6.6 C
Prizren
E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

S’ka vullnet për luftimin e korrupsionit

Pare ndoreMe rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, që shënohet sot (e hënë) në gjithë botën, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe partive opozitare e kanë vlerësuar në mënyra të ndryshme nivelin e korrupsionit në Kosovë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni, me rastin e kësaj dite, në një shkrim autorial u ka bërë thirrje të gjithë akterëve që të bashkohen për ta luftuar korrupsionin. “Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit u bëj thirrje të gjithëve të mos na lënë të vetëm, të bashkohen me ne, që gjithë së bashku ta japim maksimumin për ta luftuar korrupsionin, shkatërruesin e së ardhmes prosperuese”, ka shkruar Preteni. Ai ka shkruar se raporti vjetor i organizatës prestigjioze që merret me trendët e nivelit të korrupsionit nëpër botë, “Transparency Internationale (TI)”, ku përfshihet edhe Kosova, është shqetësues. “Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve për faktin se shteti që na takon të gjithë neve pasqyrohet me nivelin e lartë të korrupsionit aty në mesin e shteteve afrikane, që ne i shohim nga larg si vende ku nuk respektohen rregullat ligjore, por ato fisnore e klanore. Në fakt, notimi i studimit të TI-së Kosovën e rangon në mesin e tyre. Në perspektivën e brendshme gjatë këtij viti Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë një punë të madhe në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, ka shkruar Preteni, duke i numëruar disa nga sukseset e AKK-së në parandalim e korrupsionit. “Një aktivitet i suksesshëm i Agjencisë është edhe parandalimi i veprimeve të mundshme korruptive të aktiviteteve tenderuese nëpër të gjitha institucionet e Republikës si në nivel qendror, në atë lokal, mekanizmat e pavarur dhe ndërmarrjet publike. Kjo ka ndodhur nëpërmjet një angazhimi sistematik të monitorimit të proceseve dhe procedurave të 25 aktiviteteve tenderuese”, ka shkruar drejtori i AKK-së. Gazeta ka provuar t’i kontaktojë edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje, por nuk kanë shprehur interesim të flasin për këtë temë.

Selimi: Këshilli që udhëhiqet nga Jahjaga ka zgjedhur disa konflikte administrative

Ndërkaq Selim Selimi, këshilltari ligjor i presidentes, Atifete Jahjaga, duke folur për çështjen e korrupsionit, ka thënë se Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili udhëhiqet nga Jahjaga, ka zgjedhur disa konflikte administrative që kanë të bëjnë me komunikimin ndërinstitucional për luftimin e kësaj dukurie. “Siç e dini, presidentja Jahjaga ka themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili shërben si forum i të gjitha institucioneve të cilat janë të thirrura për ta luftuar këtë dukuri negative. Deri më tani ky këshill ka zgjidhur shumë konflikte administrative që i kanë institucionet në komunikim dhe ka harmonizuar punë. Gjithashtu, ky këshill ka propozuar edhe rekomandime, të cilat janë implementuar nga institucionet përkatëse”, ka thënë Selimi për “Epokën e re”.

Pavarësisht se Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit nuk ka kompetencë ekzekutive, Selimi ka thënë se ky këshill shërben si forum për llogaridhënie të institucioneve. “Ky këshill shërben për t’i shikuar mundësitë e bashkëpunimit të këtyre institucioneve më mirë në mënyrë që të luftohet korrupsioni”, është shprehur Selimi. Ai ka thënë se nuk mund të flasë për nivelin e korrupsionit në Kosovë për shkak se presidentja nuk ka kompetenca ekzekutive në këtë drejtim. “Nuk mund të flas për nivelin e korrupsionit në Kosovë për shkak se presidentja me këtë këshill nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk jam kompetent të flas për një gjë të tillë”, ka deklaruar Selimi, duke bërë me dije se më 13 dhjetor është planifikuar të mbahet takimi i radhës i këtij këshilli të drejtuar nga presidentja Jahjaga.

Zemaj: Korrupsioni nuk luftohet me njerëz të korruptuar!

