23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Qemal Stafa na porositi nga burgu të bënim rezistencë

Kristo FrashëriParashikimi, se pas shtypjes së Republikës Spanjolle radhën e agresionit fashist do ta kishte Shqipëria, nuk ishte pa themel. Pas agresionit fashist italian kundër Abisinisë (1935), e cila u pushtua pa ndonjë faj të banorëve etiopë, më 1936 filloi ndërhyrja ushtarake e Berlinit dhe e Romës kundër Republikës Spanjolle. Pastaj Japonia pushtoi Kinën, pa e marrë vesh njeri arsyen e këtij agresioni. Pak më vonë Austria u pushtua nga ushtritë hitleriane. Dhe tani në vitin 1939 në mes të muajit mars Çekosllovakia u pushtua papritur nga divizionet e hekurta gjermane. Disa ditë më vonë Hitleri i rrëmbeu Lituanisë Memelin.

Po në atë kohë forcat e zeza fashiste kremtuan fitoren e kundërrevolucionit në Spanjë. Pikërisht në këto rrethana, në fund të marsit 1939 u përhap lajmi se në bregdetin e Puljes së Italisë, në Bari, Brindizi dhe Taranto, qenë grumbulluar ushtri italiane me sytë e kthyer nga Shqipëria. Me shpejtësi të rrufeshme qarkulloi nëpër rrugë lajmi se Musolini i kishte dërguar Zogut një ultimatum, me të cilin i kërkonte – nuk dihej me siguri se çfarë – por thuhej se i kërkonte vendosjen e reparteve ushtarake italiane në skelat shqiptare. Të paktën kështu thuhej nën zë. Lajmi tronditi të madh e të vogël. Natyrisht më tronditi dhe mua. Por lajmi nuk ishte akoma i sigurt dhe njerëzit, veçanërisht të rinjtë, kishin frikë ta besonin lajmin e hidhur, aq më tepër kur e keqja nuk kishte ndodhur dhe aq më shumë kur lajmi pëshpëritej vetëm në rrugë. Veç kësaj, qeveria mbretërore nuk dha asnjë shenjë se ishte e shqetësuar. Ajo vazhdoi të merrej me kremtimin e javës së gruas shqiptare. Në bazë të programit qeveritar, në mbrëmjen e datës 1 prill 1939 u shfaq në kinoteatrin “Gloria” melodrama e Vinçens Prendushit me titull “Gruaja shqiptare”, e cila vinte në dukje patriotizmin e femrës shqiptare. Rolin kryesor të nënës e luante Berardina Qeraxhia, kurse atë të vajzës që qëndiste flamurin kombëtar e luante Rozina Zojzi.

Kur flamuri kombëtar u shpalos në skenë në sallë kishin shpërthyer duartrokitje të gjata patriotike.

Ndërkohë, Qemal Stafa, i cili e vuante dënimin në burg në fshatin Mbrostar të Beratit dhe të cilin ato ditë e kishin sjellë në Tiranë për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait Veli Stafës, në një pusullë që i dërgonte Ali Demit i thoshte afërsisht se kishte marrë vesh se Italia do të pushtonte Shqipërinë. Një lajm i tillë po e tmerronte për faktin se ndodhej në burg. Ai porosiste që ne të mos e gënjenim veten duke thënë se ishallah nuk është e vërtetë. Gjithashtu na porosiste që të përpiqeshim sa më tepër dhe të organizonim një rezistencë, mbasi siç dukej sulltani (sulltan i thoshte Zogut) do të ruante lëkurën e tij. Në fund kërkonte që ta njoftonim për lëvizjet që do të bënim.
Të hënën në mëngjes, më 3 prill 1939, kur u takuam në shkollë, Ali Demi ma dha letrën e Qemal Stafës ta lexoja.

