26.4 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025

“Pjata prej Druri”, një dramë mbi mosmirënjohjen

Ka shumë lloje mosmirënjohjeje, por, ndoshta mosmirënjohja e fëmijës ndaj prindit do të ishte ajo çfarë asnjë fuqi hyjnore nuk do të mundë ta falte. A mund të jetë prindi barrë?

“Pjata prej Druri”, drama e cila erdhi në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 15 dhe 16 prill, trajton problemin shoqëror të moshës së tretë. Në qendër është figura e një plaku, të cilin duan ta heqin qafe e ta degdisin në një azil pleqërie bijtë e vet dhe një nuse e re, fati i së cilës bëhet edhe më i dhimbshëm se fati i këtij njeriu, dikur të lumtur, që po pi tani kupën e hidhur të helmit të pleqërisë. Sikundër, pjata e gravuar prej porcelani që demitizon – zëvendëson (zvetnon) të vjetrën brenda kuzhinës tradicionale si kulturë ose mendësi kohe.

Ka shumë lloje mosmirënjohjeje, por, ndoshta mosmirënjohja e fëmijës ndaj prindit do të ishte ajo çfarë asnjë fuqi hyjnore nuk do të mundë ta falte. A mund të jetë prindi barrë?

Plaku i shtëpisë së vjetër (Hadi Shehu) do të bëhet pengesë e zonjës së shtëpisë (Rajmonda Bulku) për prezencën e tij, për pijen, duhanin, për gjestet, të sharat e tij, për pleqërinë, për miqësi me komshi e fëmijë.

“Pjata prej Druri“ e autorit Edmund Morris, ishte dorë e djathtë e mjeshtrit të madh, Gëzim Kame, e punuar dhe interpretuar enkas dhe nga Hadi Shehu – aktor me peshë teatri. Shfaqjen e përshkojnë emra nga Kosova e Tirana si: Rajmonda Bulku, Hysen Binaku, Xhevdet Doda, Edmond Hafizademi, Bujar Ahmeti, Altina Kusari, Valon Pallaska, Yllka Lota, Muradije Muriqi. Skenografia Petrit Bakalli, muzika Pëllumb Vula.

Pjata e protagonistit

Pjata e drunjtë për të parin e familjes ishte zile kujtese në raport me aeroplanin e tij jetësor. Pra, ajo do të bëhej motiv qenësor, njëherësh shkas për të iniciuar ndarje të përhershme me familjen.

Azili do të ishte hile dytësore, plus-minus përfundimtar dramaturgjik në relacion me kultin e nderit, me kultin e unazës morale përkatësisht respektin e ndërsjellë prind – fëmijë.

Shtëpia e detajuar nga dorë e Petrit Bakallit do të përcjellë mesazh thelbësor si vetëdije e ndërdije brenda dhe jashtë mureve familjare. Braktisja e shtëpisë me detyrim, të cilën, plaku – babai e kishte ndërtuar ndër vite, tregon që sahati i kësaj shoqërie është duke ecën mbrapsht.

“Pjata prej Druri” erdhi si relikt i së shkuarës, si objekt muzeal në raport me të tashmen.

Qiraxhiu, si linjë anësore, në kontekstin ideor do të bëhej mollë sherri për ujdinë familjare, përderisa shfrytëzonte plasat e murit dhe keqkuptimet ndërfamiljare, madje do bëhej kumt i fundosjes së Titanikut familjar.

Në kuptimin analogjik, shfaqja ndërlidhej me rrethanat vendore, meqë godet në damarët e moralit dhe të rendit shtëpiak, madje shkon deri në qelizat e ndjeshmërisë së dizajnuar edhe nga aspekti muzikor. Dhe, linja relaksuese, Samiu – fqinji – Hysen Binaku, i cili vjen si metaforë e takëmit ndërfqinjësor.

