15.8 C
Prizren
E shtunë, 5 Tetor, 2024

I përndjekuri i dashurisë

DriteroAgolli me cigare“I përndjekuri i dashurisë” është një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli. Ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dëshmi se poeti i madh Dritëro Agolli ka shkruar më shumë poezi dashuri se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar. Libri u botua si një dhuratë e fëmijëve dhe bashkëshortes për 82 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, 82 vite të kaluara mes poezisë, prozës, gazetarisë e mbi të gjitha mes dashurisë së pamasë të familjes dhe të të gjithë lexuesve të tij besnikë.

Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agolli gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore; përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.

Janë mbi 50 vjet poezi dashurie, të cilat tregojnë dhimbjen, gëzimin, emocionin e shkrimtarit Dritëro Agolli. Të gjitha këto të përmbledhura, si asnjëherë më parë në një botim të vetëm, ku cilido e gjen veten mes rreshtave të poezive. Si asnjëherë më parë, libri “I përndjekuri i dashurisë” vjen i shoqëruar me një CD në të cilën janë të regjistruara poezi të recituara nga vet shkrimtari Dritëro Agolli. E kjo mund të jetë dhurata më e bukur për të dashurit tuaj, një përmbledhje me poezi dashurie e një CD me zërin e veçantë të Dritëro Agollit, i cili reciton poezitë e tij. Libri vjen pikërisht në një kohë kur zënkat, debatet, mërzia, inatet e mëritë kanë zënë rrënjë të forta në shoqërinë tonë. E në këtë kohë kur njerëzit janë bërë më të distancuar nga njëri – tjetri, përmbledhja “I përndjekur i dashurisë” është ilaçi më i mirë për të kuruar shpirtrat e trazuar dhe për të risjell tek to, ndjenjën më të bukur: DASHURINË, të cilës Dritëro Agolli nuk do lodhet asnjëherë së shkruajturi./BW/

Nga Shtëpia Botuese “Dritëro”

Nga Dritëro Agolli

DASHURI E VËSHTIRË
Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikët ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jami ndarë hidhur në udhëtim,
Por drejt njëri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon,
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë,
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Je për mua ëndërr çast e orë,
Teoremë e turbullt dhe dilemë…
Po të jem vërtet një Pitagorë,
Ti je më e vështira teoremë…

VEÇSE NJË ËNDËRR

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike
Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë
S’erdhe si e dashur, po si mike
Thjesht si vizitore tek një burrë.

Për takimin, tjetër ëndrra kisha,
Tjetër doli, siç u ndodh në botë
Ëndrrave në kulm të trëndafilta
Si një verë a trëndafil në gotë.

Dhe megjithatë them faleminderit,
Ti më dhe një fluturim mbi ëndërr
Nëpër portën hapur prej ylberit
Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr.
E PARËNDËSISHMJA

Vërtet çka s’është e rëndësishme
Në ty e dua pa kufi,
Sikur një gjë madhore të ishte,
Sikur të kishte rëndësi:

Për shembull, palën e fustanit
Dhe kopsën varur në një pe,
Apo tri qimet e nishanit,
Që për të trija bëj një be…

Ti qesh me mua shumë e hijshme,
Kur them: ta dua si fidan
Atë çka s’është e rëndësishme,
Se vetë i rëndësishëm jam…

Më Shumë

Mot sot: Me diell dhe vranësira, temperatura deri në 19 gradë Celsius

Sot mbi Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet...

Prokuroria, inspektorët dhe policia në Prizren takohen për luftimin e veprave penale kundër mjedisit

U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, priti në takim pune Inspektorët nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, inspektorët komunal...

Lajmet e Fundit