Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar sot nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi për realizimin e projektit kapital për “Ndërtimin e Pikës së vetme të kontaktit (ONE STOP SHOP)” në Prizren.
Sipas njoftimit për media, pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari Haskuka deklaroi se Prizreni është komuna e parë me një projekt të tillë, me të cilin do të rregullohet ambienti në hyrje të administratës komunale dhe do të mundësohet që shërbimet që jepen nga komuna të jenë sa më të lehta dhe të qasshme për qytetarët.
“Këtu faktikisht do të jenë të gjitha shërbimet, nga certifikatat më të lehta, deri te aplikimi për leje ndërtimore, apo procedurat tjera më të komplikuara, ku qytetarëve s’do të kërkohet që të enden zyrave të komunës lartë e poshtë, por do të jenë të gjitha në një vend”, tha kryetari Haskuka.
Kurse ministri Yagcilar, sipas njoftimit, deklaroi se me këtë projekt po krijohet një vazhdimësi e reformave dhe të modernizimit të administratës publike edhe në nivelin qendror por edhe në atë lokal, nëpërmjet të cilit qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbime të ndryshme në një vend.
Ky projekt, i cili po realizohet nga Ministria e Administratës Publike (MAP), Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Komuna e Prizrenit, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe konsumatorët.
Vlera e projektit parashihet të jetë rreth 1 milionë euro, për të cilin Komuna e Prizrenit do të financojë 50 mijë euro, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal deri në 200 mijë euro, kurse Ministria e Administratës Publike do të financojë pjesën tjetër të projektit deri në finalizim.