4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Poezia e gjuhës shqipe

SABRI HAMITI

1. PARAFJALA

Gjithmonë kur ndodhemi në udhëkryq ekzistencial, sprovën e reflektimit e mbështesim te klasikët kombëtarë jo vetëm për të provuar kauzalitetin e trinitetit: Shqipja – Shqiptari – Shqipëria, në nivel të identitetit kulturor e të ideologjisë kombëtare, por edhe në lakimin e vlerave letrare të artikuluara në gjuhë amtare.

Kjo i rrok në mënyrë të barabartë të gjithë shqiptarët që e kanë shqipen “gjuhë të gjallë” dhe specifikisht gjuhëtarët që e përshkruajnë këtë gjuhë dhe shkrimtarët që e shkruajnë këtë gjuhë. Sprova për gjuhën shqipe si qenësi që rrokë mitin për identitetin kombëtar kapërcen në trajtimin e saj si strukturë për të arritur identitetin letrar.

Mëtesa është për të përshkruar kalimin nga formulimi “gjuha shqipe e poezisë” në formulimin “poezia e gjuhës shqipe” nëpërmjet analizës së poezive të Naim Frashërit, Ndre Mjedjes, Gjergj Fishtës dhe Lasgush Poradecit, fillimisht si vjersha okazionale e qëllimore, pastaj për të ndriçuar poetikat individuale të krijimeve të një teme, duke nxanë kumtin e stilin e tyre. Këto krijime të klasikëve shqiptarë, për shqipen në gjuhën shqipe, janë shkruar dhe botuar në deceniet e fundit të shekullit XIX dhe deceniet e para të shekullit XX.

2. NAIM FRASHËRI

I pari, Naim Frashëri, në vjershat okazionale: Gjuha jonë dhe Korça, e provon poezinë identitare të shqipes, duke e lakuar nëpër katër sintagma. Sintagmat poetike: “gjuha e zjarrtë” dhe sintagma individuale “gjuha e zemrës” janë të përmbajtura në sintagmat metafizike: “gjuha e Perëndisë” dhe sintagmën identitare: “gjuha jonë” (shqipe). Poezia okazionale e qëllimore e Naim Frashërit përshkohet nga funksioni iluminues i shqipes, për të na kujtuar venerimin e Pjetër Bogdanit “Në dhé të Arbënit ka urí mosdijeje” (1685) dhe përcjell amzën thirrore kryengritëse të vjershës së Pashko Vasës “Mori Shqypni e mjera Shqypni” (1880). Mirëpo, cilësia themelore e vjershës së Naimit, duke ndjellë admirimin për shqipen, këtë kërkesë e përkthen në një trajtë të lutjes e të mahnitjes, që është trajtë e joshjes përkëdheltare të habitjes intime, edhe pse në superlativin e butë:

Gjuha jonë sa e mirë!

Sa e ëmbël, sa e gjerë!

Sa e lehtë, sa e lirë!

Sa e bukur, sa e vlerë!

Ligjërimi intim i përbërë nga një varg epitetesh i pushton zemrat e pafajësisë: e gjerë, e lehtë, e ëmbël, e mirë, e lirë, e bukur, e vlerë, për të rrjetuar këngën e mirësisë dhe të dashurisë, tashmë të universalizuar. Këto cilësi duket që i ka pasur parasysh Midhat Frashëri, kur shkruante për gjuhën e gjallë shqipe të Naimit, në diskutimin e tij për historinë e shkrimit shqip.

3. NDRE MJEDJA

Ndre Mjedja, poemën e vet “Giha shqype” (1892) ia kushton Gustav Mayerit. Vepra ka 23 katrena me 92 vargje, në të cilën çdo strofë është një frazë poetike, por kumtet poetike mbështeten në dije e ndjesi personale, kohore, hapësinore, mbi dhe e në qiell, duke shtuar problematika identitare, lavdërime e mallkime, e gjithë kjo në dramatikën e këngës. Katrena e hapjes tregon farën poetike të Mjedjes:

Permbí zâ qi lëshon bylbyli

Giha shqype m’shungullon;

Permbí erë qi nep zymbyli

Pá daë zmrën m’a ngushllon

Ky është nivel i identifikimit personal. Në vijim bëhet identifikimi kombëtar i shqipes duke u ngjitur e duke zbritur nëpër topikat e dheut e të qiellit, të historisë e të gjeografisë së shqipes, duke pasur në konsideratë dhe përmbylljen për lavdërimin e nderit. Mjedja në poemën e vet është gjuhëtar e poet, madje moralizator. Drama e këtyre pozicionimeve artikulon edhe kërcitjet idhnake të mallkimit, edhe rënkimet e zemrës për përvuejtninë si dashuni. Kjo shqiptohet në parantezat e mallkimit të shqiptarëve, si grindje vëllezërish që ndajnë “Ça natyra vetë përpoq”; dhe paratezat për Mayerin dhe adhuruesin e tij që “Porsi dielli tue flakrue” shpërndan terrin që na mbulon”.

