15.8 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025

Presidenti i përçarjes

Sivjet, kreu i shtetit do të mbahet mend për përkuljet në varrezat e serbëve

Ndonëse e ka marrë mandatin në fillim të muajit prill të këtij viti, sipas kalendarit vjetor, presidenti i tanishëm i vendit, Hashim Thaçi, mund të thuhet lirisht se po e mbyll vitin e parë në krye të shtetit, por për këta tetë muaj ai nuk arriti të dëshmohet, as ta luajë rolin e presidentit unifikues, sikur që ia përcakton obligimin ligji dhe Kushtetuta. Në përmbyllje të këtij viti, deputetë nga të dy taborët, pozitë e opozitë, si edhe analistët politikë, theksojnë se presidenti Thaçi jo vetëm që dështoi në këtë vit të parë të tregohet si figurë unifikuese e spektrit politik e qytetar, por janë të sigurt që gjithë mandatin e tij do ta mbyllë si i tillë, si një nga figurat më të padëshiruara të nivelit të lartë institucional për qytetarët e këtij vendi. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj thekson se Hashim Thaçi nuk arriti të inkorporohet në rolin e presidentit.

“U mundua të duket aktiv dhe i angazhuar me disa “reforma” zgjedhore , por nuk ia doli. I vetmi aktivitet i tij serioz ishte vizita dhe përkulja para memorialeve serbe, në mesin e të cilëve kishte edhe aso që kishin bërë masakra ndaj shqiptarëve. Madje, ndoshta edhe këtë e bëri nga frika e Gjykatës Speciale, sepse, sipas gjasave, edhe ky jeton në ankthin e arrestimit”, u shpreh më tutje ai.

“Tash së fundi iu rikthye rolit të kryetarit të PDK-së, duke marrë pjesë aktive në fushatën elektorale të kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit. Në këtë mënyrë u bë kryetari i radhës që shkel Kushtetutën e Kosovës. Deri më tash i provoi disa role, përveç atij të kryetarit të Kosovës”, tha Adem Salihaj.

Me vota kontrabandë nuk ka rezultate pozitive

Kritik për rolin e presidentit janë edhe deputetët Ali Berisha nga AAK-ja dhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën.

“Që nga fillimi figura e presidentit Thaçi është konsideruar dhe ka mbetur si president jokonsensual, nuk është figurë unifikuese dhe nuk po arrin që t’i prezantojë akoma të gjithë qytetarët e Kosovës dhe dallimet që i kanë. Pra, ai edhe tash, pas gati një vit në këtë mandat, po konstatohet se ajo që është e përshkruar me Kushtetutë dhe i takon të parit të vendit, si president i shtetit, në asnjë moment nuk është realizuar as nuk mund të realizohet as në të ardhmen”, tha Ali Berisha nga AAK-ja.

Të kontestuar nga shumica politike dhe qytetare, ashtu sikur edhe në pozitën e presidentit, e sheh edhe në fund të këtij viti edhe deputeti Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën.

“Hashimi, ashtu sikur që është ditur, ka filluar dhe do të vazhdojë edhe më tutje ta luajë rolin e tij të përçarjes, në vend të rolit të unitetit, edhe nga pozita që e ka, e ku ka ardhur kryesisht me vota të kontrabanduara. Ai edhe tani po vazhdon dhe do të vazhdojë akoma të përzihet në punët që nuk i takojnë atij si kryetar i shtetit, më shumë po sillet si kryetar i PDK-së. Ai vazhdon të jetë person jounifikues në pozitën që duhet me qenë unifikuese dhe ky është një dëm i madh për demokracinë e re të Kosovës”, tha Berisha nga NISMA për Kosovën. /Kosova Sot/

Më Shumë

Osmani për liderët e partive: Kishin qëndrime të ndryshme, por pati një disponim minimal

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka përgëzuar liderët politikë që ishin pjesë e takimit të thirrur nga e para e shtetit për siç...

52 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara janë shënuar 52 aksidente dhe janë shqiptuar 2286 gjoba në trafik. Sipas...

Lajmet e Fundit