7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Pranon fajësinë polici që akuzohet se rrahu dy persona në stacionin policor në Malishevë

Zyrtari policor, Mehdi Hoxha, ka pranuar fajësinë se rrahu të dëmtuarit Safet dhe Artan Suka në stacionin policor të Malishevës në dhjetor të 2018-ës.

Pranimin e fajësisë për veprat që i vihen në barrë, i akuzuari Hoxha e bëri të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, pasi që me kërkesë të tij, aktakuza u konsiderua e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në konsultim edhe me avokatin tim, i pranoj të tri veprat penale, për të cilat akuzohem, të njëjtat i pranoj në mënyrë vullnetare”, deklaroi i akzuuari Hoxha.

Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Kastriot Memaj dhe të dëmtuarit, më pas si i tillë u aprovua nga gjykatësi Njazi Morina.

Pas kësaj shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar më fjalën përfundimtare të prokurorit Memaj, i cili kërkoi nga gjykata që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim sipas ligjit dhe gjatë matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe fajësuese.

“Në rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, gjykatës i propozojmë që si rrethanë lehtësuese të marrë pranimin e fajësisë, të bërë nga i akuzuari, ndërsa si rrethanë rënduese të ketë parasysh, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale”, tha prokurori Memaj.

Në fjalën përfundimtare të dhënë nga përfaqësuesi ligjor i të dëmtuarit Safet Suka, avokati Ndrec Doda, ka deklaruar se si palë e dëmtuar para këtij shqyrtimi gjyqësor janë takuar me të akuzuarin i cili ka kërkuar falje dhe ka shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur.

Avokati Doda shtoi se si palë e dëmtuar heqin dorë nga ndjekja penale, duke thënë se rezervojnë të drejtën ligjore për kompensim dëmi në një procedurë tjetër.

Edhe dy të dëmtuarit Safet dhe Artan Suka, sa i përket fjalës përfundimtare kanë deklaruar se e mbështesin deklaratën e avokatit Doda.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Emrush Kastrati, në fjalën përfundimtare ka deklaruar që fillimisht i kërkon falje palës së dëmtuar dhe palëve në procedurë, si dhe i ka propozuar gjyaktës që gjatë matjes së dënimit të merren parasysh vetëm rrethanat lehtësuese.

“Gjykatës i propozoj që më rastin e shqiptimit të dënimit të ketë parasysh vetëm rrethanat lehtësuese dhe ato jo rënduese, ngase fakti që i mbrojturi im, pavarësisht natyrës së veprave penale e ka pranuar fajësinë, i eliminon rrethanat rënduese”, tha avokati Kastrati.

Tutje ai kërkoi nga gjykata që në rastin e shqiptimin të secilit dënim veç e veç, si dhe dënimit unik për të tri veprat penale, në pajtim me dispozitat ligjore, të akuzuarit t’i mundësohet dënimi eventual me burgim në dënim me gjobë.

I akuzuari Hoxha në fjalën përfundimtare ka deklaruar se pajtohet me deklarimet e mbrojtësit të tij, duke shtuar se ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 14 tetor 2021.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 2 tetor 2019 ngarkon Mehdi Hoxhën se më 25 dhjetor 2018 në hyrje të objektit të Stacionit Policor në Malishevë, ka kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” dhe veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Hoxha, në dhjetor të 2018-ës, në Stacioni Policor në Malishevë, pikërisht në hyrje të objektit, në cilësinë e personit zyrtar policor keqpërdor detyrën dhe autorizimet e tij, duke keqtrajtuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarit Safet Suka.

Në aktin akuzues thuhet se për shkak të parkimit jo të rregullt të veturës së të dëmtuarit Safet Suka, i njëjti ftohet në stacionin policor, ashtu që i dëmtuari së bashku me vëllanë Arton Suka hyjnë në oborrin e stacionit policor me veturë dhe më pas shoqërohen për krahu nga zyrtarë policorë, ku i akuzuari Hoxha del nga kabina dhe shkëmben fjalë fyese me të dëmtuarin, më pastaj vrapon pas të dëmtuarit dhe e godet me shqelma në pjesë të trupit, derisa ndërhyjnë zyrtarët e tjerë policorë.

Për këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i akuzuari Hoxha, me kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Safet Suka, ashtu që duke hyrë tek dera hyrëse e stacionit policor, i akuzuari vrapon pas tij, e godet me shqelma në këmbë dhe pasi rrëzohet në tokë, i akuzuari e godet disa herë në pjesë të trupit, me çka i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Për këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 1, nën paragraf 1.4 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Kurse në dispizitivin e tretë të aktakuzës, Hoxha akuzohet se në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, në cilësinë e zyrtarit policor, keqpërdor detyrën dhe autorizimet e tij, duke keqtrajtuar dhe fyer rëndë të dëmtuarin Arton Suka.

Në aktakuzë thuhet se pasi e godet me shqelma në mënyrën e paraqitur si në dispozitivin e parë dhe të dytë, afrohet tek i dëmtuari Suka i cili ishte në shoqërim, respektivisht duke u mbajtur nga zyrtarët e tjerë policorë, e në atë moment e godet të dëmtuarin disa herë me shqelma në pjesë të këmbëve, derisa ndërhyjnë zyrtarët e tjerë policorë.

Për këto veprime, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

She?nim: Personat e pe?rmendur ne? ke?te? artikull konsiderohen te? pafajshe?m, pe?rvec? ne?se nga gjykata ve?rtetohet se jane? fajtore? me vendim te? forme?s se? prere?.

Më Shumë

Robert publikon një video me të dashurën e tij Ana Skrel, dyshja shfaqen duke u përqafuar derisa ai nuk i ndalë puthjet

Robert Berisha dhe Ana Skrel si duket kanë qenë së bashku në një event, kjo u kuptua pas një videoje që publikuan dyshja në...

QKUK në krizë/ I ka vetëm 49 anesteziologë, i nevojiten 118

Qendra Klinika Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me numër të vogël të anesteziologëve. Edhe pse në tre muajt e parë nuk ka pasur ikje...

Lajmet e Fundit