Dijetari austriak zbulon rrënjët e shqipes, familjen e saj, në një histori “sá mij’ vjet”. Se shqipja e dashur është në Tivar e në Prevezë, në burimin e Drinit, në Gegni e në Toskëri, dëshmon Roma, Iliri e Bardili. Mirëpo, Shqyptaria e pazbuluar është nën dhe, ku harrimi e ka mbytur lumninë. Mjedja dijetar e Mjedja poet përfundimisht tronditet, për burrat që toka i mbulon, kurse eshtrat e tyre përzihen “si’j arë grun, kúr éra lëshon”. Dhe kurora e poemës është në strofën e fundit, në të cilën poeti ngrit kriterin moral të vetin nëpërmjet mëtesës së burrave të dheut:

Don’ m’u çue e gjith per s’mbarit

Me u prië nipave mb’nji cak:

Don’ me t’bâ si ké kenë s’parit

T’ndérës me kapë t’lumnueshmin prak.

Motivim ky i fundit i ngjashëm me poezinë thirrore të Gjergj Fishtës, Çohí, të dekun!

4. GJERGJ FISHTA

Poema e Gjergj Fishtës “Gjuha shqype” (1911) është hartuar në tetë oktava dhe ka 64 vargje, ku secila oktavë përbën një frazë poetike. Fishta e nis himnin për gjuhën shqipe në dy oktava, që fillimisht i ngjet poemës së Ndre Mjedjes, por në vijim me enumeracion krahasimesh i përget më tepër poemës së Naim Frashërit.

Porsi kanga e zogut t’verës,

Qi vallzon n’blerim të Prillit;

Porsi i ambli flladi i erës,

Qi lmon gjit e drandofillit:

është figuracion binjak me të Mjedjes. Kurse vijimi i përshkrimit të shqipes, me krahasimet: vala e detit, gjâma e rrfés, ushtima e tërmetit, po është fishtjane; porse krahasimet: gjumi i kërthís, drita plot uzdajë, Fleta e kerubinit, e Vallet e amshimit, janë perceptime e përjetësime naimiane.

Kontrapunkti i këtij himnizimi është mallkimi i njohur fishtian, për të gjithë ata që nuk e lënë trashëgimi këtë thesar. Të mallkuar janë ata shqiptarë që flasin në gjuhë të huaj. Po, sepse shqipja për Fishtën është kulturë, identitet, është mënyrë perceptimi, ndijimi, njohjeje, ekzistence. Shqipja jetohet dhe trashëgohet: nga djepi deri në dekë. Është gjuhë e besimit, e këngës, trashëgimisë, e historisë së Lekës (Aleksandrit) dhe Kastriotit. Pra, gjuha shqipe shkon përtej komunikimit, është identitet historik, kulturor e shpirtëror i shqiptarit. Është karta e identitetit të shqiptarit. Poema kryhet me porosinë për shqiptarët në trajtë të urdhëresës. Fishta epik e heroik, këtë lirikë e kurorëzon me brohorimën e vet:

Prandej, prá, n’e doni fisin,

Mali, bregu edhè Malcija

Prej njaj goje sod t’brohorisin:

Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnija!

5. LASGUSH PORADECI

Lasgush Poradeci u kanonizua poet me dy poema të shkruara më 1921: Naim Frashërit dhe Zog’ i Qiejve. Me të parën e pranoi solemnisht atësinë (burimësinë) poetike të Naim Frashërit. Me të dytën inauguroi shqipen poetike të modernes shqiptare dhe të individualitetit të tij poetik. Këtu kemi dramën krijuese të adhurimit dhe të kapërcimit. Të dy poemat formalisht janë të ngjashme: tetërrokëshi i dyzuar naimian (gjashtëmbëdhjetërrokëshi) me rimë të puthur. Poema Naim Frashërit bën portretin poetik, human e atdhetar të Naimit, për të përfunduar me “heroizimin” poetik lasgushjan të nderimit eternal:

Se kuxove të na thuash me kalem të zi në kartë

Mall’ e Math që të pat djegur: Fjalët e Gjuhës së Zjartë.

Rrallë, apo kurrë, nuk ka ndodhur në poezinë shqipe, që një poet t’i detyrohet shpirtërisht në këtë mënyrë një poeti pararendës. Ky njëjtësim merr formën kapitale të përkufizimit të shqipes naimiane nëpërmjet figurimit lasgushjan:

Gjuha: shpirt i shent’ i kombit, që kalon dyke kënduar!

Gjuha: zjarr ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!

Gjuha: afsh’ i gjall’ i jetës! shpat’ e ndritur e lirisë!

Gjuha: yll i vjershërisë! gjuha: verb i Perëndisë!

Mirëpo, Lasgushi poet i burrëruar, këtu bëhet Zog’ i Qiejve për të promovuar ars poetica-n e vet të modernizmit shqiptar, duke folur në vetën e parë të personalizuar:

Këng’ e lasht’ e vjershërisë, më pëlqeu aq fare pak…

Do t’ja marr që sot e tutje si bilbil parëverak,

Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri.

Malli i ri i gjuhës poetike shqipe, në gegnisht e në toskërisht, do të jetë i pashuar përderisa të jetë “shqipja e gjallë” e trashëgimtarëve të klasikes shqipe.

Më Shumë

Kosova e Shqipëria me marrëveshje të re për kalimin pa kontroll kufitar në Vërmicë

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës nga ana e Kosovës dhe Morinës nga ana e...

Xhamia e Mlikës së Dragashit më e vjetër në Kosovë, besohet se u ndërtua nga një familje siriane

Xhamia e ndërtuar 735 vjet më parë në fshatin Mlikë të Komunës së Dragashit në jug të Kosovës është xhamia më e vjetër në...

Lajmet e Fundit