25.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Për cilin çlirim po flitet?

Nga Enis Reçica

Çlirimi? Dita e çlirimit?! Ta festoj ditën e çlirimit?! Për cilin çlirim po flitet?
Nëse themi se 12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia, nuk e di sa është e vërtet kjo datë. Disa thonë se është pikërisht ky 12-tsh, e grupime e krahina të tjera me data të tjera shënojnë çlirimin. Një copë e vogël vendi nuk biem në “razi”, siç thotë populli, për një datë të përbashkët që ta shënojmë si “datë e çlirimit”. Që në fillim kjo datë tregon se nuk është çlirim as fizik për të gjithë. Nuk është çlirim as në kontekstin e çlirimit nga Serbia. Kjo përderisa rajone të ndryshme festojnë me data të ndryshme.

Prapë, dua të them, për çfarë çlirimi po flitet?! Për çlirim nga Serbia, e cila edhe sot, ka rol kyç në politikat tona shtetërore. Kjo Serbi e cila, mban peng një pjesë të territorit tonë “de facto”. Po festojmë për çlirim të një vendi, i cili nuk e çliroi tërë territorin e tij. Edhe pse shpalli pavarësinë, nuk gëzon sovranitet të plotë në tërë territorin e tij. Për këtë çlirim po flasim?! Nëse është kështu, mund të quhet ditë çlirimi nëse kuptohet largimi i forcave militare serbe nga vendi ynë, por jo edhe të festohet dhe të pushohet në një ditë të tillë, kur nuk kemi pushtet të plotë në territorin tonë. Unë nuk jam çliruar!

Prapë, dua të kthehem tek pyetja, “për cilin çlirim po flasim?”. Për çlirimin nga Serbia, e këtë çlirim që na mundësuan disa ushtarë të vërtet. E këta luftuan me gjithë qenien e tyre për çlirim të kësaj hapësire tokësore dhe në fund kalojnë rrugëve si endacak, ndërsa “miqtë” e tyre milionerë. Për këtë çlirim po na flasin?! Kemi mbi 50 ushtarë, e shumica prej tyre që kanë humbur gjymtyrë të tyre në luftë, sot jetojnë nëpër baraka, apo edhe kërkojnë lëmoshë sy përlotur për bukën e gojës. E disave prej tyre akoma iu enden plumbat nëpër këmbë, por nuk kanë mundësi në ditët e sotme, pas 16 vitesh, t’i largojnë ata plumba e ato shifra granate. Për këtë çlirim po festojmë?! Jo unë nuk jam çliruar përderisa të buzëqeshin meritorët. E këta meritor i shohim shpesh nëpër kronikat “Edhe unë jam Kosovë”.

Prapë thoni jemi çliruar! Për çfarë çlirim po flisni? Për çlirimin nga të dhunuarat e luftës së fundit. Ndoshta nga to jemi çliruar, pasi që nuk zgjohet asnjëra ta kërkoj të drejtën e saj. Ndoshta këtë heshtje e bëjnë nga gjetja e përgjigjes tek paradigma “drejtësia flenë”. Po festojmë pasi që jemi çliruar nga forcat ndërkombëtare, dhe këtë të fundit, sipas një raporti mbi “Shfrytëzimi seksual nga paqeruajtësit e OKB-së”, kanë dhunuar mbi 2.000 femra në Kosovë dhe në Bosnje. Madje duke u ofruar pozita të larta nëpër institucionet ndërkombëtare funksionale në Kosovë. Për çfarë çlirimi po bëhet fjalë? Nga kush po çlirohemi!?

Edhe një herë dua ta bëjë të njëjtën pyetje, për çfarë çlirimi po flasim?! Për çlirimin, në të cilin vendosim përmendore nëpër sheshet tona. Dhe në këto përurime të këtyre përmendoreve nuk marrin pjesë të gjithë pushtetarët, veçse nuk është pyetur për vendosjen e asaj përkujtimoreje. Apo veç pse ai person nuk ka pasur “jarani” të mirë me palët tjera. Po festojmë për çlirimin e ndasive tona të brendshme. Për këtë çlirim po festojmë?!

Jo unë nuk jam çliruar edhe për shumë vite, derisa të çlirohemi nga egoja jonë që nuk po ngopet kurrë.

Më Shumë

Askush përveç vetes sonë nuk mund të na lirojë mendjen

Thënie nga Bob Marley – “E vërteta është se çdo njeri do t’ju lëndojë; ju thjesht duhet ta gjeni personin për të cilin ia vlen...

Kundërshtohet heqja e emrit të Hasan Prishtinës nga UP-ja

Një aksion simbolik është mbajtur sot para Kuvendit të Kosovës. Përmes këtij aksioni, është kundërshtuar heqja e emrit të Hasan Prishtinës, nga Universiteti i Prishtinës. Mehmet...

Lajmet e Fundit