“Ajo që ka ndodhur është skandaloze, sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbatuar, është shpërfillur në tërësi nga Qeveria. Konkretisht, me nenin 17 Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, Qeveria ka lënë në fuqi dispozitat që përcaktojnë se pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të jenë me mandat 4-vjeçar, në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte përcaktuar se emërimet në këto pozita para hyrjes në fuqi të Ligjit bazë për Zyrtar Publik nuk i nënshtroheshin emërimit me mandat, por mbajnë vendet e tyre të punës sipas aktemërimeve që kanë pasur”, ka thënë Gruda.

Më tej, ai ka cituar paragrafin 3 të këtij ligji, ku thuhet: Nëpunësit civil të emëruar në pozitat e kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese para hyrjes në fuqi të ligjit bazik konsiderohet se filloj mandatin e parë më hyrjen në fuqi të këtij ligji.

“Kjo kështu nuk ka asnjë kuptim sepse dispozitat e Ligjit bazik për Zyrtar publikë Gjykata Kushtetuese i ka shpallur si jo kushtetuese dhe ato pozita nuk mund të konsiderohen me mandat. Me këtë akt, Qeveria Kurti dëshiron të mbush administratën e shtetit me militantët e saj partiak, siç ka bërë deri tani, ta politizoj atë dhe të zbatojë politika në mënyrë tërësisht jo kushtetuese dhe në shkelje të plotë të aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që kishte vendosu për këtë rast”, ka thënë Gruda.

Sipas tij trumbetimet e shumta për reforma në administratën publike janë harruar, sepse atyre ju kanë zënë vendin shkeljet e kushtetutës dhe tendencat për kapjen e administratës publike.

“Kjo është një fazë e re e shkeljes së Kushtetutës së Kosovës nga Qeveria, ku edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dispozitat jokushtetuese përfshihen në ligje. Një qeveri normale do të duhej të ndjehej keq kur shkel kushtetutën dhe jo të shkoj edhe një hap më shumë duke mos zbatuar as aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai./rtklive.com