Dera e shtëpisë

Dera e shtëpisë e vendosur në qendër të skenës ishte mesazhi më qenësor për të sotmen familjare. Të mbyllësh portën kryesore me vetëdije do të ishte rrezik permanent për tryezën e traditës shqiptare, besës e kanunit, mbase kënga në dritaren e komshiut do të konceptohej si vaj i qyqes për këtë portë, për murin e “muhabetit“ shqiptar, për aromën e kuzhinës shqiptare. Si përmbyllje, do të shuhet etja për kafe e raki, nuk do të luhet cic-mici në miqësi, kështu, do të zvetënohej drita brenda zinxhirit trashëgimor.

Pjata e porcelanit

Porcelani në kuptimin ideor ishte instrument estetik – sarkastik që do të përplotësonte shijet e gjinisë femërore, porse, në raport me dinamikat kohore doli të ishte gurthyes zemrash në perspektivë. Në të kundërt, pjata e drunjtë, do të ndërlidhej me rrënjët, tokën, bazën, trungun, me fisin, respektin, nderin dhe brishtësinë e kësaj shoqërie.

Aktrimi i Hadi Shehut

Me emrin e tij ndërlidhet potenca e teatrit të Gjakovës. Regjisori kishte bërë zgjedhjen më kulmore në raport me shfaqjen dhe me diapazonin e tij artistik. Mbase edhe mizanskenimi ishte matematikë e pa kapërcyer konceptuale e cila ndërlidhej me të bëmat e aktorit në fjalë. Çdo skenë me të, prodhonte atmosferë – ëmbëlsirë. Urtësia e fjalës së tij, përballjet me djem dhe me zonjën e shtëpisë, dëshirat, ëndrrat, kujdesin dhe familjaritetin për shtëpi e nipëri, gjestet, nazet, ndëshkimet, mallkimet, dhembshurinë, kujtesën, figurën, fjalën kumbuese, gradacionet, ngjyrimet, tretmanin psikodramatik në rrethana, titanizmi fizik e interpretativ është mundësi unike mbase dhe për mbarshtuesit e kritikës.

Teatri i Gjakovës simbolikisht është shtëpia më e madhe e Gjakovës – Hadi Shehut. Aty kanë punuar ndër vite mysafir të shumtë, regjisor, krijues, aktor. Pleqëria do të ishte ndëshkim për derën kësaj shtëpie. Kështu, Gëzim Kame, përveç tjerash, ka reflektuar dhe këtë ide në formë mesazhi. Të mëdhenjtë kur ikin në azil shtëpiak, kafja, daullet, skena mbi të gjitha do trumbetojë farkëtari ndjeshmërie.

Rajmonda Bulku –Figura e saj, imazhi, krenaria që ajo luan deri në fund ishte veçanti e saj.

Xhevdet Doda – Aktor me potencë, i qëndrueshëm dhe elastik. Pesha e dramës ishte barrë për supet e tij. Ai me formatin e tij prej aktori parashikon ndarjen, parasheh dështimin e tij në raport me gruan, vëllain, babain, fëmijët dhe me komshinjtë. Manovron gjetje skenike duke i mbrojtur me fanatizëm veprimet e tij. Maturia e tij ishte diamant i sofistikuar sidomos në kuptimin e prerjeve, të cilat të qojnë deri në kufij përmallimit (vaji), sikundër që dikton fërkem urrejtjesh në relacion me rrjedhën e dramës.