Ajo më nxiti të pyesja shokët e celulës sime se çfarë duhej të bënim. Jusuf Keçi më njoftoi se vendimi ishte marrë. Të gjithë ne së bashku me simpatizantët e grupit tonë duhej të blinim biletë në kinema teatër “Gloria” për të asistuar po atë mbrëmje në rishfaqjen e melodramës së V. Prendushit.

Ai shtoi se na u dha porosi që kur në skenë të shpalosej flamuri kombëtar, të mos kufizoheshim vetëm me duartrokitje, por duartrokitjet t’i shndërronim në manifestim për mbrojtjen e atdheut. Këtë porosi kishte marrë dhe Ali Demi nga qendra e grupit të tij.

Në mbrëmje rrugët gumëzhinin si një koshere me bletë, gjë e jashtëzakonshme për ditën e hënë në Tiranë. Njerëzit lëvrinin rrugëve, kërkonin të mësonin gjendjen nga pamjet e vrenjtura apo të qeta të qytetarëve. Gjendja ishte gjithnjë e pasigurt.

Duke hyrë në sallën e kinoteatrit “Gloria” nxënësit merrnin porosi njëri nga tjetri të ruanin gjakftohtësinë, të mos provokonin përleshje të papritura, të mos fyenin njeri, sepse këto mund të kapeshin nga agjentët e Romës si pretekste për të justifikuar okupacionin që kishin përgatitur.
Salla u mbush dhe shfaqja filloi. Në sallë, heshtjen e prishnin vetëm deklamacionet e aktorëve. Skenat ndërroheshin dhe shumica e spektatorëve prisnin fundin e shfaqjes kur do të fillonte shtrëngata.

Shfaqja po i afrohej fundit. Kur në skenë, sipas programit, u shpalos flamuri i kuq me shkabën dykrenore, që u duk atë natë më i bukur se tjetër herë, në sallë shpërtheu një buçitje e madhe sikur gjëmëtoi aty brenda një rrufe e papritur. Duartrokitjet e furishme u mbuluan nga një zhurmë e përzier me brohoritje e me këngë, një zhurmë e fuqishme sa s’u mor vesh se ç’ishte. Por më vonë, gumëzhitja u vu në rregull dhe u kuptua se po këndohej himni i flamurit. Të gjithë këndonin me sa fuqi kishin, salla dukej sikur do të përmbysej, spektatorët sikur do të pushtonin qiellin.
Pa mbaruar mirë himni i flamurit, një zë djaloshar bërtiti nga mesi i sallës:
– Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!
Përgjigjja qe e shpejtë dhe e fuqishme.

Duke kënduar e brohoritur njerëzit dolën nga salla. Ishte ora 11 e mbrëmjes. Jashtë në oborrin e kinoteatrit këngët e brohoritjes u ndërprenë. Por kur spektatorët dolën në Rrugën e Kavajës, buçiti më me furi se brenda kënga e patriotëve tanë të Rilindjes, kënga që më vonë u pagëzua me gjak dëshmorësh, si himn i demonstratave kundër okupatorit fashist, kënga “Eja mblidhuni këtu!”.
Këngës iu përgjigjën qindra njerëz nga ata që sapo dilnin nga kinoteatri dhe nga të tjerë qytetarë që kalonin rrugës.

