12.8 C
Prizren
E premte, 10 Maj, 2024

Patrick Modiano ”Lulet e rrënimit”

Nga Albina Shala

Patrick Modiano fituesi i çmimit Nobel për letërsi ka qenë pak i njohur për lexuesin shqiptar, ai u bë i njohur vetëm pasi fitoi çmimin Nobel më 2014. Është autor i shumë romaneve kryesisht të shkurtra dhe fitues i shumë çmimeve të tjera për letërsi.

Romani “Lulet e rrënimit” është i rrëfyer në vetën e parë që shumë lehtësisht ky karakter mund të jetë vetë autori. Romani është mjaft diskret, me pjesë të shkëputura, njëkohësisht dhe koherent. Struktura e tij ka përçasje hulumtuese që nuk ofron zgjidhje, po heton, heton me anë të kujtesës. Ky roman është si një lloj autobiografie, por e ëndërruar apo e imagjinuar.

Libri i Modianos “Lulet e rrënimit” ka një skemë mjaft komplekse të kthimit mbrapa në kohë. Ngjarja shtrihet nëpër tri periudha të ndryshme kohore në vitet e 40-ta, 60-ta dhe në kohën e tanishme të viteve 90-ta. Lexuesi shëtit me Modianon në rrugët e Parisit dhe e sheh atë në rrjedhat e ndryshme kohore, i njeh lagjet e tij në kohë të ndryshme me historitë që mbërthen dhe ndryshimet që pësojnë nga sytë e rrëfimtarit.

Romani hapet me ngjarjen e mistershme të ndodhur në Parisin e vitit 1933, saktësisht më 24 prill. Një vetëvrasje e dyfishtë e Zotit dhe Zonjës T. Kjo vrasje sa e çuditshme po aq enigmatike ngacmon vetëdijen e autorit dhe merr vëmendjen e tij në hetimin e kësaj tragjedie. Vrasja ndodh para luftës, rrefimtari është i kthyer mbrapa në rininë e tij ku lajmet rreth çështjes në të cilën një burrë dhe gruaja e tij vetvriten pasi kalojnë natën në një klub nate me dy çifte tjera të panjohura e hipnotizojnë atë. Ai edhe shprehet “Sonte, eci me hapat e tyre në një lagje të ngrysur”.

Romani ndjek dy linja më kryesore, në kohë të ndryshme po që mund të kenë një piktakim në mes veti, vetvrasjen e çuditshme të një çifti dhe një njeriu misterioz emri i të cilit mund të ishte Pacheco një endacak, Philippe de Bellune një aristrokat apo një kamanier i thjeshtë baresh me emrin Charles Lompard.Aty kemi edhe kujtimet rreth Clude Bernard, personazh ky që mund të ishte i përfshirë me çiftin atë natë, meqenëse ashensori i kuq për të cilin kishte folur Gisele ishte në shtëpinë e tij. Kemi historinë rreth babait të rrëfimtarit i cili zhduket papritmas pasi ishte i përfshirë në trazirat e kohës, si dhe kujtimet e bukura për Jacquelinën vajzën e rinisë së tij me të cilën ishte i dashuruar.

Zotri Urbain T. dhe zonja Gisele S. ishin të martuar tashmë tre vjet. Njiheshin nga ana e qiramarrësve si të urtë dhe dukeshin të lumtur. Një të shtune ata dalin për darkë dhe kthehen në banesën e tyre rreth orës dy të mëngjesit në shoqëri të dy çifteve të hasura rastësisht. Pasi të ftuarit lënë banesën e çiftit rreth gjysmë ore më vonë dëgjohen dy krisma nga apartamenti i tyre. Zonja Gisele ishte ende gjallë kur fqinja e tyre u troket në derë me një plag nën gji, në dhomën tjetër ishte i shtrirë burri i saj i cili kishte vrarë veten me një plumb në zemër, anash tij ishte një letër ku shkruhej:”Gruaja ime vrau veten. Ishim të dehur. Po vras veten. Mos kërkoni…”

Rëfimtari tashmë një i rritur që kthehet në kohë jep ide dhe shtron teza rreth asaj se ku mund të ketë qenë çifti atë natë, cilat rrugë kishte ndjekur, kush mund të jenë njerëzit që kanë takuar ata, a mund të jenë të lidhur më ketë tragjedi njerëzit që kishte njohur ai në rininë e tij? Po Pacheco kush ishte në të vërtetë, ishte një bashkëpunëtor i Luftës së Dytë Botërore, po çiftin e kishte takuar atë natë duke punuar në klub? Ky njeri misterioz tërheq vëmendjen e rrëfimtarit faktet dhe hipotezat rreth të cilit i mbledh dhe i shkruan në një fletore, ku dalë nga dalë ai fillon të shkruaj çdo ditë e më shumë, dhe krejt në fund edhe vet e kupton se rastësisht kishte filluar ta shkruante librin e tij të parë.

Nëse e paraqesim strukturalisht atëherë kemi kohën e tanishme të rrëfimtarit, kohën e rinisë së tij dhe kohën e mëparshme të vrasjes së çiftit. Rrëfimtari lidh faktet, vendin dhe njerëzit nga koha e tanishme me kohën e rinisë së tij të cilët mund të jenë apo mund të mos jenë përfshire në tragjedinë e vitit 1933.

Lulet e Rrënimit është një roman enigmatik dhe me përfundime të hapura. Zotriu dhe zonja Gisele T mund të jenë takuar me dy çifte të tjera atë mbrëmje, por ne nuk jemi të sigurtë, as nuk mund të dimë me siguri se kush kishin qenë këta njerëz. Ata mund të kenë qenë në një bar natën e vdekjes, por as për këte s’mund të themi asgjë. Romani provon se një krim ka ndodhur, por ne nuk mund të bëjmë një gjykim moral pasi nuk e dimë se kush mund të futet në listën kriminale. Asgjë nuk është e sigurt, çdo gjë është nën hije e ndjekur nga një hije tjetër, nga ku mund të nxjerret çdo gjë dhe nuk mund të provohet asgjë, pasi çdo gjë është e dyshimtë.

Më Shumë

Katër libra futen në karantinë, dyshohen të jenë mbushur me arsenik

4 libra në karantinë Ata që e kanë lexuar librin “Emri i trëndafilit” i Umberto Eco-s, apo kanë parë filmin me të njëjtin titull, padyshim...

Peja apo Ylli – Sot mësohet finalisti i dytë i play-offit

Sot do të mësohet finalisti i dytë i play-offit, në Superligën e Basketbollit kosovar. Kampioni në fuqi, Peja është nikoqire e Golden Eagle Yllit. Fituesi...

Lajmet e Fundit