23.8 C
Prizren
E premte, 19 Korrik, 2024

Profesorëve të UP-së nuk do t’iu lejohen më nga dy vende pune

UP-rektoratiPo afrohet data kur profesorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me nga dy kontrata të rregullta pune duhet të deklarohen se cilin vend pune e zgjedhin. Janë rreth 40 profesorë të rregullt të cilët kanë afat që deri më 20 shtator të vendosin përfundimisht se në cilin universitet apo institucion tjetër duan të punojnë.

Rektori i Universitetit, Ibrahim Gashi tha për Radio Kosovën, se nëse profesorët deri në datën e caktuar nuk përcaktohen dhe nuk dërgojnë dëshmi për shkëputje të marrëdhënies së dytë të punës, atëherë do të merren veprime të njëanshme për shkëputje kontrate, pa ndonjë paralajmërim.

Ai ka kërkuar po ashtu mbështetje nga Inspektorati i Punës në nivel të Kosovës për zbatimin e vendimit të tij.

“Shërbimi i inspektoratit do të jetë në mbështetje të implementimit të këtij vendimi, për të parandaluar punën e profesorëve që kanë kontrata edhe në institucione tjera, ku kanë kontrata të rregullta pune, ku janë zgjedhur me konkurs dhe ajo kontratë e obligon atë të jetë nga ora 08:00 deri në ora 16:00 në një institucion tjetër”, tha ai.

Rektori Gashi theksoi se deri tani një profesor e ka lënë postin e tij vullnetarisht në një institucion. Fjala është për Nagip Skënderin, njëherësh edhe sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Gashi tha se ka edhe paralajmërime nga profesorë të tjerë.

“Në ndërkohë kemi paralajmërime edhe të sekretarit të Ministrisë së Drejtësisë, i cili do ta zgjedhë Universitetin e Prishtinës dhe natyrisht do ta lëshojë postin e sekretarit atje. Kemi disa kërkesa për t’ju lejuar deri në përfundim të mandatit që ta ngrijnë punën në Universitet disa drejtorë që janë në poste të rëndësishme dhe institute të rëndësishme për shtetin. Ne do ta shqyrtojmë këtë në bashkëpunim me interpretuesit e ligjit të punës, të shohim nëse kemi të drejtë. E rëndësishme është që ata nuk do të mbajnë mësim në UP dhe paga do tu dalë zero”, tha Gashi.

Në letrën që rektori ua ka dërguar profesorëve me dy kontrata, thuhet se nëse ata nuk do të vendosin deri më 20 shtator se ku do të zgjedhin të punojnë, atëherë kontrata do tu shkëputet në mënyrë të njëanshme. Ai tha se do të konsultohen me ligin në mënyrë që të mos merret ndonjë vendim i ngutshëm.

“Pa u konsultuar mirë me ligjin, me inspektoratin, që dikujt të mos ia shkëpusim marrëdhënien e punës e me ia dhënë të drejtën që nesër ta fitojë me gjyq, ne e dëmtojmë universitetin. Sa të konstatohet që kemi të drejtë me e shkëputë kontratën, ne do ta shkëpusim. Nuk jam ithtar i ndonjë vendimi të ngutshëm që pastaj ta pësoj institucioni me fajin tim”, th ai.

Ndërkohë, kryeinspektori i Inspektoratit të Kosovës, Basri Ibrahimi, konfirmoi për Radio Kosovën se janë në kontakt me rektoratin e Universitetit të Prishtinës për shqyrtimin e kontratave të profesorëve, njëkohësisht duke i analizuar dhe konsultuar me Ligjin e Punës.

Kur janë bërë krahasimet e kontratave, doli që rreth 40 profesorë janë të angazhuar edhe me nga një marrëdhënie të rregullt pune jashtë Universitetit të Prishtinës. Rektori Gashi tha se kjo është në kundërshtim me Ligjin e Punës, që natyrisht e dëmton cilësinë e punës në Universitet. Sa i përket zyrtarëve të lartë shtetërorë të angazhuar edhe në Universitet, Rektori Gashi thotë se meqë ata nuk janë shërbyes civilë, mund të mbajnë mësim, por nëse nuk i mbajnë orët, do të detyrohen ta ngrijnë pozitën e profesorit dhe paga e tyre nga Universiteti do tu dalë zero.

Më Shumë

Fluks i madh në rrugët e Shqipërisë, kosovarët ia mësyjnë bregdetit

Në pikun e sezonit turistik, me fluksin e lartë të pushuesve disa rrugë kryesore në Shqipëri mbeten problematike, konkretisht gjatë fundjavës. ABC News Albania, raporton...

Kërcënohet një gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prizren

Është kërcënuar një gjyqtar i Gjykatës i Themelore në Prizren. Kërcënuesi ishte duke u gjykuar dhe ka kanosur gjyqtarin e rastit. Meqenëse ishte duke vuajtur dënimin...

Lajmet e Fundit