Me këngë në gojë turma u nis drejt sheshit “Skënderbej”.
– Ku vemi? – pyeti një qytetar që sapo u bashkua me turmën dhe nuk kuptonte se ç’ngjiste.
– Vemi të shfaqim dashurinë tonë për atdhe dhe urrejtjen për armiqtë e Shqipërisë.
Turma kaloi përmes sheshit “Skënderbej” duke kënduar e brohoritur. Pastaj hyri në rrugën e “Sahatit të Madh”. Në atë orë, shumica e Tiranës flinte. Nga zhurma e madhe e këngëve dhe e brohoritjeve filluan të ndizeshin dritat e dhomave të pallatit “Kaceli” dhe të zgjatnin kokën nga dritaret burra e gra. Të tjerë, të përgjumur, u ngritën me vrap duke kujtuar se ndodhi e keqja e madhe. Disa prej tyre dolën nga shtëpitë dhe me vrap u bashkuan me turmën, dikush i paveshur mirë.
Si arriti në krye të rrugës te “Varri i Kapllan Pashës”, turma u kthye djathtas, në drejtim të pallatit mbretëror. Atëherë policët, që ndiqnin nga pas turmën, vrapuan me nxitim drejt pallatit dhe qëndruan para portës së hekurt. Në të njëjtën kohë brenda nga oborri vrapuan me armë në duar disa ushtarë të gardës mbretërore dhe qëndruan disa brenda, disa jashtë portës me kangjella të hekurta.
Kur turma arriti te porta e pallatit, u ndal vetë. Gjithashtu kënga pushoi. Për një çast u duk se do të fillonte përleshja. Ushtarët dhe policët qëndronin të çuditur dhe me dorë në brez. Në këtë çast arriti komisari i policisë i shoqëruar me tre policë. Komisari, i cili deri një ditë më parë shfrynte me inat e me gjuhë të vrazhdët kundër viktimave që arrestonte, tani u afrua me urtësi dhe pyeti me zë të butë:
– Çfarë kërkoni tani në mesnatë?
Një zë nga turma bërtiti:
– Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!
– Rroooooftë! U përgjigjën qindra veta.
Një oficer i Gardës mbretërore që rrinte pranë portës së madhe me hekura, u afrua me kujdes dhe me zë të dridhur iu drejtua turmës:
– Mos thërritni, mos thërritni, se zgjohet nalt-madhënia!
– Zgjohet nalt-madhënia? Po, po, për atë kemi ardhur! Duam t’i themi nalt-madhënisë, se nuk mund të flemë kur mendojmë se vendi është në rrezik!
Kënga buçiti përsëri. Ushtarët e Gardës me pushkët në duar nuk kuptonin se ç’bëhej. Oficeri i Gardës filloi të lutej të mos qëndronin shumë. Me këngë e brohoritje turma filloi të ecte përsëri.
– Po tani ku do të shkojmë?
– Ja, po kalojmë nëpër rrugët e Tiranës, ta marrë vesh populli që të jetë gati.
– Mirë pra, përpara shokë, filloni këngën!
Komisari i policisë, bashkë me shokët e tij, ndiqte turmën herë anash, herë pas. Kur pa se turma nuk po shpërndahej, doli përsëri përpara dhe u lut të ndaleshin. Turma ndali.
