhdon po ai ngërç vetëm kërkesa të reja nga opozita, e cila me çdo kusht dëshiron ta rrëzojë këtë Qeveri. Pra, pozitën dhe opozitën e kanë kapur inatet dhe paaftësia për t’i mbrojtur dhe për t’i zhvilluar kërkesat e qytetarëve”, ka thënë ai.
“Këto subjekte politike nuk e kanë hallin e qytetarëve, por inatet në mes tyre. Tani edhe kjo opozitë nuk i ka qytetarët me vete dhe me protesta nuk po mundet ta rrezojë këtë Qeveri, andaj e përdor dhunën në Parlament në mungesë të përkrahjes masive të qytetarëve. Prandaj, gjasat për t’u marrë me gaz lotsjellës në Parlament, në vend të dialogut shihet si alternativë e vetme nga kjo opozitë, nga një pjesë e saj. Tani një qasje të tillë është vështirë e pritshme që ta përkrahin edhe qytetarët, dhe askush që logjikon me një mendje të shëndoshë në Kosovë”, theksoi Burjani.
Sipas tij, po shihet se sikur pozitës, edhe opozitës nuk i intereson shumë çështja e zgjidhjes së problemeve të përditshme të qytetarëve, por ata po duan t’i kryejnë vetëm punët e veta. /Kosova Sot