Pastaj, Edmond Hafizademi, në rolin e mërgimtarit ishte “kopje“ e babait në pamje dhe në urtësi. Mjekra gjysmë e zbardhur, përjetimi, përkulja që bënte në prehrin e babait të tij, tendenca e tij për të ruajtur lidhjen e gjakut dhe largimi i tij, të gjitha këto, Hafizademi i kishte mirëpunuar, përshkallëzuar dhe interpretuar me xhentilesë sikundër Bujar Ahmeti, i cili sjell një qiraxhi provokator, grindavec, mistrec në sensin e nuhatjes, për faktin se kishte ndërtuar e stilizuar personin dhe personazhin qoftë në kuptim psikologjik, qoftë në kuptimin fizik. Ecjet e tij reflektonin siguri, shikimet përkatësisht vrojtimet e tij ishin unike, diksioni i theksuar, dramaticiteti, veprimet e matura dhe përmbajtja e cinizmit të tij qiraxhiun e nxjerrin krenar, i cili nuk di të pendohet madje edhe kur gjendet në mes këmbëve të zonjës së shtëpisë. Hysen Binaku – emër i skalitur teatror, sendërton një komshi me tipare komike. Humori i tij vërtet është i sofistikuar. Ironia që ushqen në raport me zonjën e shtëpisë ishte magjepsëse për publikun. Kishte ndjesinë e respektit të theksuar për komshiun brenda karakterit, përshfaq peshën e rëndësisë së komshiut të mirë, balancon situatat dhe rreziqet në shtëpi. Të gjitha këto detaje, i sjellë në mënyrën e vet. Gjestet, qeshjet, afria, ngrohtësia, afiniteti interpretativ. Edhe rrobaqepësja MuradijeMuriqi me një pjesë të vogël dëshmon maturi skenike, hapërim artistik dhe inkorporim me gjendjen, frymën dhe me profilin skenik bashkëkohor. Ishte dhe karakteri i drejtorit të azilit, Valon Pallaska i punuar me finesa, qoftë për nga gjestikulacioni, veshja vizëllore, trupëzimi ndërgjinor, të bëmat dhe mirësjelljet e tij që qojnë tek mendësia e një karakteri komik. Altina Kusari në rolin e desertit të shtëpisë – mbesës, reflekton karakter filmi. Ajo brenda rrethanave ishte vajzë kinemaje. Sjelljet e saj demonstrojnë pjekuri skenike. Situatat di më së miri ti përshtat për organizimin e peshës së rolit të saj. Afinitet në relacion me gjyshin, sakrificat që bënë për të ruajtur kultin e nderit të nënës ishin efekti më kulminant. Sikundër Yllka Lota, shoqja e shkollës së mbesës, që sjellë hare rinore nëpër shtëpi në të dyja rastet kur ajo paraqitet.

Regjia

Regjia e Gëzim Kames ishte brenda kornizave të një formule klasike, i cili sendërton sintezën regjisoriale duke e artikuluar – sendërtuar mizanskenimin brenda një shtëpie me shumë dyer (demonstrim begatie, pasurie), e ngritur në podiume shkallësh dhe në harqe ballkonesh përkatësisht në arkitekturë shqiptare. Kështu, gradacionet e ngjarjes njëherësh rrjedhën taktike regjisoriale dhe dramatike të dramës, e kishte përshkallëzuar mes hyrje daljesh, të akorduara mirë dhe arsyeshëm, ndërkohë, pauzat psikologjike i zhvendos herë në qendër, herë tek Muri i Kopshtit, aty ku reflektohet pasqyra reale e arkitekturës (mentalitetit) shqiptare. Arkat ku do të ulet plaku për të lozur cic-mic, mbase, janë varg fraza më ideofilozofike e shfaqjes. Cic-mici do të ishte ogur – alarm, shishe e zezë për pragun e ndarjes nga djepi i trungut fabular-familjar.

Pjata e Gëzim Kames ishte membranë unike për modelin e teatrit shqiptar.

*Naser Shatrolli, dramaturg, skenarist, kritik

Më Shumë

Suhareka mbështet edicionin e 4-të të Shkollës Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Suharekës ka konfirmuar për të katërtin vit radhazi mbështetjen financiare për Shkollën Verore Ndërkombëtare të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, duke dëshmuar...

Mbi 1 mijë e 600 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

1 mijë e 611 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 15 aksidente me të...

Lajmet e Fundit