– Dëgjoni, – tha komisari, – tani është mesnatë, njerëzit flenë dhe ju po prishni qetësinë publike, po trembni kalamajtë, pastaj këtë punë e di qeveria, e di nalt-madhënia. Prandaj shpërndahuni me rregull dhe shkoni në shtëpitë tuaja.
– Largohu, largohu, se e dimë ne – vërshuan një breshër përgjigjesh. Mos na trego qetësinë publike. Largohu se nuk jemi ne që i trembim kalamajtë – vazhdonin përgjigjet. Kalamajtë i kini trembur ju kaq vjet me radhë – kumboi një zë burri.
– Shëëët! Shëëët! – ndërhynë dy policë.
– Shëët ju dhe jo ne – u vajti policëve menjëherë përgjigjja.
Këtyre bisedimeve u dha fund kënga që buçiti përsëri. Turma filloi të ecte dhe policët me gjithë komisarin e tyre hapën rrugën. Turma u fut në Rrugën e Kavajës. Pas këngës buçitnin brohoritjet dhe pas brohoritjeve përsëri kënga. Si ecën pak, nga kreu i turmës tre vetë ngritën mbi supet një shokun e tyre. Ky foli me gjakftohtësi:
“Le të qëndrojmë këtu, se jemi përpara banesës së një diplomati frëng. Të qëndrojmë vetëm sa t’i themi që populli shqiptar nuk do ta lërë vendin e tij të shkelet nga armiku i huaj dhe se në këtë orë kaq kritike për atdheun tonë, populli shqiptar ka nevojë për ndihmën e popullit frëng si dhe të popujve të tjerë”.
Komisari i policisë, që e kish ndjekur turmën nga pas, u tërbua fare. Kënga vazhdoi me hov. Nuk vonoi dhe u hap drita në një dhomë të katit të sipërm. Pastaj u hap dritarja dhe u duk pas perdes një hije njeriu. Nga turma u dëgjuan thirrjet në frëngjisht:
– Vive l’Albanie! Vive la liberte!
– Vive la securitee collective – bërtiti nga mesi i turmës një nxënës i shkollës sonë. Thirrja u prit me brohoritje të gjata. “Sigurimi kolektiv” ishte platforma e politikës së frontit popullor, ishte deviza e kërkesave të tij në Lidhjen e Kombeve. Sigurimi kolektiv ishte mjeti më i mirë që mund t’i jepte fund politikës së shfrenuar të agresioneve që kishin filluar fuqitë e trekëndëshit fashist. Më tepër se kurdoherë ato ditë populli shqiptar e kuptonte se vetëm mungesa e sigurimit kolektiv solli okupimin e Austrisë, Çekosllovakisë dhe tani rrezikun që trokiste në derë të Shqipërisë.
Diplomati frëng u përgjigj duke shuar dritën e dhomës. Hija e burrit humbi në errësirë. Atëherë turma u drejtua në Rrugën e Durrësit.
– Akoma doni të vazhdoni? – klithi i alarmuar komisari.
– Shko të flesh, se të kaloi ora e gjumit! – iu përgjigj një qytetar.
Përpara legatës turke dhe më tutje përpara legatës jugosllave, u përsëritën po ato brohoritje. Po edhe atje nuk pati ndonjë përgjigje. Pastaj turma përpara dhe komisari me policët e tij prapa, hynë në sheshin “Skënderbej”. Ora donte dhe pak të binte një pas mesnate. Nga mesi i turmës që kishte ndalur, u ngrit një djalosh i ri:

– Manifestuam – tha – sa deshëm. Tani duhet të shpërndahemi. Nesër përsëri do të takohemi.
Kur u ktheva në shtëpi gjeta para portës mamanë që më priste e shqetësuar. U qetësua kur më pa shëndoshë e mirë.
Akulli qe thyer. Policia dhe Garda mbretërore qenë treguar të pazonjat për ta shpërndarë demonstratën. As kërcënimet dhe as dhelpëria nuk pinë ujë. Demonstrata vazhdoi pa guxuar njeri të vinte dorë mbi ne.
Të martën më 4 prill, që në mëngjes herët, komisari i policisë arrestoi pesë nxënës nga ata që rrinin në krye të demonstratës – midis tyre dhe Jusuf Keçin. Por nuk guxoi t’i mbante më tepër se dy orë. “Liroji shpejt, i thanë, se kur të marrin vesh që ke arrestuar shokët e tyre, ata të mbrëmshmit do t’ia fillojnë përsëri, dhe pastaj, hajde ndali!”.

Që në mëngjes, njerëzit pllakosën në rrugë. Policia sekrete lëvizte poshtë e përpjetë si mizë e tërbuar. Çështja se ç’duhej bërë tani diskutohej sheshit. Thuhej haptazi se qeveria shqiptare kishte kapitulluar para shantazheve fashiste italiane. Thuhej po ashtu se Zogu dhe qeveria kishin frikë ta shpallnin ultimatumin e Musolinit, sepse mund të pëlciste vullkani nga poshtë. Demonstrata e mesit të natës ua kishte kallur frikën në palcë. Po atë ditë, për të qetësuar opinionin publik, në shtyp u botua deklarata pa autorësi në të cilën thuhej se lajmet e përhapura rreth prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-italiane ishin të pasakta, se midis Shqipërisë dhe Italisë vazhdonin të ekzistonin si dhe më parë marrëdhënie miqësore. Kur u përhap lajmi, unë isha i pranishëm në kafe “Kursal” në qendër të Tiranës. Një burrë i thyer nga mosha me qylaf labi në kokë, i cili dëgjonte komunikatën që po u tregonte me zë të lartë shokëve të tij një burrë mesatar, në një tavolinë tjetër, u hodh nga tavolina ku rrinte: “Miqësore?!”.
– Miqësore thotë komunikata; po, po, miqësore, e këndova vetë me sytë e mi.
– Miqësore janë për qeverinë, more xhaxho, dhe jo për ty e për mua e për këtë popull të gjorë – ndërhyri një burrë tjetër.
Zhurma mbyti sallën e kafesë. Njerëzit rrinin më shumë në këmbë se të ulur në karrige.
Xhaxhua, si u ngrit, nuk u ul fare në karrige. Iu afrua tre burrave që bisedonin në këmbë dhe i pyeti:
– Mos kini parë, ku janë deputetët që gjithë ditën rrinin këtu në “Kursal” dhe tani s’duken gjëkundi? Unë për ta kam ardhur, dua t’i pyes në kanë marrë vesh ndonjë haber të saktë.
– S’dimë ku janë – u përgjigjën.
– Ç’pyet për të mykurit! Ndërhyri përsëri burri i mëparshëm.
Xhaxhua e pa me sy të habitur, fërkoi ballin dhe zuri të dilte.
Një burrë i shkurtër e tullac, nëpunësi i një dikasteri qendror që po fliste në mes të një grupi, ngriti zërin dhe i mbuloi fjalët e të tjerëve:
– Nuk duhet të nxitohemi, se pastaj bëjmë gabime që na kushtojnë rëndë. Ne jemi shtet, kemi një qeveri, të mirë a të keqe, po kemi një qeveri, një parlament, një mbret, prandaj s’duhet të futim hundët e të bëjmë sipas kokës. Situata është kritike, kështu themi ne që nuk dimë gjë, që rrimë në kafene. Po sikur të mos jetë kështu?

Xhaxhua plak akoma nuk kishte dalë nga salla kur dëgjoi këto fjalë. U kthye dhe duke e shikuar në sy po i afrohej:
– E si të mos jetë kështu a derëzi? Po si thua ti, marrëdhëniet janë miqësore, ëëë? Miqësore, ëëë? Po tymi që po del ç’është?
– T’i lëmë fjalët, – u hodh një burrë me syze, i cili nga pamja dukej se qe intelektual. – Çdo gjë është e qartë: vendin tonë e kërcënon një rrebesh. Dhe ne nuk dimë akoma nëse janë ose jo të vërteta këto që po thuhen. Ne kemi qeveri, po, e kemi, dhe ta marrë djalli atë qeveri. Mos harroni se jemi njerëz e jo berra që të vemi atje ku të na shpjerë kasapi. Këtu në kafene vetëm gënjeshtra do të mësojmë. Në doni të vërtetën, ejani të shkomë atje ku mësohet e vërteta. Duhet vetëm trimëri. Ejani të shkojmë te kryeministri, mbreti, cilido që të jetë dhe ta shtrëngojmë të na thotë të vërtetën. Pastaj dimë ne se ç’duhet bërë.
– O më të lumtë goja! – tha plaku lab. – Të vemi të kapim edhe deputetët.
– Lëri larot, o xhaxho – ia preu prapë burri i mëparshëm.
Në sallë kishte hyrë një burrë, i cili siç u mor vesh më vonë ishte agjent i policisë. Pasi dëgjoi fjalët që u thanë aty, si vështroi rreth e rrotull, iu afrua burrit me syze dhe i tha me ngadalë:
– Kam një fjalë me ju dhe ju lutem të flasim te porta jashtë.
– Tani s’kam kohë, – iu përgjigj me zë të lartë, – më vonë eja se tani kemi një bisedim me rëndësi. Agjenti nguli këmbë disa herë të tjera, por si e pa që nuk ia vari njeri veshin, doli jashtë.