Për Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit kanë folur edhe përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka thënë për “Epokën e re” se sot (e hënë) institucionet e Kosovës lirisht mund ta festojnë dështimin e tyre në luftimin e korrupsionit. “Në të gjitha nivelet ka nivel të lartë korrupsion, përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës, e cila është e thirrur të hartojë politika dhe t’i zbatojë ato në shërbim të luftimit të kësaj dukurie negative. Institucionet e Kosovës nuk kanë pasur vullnet për ta luftuar këtë dukuri negative, e cila është bërë gangrenë e moszhvillimit ekonomik dhe e buxhetit të Kosovës ”, ka deklaruar Zemaj. Sipas Zemajt, korrupsioni në Kosovë nuk mund të luftohet me njerëz të korruptuar. “Institucionet e Kosovës kanë dështuar ta luftojnë korrupsionin. Këtë dukuri nuk mund ta luftojnë njerëzit e korruptuar. Qeveria nuk ka vullnet politik për ta luftuar korrupsionin sepse vetë është e korruptuar, ndërsa AKK-ja dhe këshilli famoz e kozmetik i presidentes nuk kanë nxjerrë asnjë politikë apo së paku në aspektin publik të bëjnë presion për t’u luftuar kjo dukuri negative. Në këtë drejtim nuk kanë avancuar as organet e sigurisë, e mos të flasim për gjykatat, të cilat e kanë dhënë minimumin e minimumit në luftimin dhe dënimin e njerëzve të korruptuar”, është shprehur Zemaj.

Hoxha: Korrupsioni s’luftohet me strategji të mbetura në letër

Drejtues i Komitetit Anti Korrupsion në Lëvizjen Vetëvendosje!, Yll Hoxha, ka thënë për “Epokën e re” se korrupsioni në Kosovë nuk mund të luftohet me strategji të mbetura në letër. “Nga raporti i UNODC-s, Bussines, Corruption and Crime in Kosovo (2013) vërehet se gjysma e pagës së qytetarëve të Kosovës (duke e llogaritur me pagën mesatare), shkon për ryshfet. Në atë raport thuhet se një përqindje e konsiderueshme e bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë, në mënyrë të përsëritur, gjatë gjithë vitit. Pra, shumë haptazi janë pikërisht zyrtarët e lartë publikë ata që po e thellojnë korrupsionin në Kosovë. Kjo dëshmon se korrupsioni nuk mund të luftohet me komisione ndërqeveritare e këshilla ndërinstitucionale, si dhe me strategji të mbetura në letër”, ka thënë Hoxha. Në këtë kontekst, Hoxha ka deklaruar se korrupsioni luftohet në rend të parë me vullnet politik. “Nëse ky parakusht krijohet, atëherë këtë mund të realizojnë në mënyrë të shpejtë e efikase prokurorët në veçanti dhe strukturat e rendit e ligjit në përgjithësi. Gjithçka tjetër është retorikë boshe, e cila mbulon zhytjen e tejskajshme të Qeverisë në korrupsion. Një nga 3 shtyllat e alternativës qeverisëse të Vetëvendosje!-s është shteti i së drejtës, ku paraqiten parimet e drejtësisë dhe barazisë për të gjithë. Kjo arrihet nëse sa më parë ndërrojmë qeverisjen dhe abuzuesit i dërgojmë para drejtësisë”, është shprehur Hoxha.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit sot (e hënë) Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) do të organizojë një performancë në sheshin “Skënderbeu” nga ora 10:30. Pas performancës, nga ora 11:00 KDI/TIK do të organizojë një tryezë diskutimi me temën “Si e gjen Kosovën Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit”.

Më Shumë

Abdixhiku nga tubimi në Suharekë: Ankesat janë për të dobëtit, puna është për të fortit (VIDEO)

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tubimin e radhës e ka mbajtur në Suharekë, nga ku ka thënë se fton secilin që të besojnë në...

Reshjet e shumta në Prizren, vështirësojnë qarkullimin e automjeteve

Në Prizren ka pasur pak të reshura të borës, por ka pasur të reshura të shiut, ndërsa në viset malore ka pasur të reshura...

Lajmet e Fundit