Në Gjimnazin e Shtetit mësimet ishin ndërprerë, por nxënësit qëndronin në oborr. Po kështu ndodhte edhe në dy shkollat e tjera të mesme – në Shkollën Teknike dhe në Institutin Femëror. Në të tria këto shkolla po bëheshin përgatitje për të marrë pjesë në demonstratën e madhe që do të shpërthente pasdite. Në demonstratë do të merrnin pjesë edhe punëtorë e nëpunës. Për organizimin e demonstratës po punonin të dyja grupet komuniste.

Në Gjimnazin e Shtetit, në fillim qe treguar solidar për shpërthimin e demonstratës edhe drejtori Safet Butka. Por para drekës filloi të lëkundej. Pastaj mori qëndrim kundër organizimit të demonstratës. Nga orët e drekës ai thirri në drejtori tre nga nxënësit e klasave të larta, një nga të cilët isha dhe unë, dy të tjerët qenë Jusuf Keçi dhe Themo Vasi. Me zë të lartë na tha:
Ju kam si vëllezërit e mi më të vegjël, ndaj ju thirra të bisedoj me ju, jo si një drejtor me nxënësit e tij, por si shokë që na rreh zemra për dashurinë ndaj atdheut. Unë dyshoj se demonstrata që po përgatitet nuk do të na sjellë dobi, bile kam frikë se do të na sjellë dëm. Prandaj ta mendojmë edhe një herë para se t’ia fillojmë.

– Zoti drejtor! – u përgjigj Jusuf Keçi, i cili mbasi na pa në sy, vazhdoi: Demonstrata që po përgatitet nuk është e nxënësve të shkollës sonë, por e tërë Tiranës; prandaj ne nuk kemi si të shkëputemi.
– Pse të mos bëhet demonstrata? – shtoi Themo Vasi. – Ç’do të kërkojmë ne, veçse të mbrojmë atdheun?
– E marr vesh, e kuptoj, jam i kënaqur për entuziazmin tuaj, – vazhdoi drejtori, – por duhet vepruar me kujdes. Ju e morët vesh se qeveria shpalli se s’ka asgjë alarmante. Përderisa s’ka gjë alarmante, përse ta bëjmë ne alarmante?
Pas bisedimesh që filluan të zgjaten, ne nxënësit ia premë shkurt:
– Zoti drejtor, gjëja më e mirë që ju duhet të bëni është të vini me ne dhe me flamurin e Shqipërisë e me pankartën e madhe që kemi përgatitur të dalim së bashku me shokët e tjerë dhe të kërkojmë armë për të mbrojtur vendin.

Sipas fjalës së dhënë, që në orën 4 pasdreke, nxënësit e gjimnazit u grumbulluan në oborrin e shkollës.
Në oborrin e pasmë po zbukuroheshin dy pankarta të shkruara me germa të mëdha “Rroftë Shqipëria” dhe “Rroftë liria”. Drejtori u orvat edhe një herë të bindte nxënësit të hiqnin dorë nga demonstrata./K.Frasheri/

Më Shumë

“Një çift nuk martohet për m’u nda”- Blero dhe Afrona përloten gjatë intervistës

Është publikuar një promo më e gjatë e podcast-it të Blero Muharremit me Afrona Dikën. Në një minutë, kuptohet se është fjala për një intervistë...

Vajza në Rahovec raporton se i është zhdukur nëna

Një vajzë nga Rahoveci, ka raportuar në Polici se nëna e saj është larguar nga shtëpia të shtunën e javës së kaluar dhe nuk...

Moti sot me shi

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit